Përmbyllet me sukses Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë

Kultura

Përmbyllet me sukses Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 12:29
Ndarja e çmimeve për fituesit e festivalit në Preshevë

Gjatë periudhës 9 e 13 dhjetor 2024, Shtëpia e Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë u shndërrua në epiqendër të humorit dhe artit skenik, duke mirëpritur edicionin e XIX të Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”.

Ky edicion i veçantë përkoi me një jubile të rëndësishëm, 30-vjetorin e themelimit të Teatrit të Qytetit të Preshevës, duke i dhënë këtij festivali një dimension të dyfishtë: festën teatrale dhe atë përkujtimore.

Pesë netët e festivalit tërhoqën artistë dhe trupa teatrale nga mbarë hapësira shqiptare, të cilët sollën për publikun shfaqje të nivelit të lartë dhe shumë të duartrokitura. Në natën përmbyllëse, u ndanë çmimet më të rëndësishme të edicionit, duke kurorëzuar talentin dhe punën e jashtëzakonshme të artistëve.

Këto netë festivali, gjithashtu, ishin një festë e vërtetë kulturore, ku publiku preshevar, i njohur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj artit, mbushi sallën deri në kapacitet maksimal. Me një atmosferë të ngrohtë e entuziaste, artdashësit shijuan çdo shfaqje, duke përshëndetur performancat e trupave teatrale me duartrokitje të gjata dhe vlerësim të sinqertë.

Atmosfera festive

Mikpritja preshevare, gjithmonë e njohur për zemërgjerësinë e saj, ishte në nivelet më të larta. Përfaqësuesit e teatrove nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u mirëpritën me një respekt dhe dashamirësi të veçantë, ndërsa atmosfera festive përfshiu jo vetëm shfaqjet teatrale, por edhe aktivitetet shoqëruese, që krijuan mundësi për shkëmbime përvojash dhe bashkëpunime të reja mes artistëve.

Natën e fundit, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, emocionet arritën kulmin. Një varg surprizash u rezervua për publikun dhe artistët, duke ngritur në këmbë sallën e mbushur plot. Nga shfaqja më e mirë deri te vlerësimet individuale për aktorët protagonistë dhe jo protagonistë, shpallja e çmimeve ishte një moment i paharrueshëm që përforcoi edhe më shumë lidhjen e publikut preshevar me artin skenik.

Fituesit e Festivalit

Në Festivalin “Ditët e komedisë shqiptare”, nga juria profesionale çmimin e pare e rrëmbeu shfaqja më e mirë: “Pacienti i Dr. Fojdit”, nga Teatri i Qytetit Tetovë, pastaj regjia më e mirë "Agron Boriçi": Gent Çajani, nga Teatri i Qytetit të Tetovës, aktori më i mirë: Adrian Aziri, nga Teatri i Qytetit të Tetovës, Aktorja më e mirë: Miola Sitaj, nga Teatri "Bylis" Fier, Shqipëria, aktorja më e mirë jo protagoniste: Egzona Saliu, nga Teatri i Qytetit të Preshevës, aktori më i mirë jo protagonist: Valon Nuhiu, nga Teatri i Qytetit të Preshevës dhe çmimi special i Festivalit: Teatri "Bylis" Fier, nga Shqipëria.

Vlen të ceket se në këtë festival komedish Teatri i Qytetit të Preshevës, nikoqiri i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore, fiton dy çmime në edicionin e XIX në Festivalin "Ditët e Komedisë Shqiptare ", me aktorët: Valon Nuhiu dhe Egzona Salihu.

Ky edicion i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare” dëshmoi se arti skenik është një urë e fuqishme që bashkon shqiptarët nga të gjitha trojet. Me një organizim shembullor dhe një atmosferë të gjallëruar nga dashuria për teatrin, Presheva e vulosi emrin e saj si një qendër e rëndësishme kulturore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e artistëve dhe publikut.

Kjo ngjarje unike, jo vetëm që promovoi komedinë si një zhanër të rëndësishëm teatror, por gjithashtu përforcoi rolin e artit në ruajtjen dhe avancimin e kulturës kombëtare në Preshevë. Me këtë edicion të suksesshëm, Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare” dëshmoi se mbetet një urë e fortë e bashkëpunimit kulturor mes artistëve shqiptarë nga rajone të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat