Spitali i Kumanovës në gjendje të mjerueshme

Kumanova

Spitali i Kumanovës në gjendje të mjerueshme

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Në qytetin e Kumanovës, pothuajse të gjitha repartet janë në gjendje të mjerueshme, ku duket se që nga themelimi, nuk është vendosur asnjë gur. Kushtet e vështira në spitalin e Kumanovës duket se po vështirësojnë edhe më shumë gjendjen e pacientëve. Shërbimi, kushtet, mungesa e aparateve dhe papastërtia janë prezent në secilin institucion mjekësor, theksojnë pacientët. Një shtetase e Turqisë, javën e kaluar u shtrua në spitalin e Kumanovës. Ajo enkas për gazetën KOHA tha se një ballafaqim me kushte të mjerueshme, nuk e kishte përjetuar ndonjëherë.

“Qëndrimi aty ishte një tmerr i vërtetë, aty mungonin kushtet e higjienës, mungonte sapuni, veshjet e pacientëve, të ushqimit, vuajtja më e madhe ishte në spital për shkak të këtyre kushteve sesa nga sëmundja që unë e kisha kaluar pjesën më të madhe në shtëpi. Këto kushte pas këtyre viteve i pashë vetëm këtu, tek ne edhe trajtimi është ndryshe, sjellja e motrave nuk më pëlqeu aspak”, deklaroi Mevlude Serbest, shtetase e Turqisë.

Derisa në të kaluarën ish Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se në spitalin e Kumanovës ka një numër të mjaftueshëm të pajisjeve mbrojtëse dhe ajo vazhdimisht plotësohet, pacientët mohojnë se në repartet e spitalit ka pajisje të mjaftueshme. “Përpos kushteve që tani më të gjithë i dimë, aty mungojnë edhe shumë pajisje, ku për çdo kontroll apo incizim, duhet të vijmë deri në spitalin e Shkupit. Kurse në spitalin e Kumanovës, si spital regjional i duhet një aparat për rezonancë magnetike”, deklaroi për KOHA, Reshat Hajdari, pacient.

Nga ana tjetër doktor Ylber Isufi, zëvendës drejtor në repartin e intern dhe pediatrisë, deklaroi për KOHA se ndihmat e Ministrisë së Shëndetësisë janë të pamjaftueshme nga numri që posedon spitali i Kumanovës. “Spitali në qytetin e Kumanovës i përfshin edhe komunat dhe fshatrat e tjera përreth, këtu vizitohen 150 mijë pacient dhe sigurisht që na nevojiten pajisje të shumta, pavarësisht disa ndihmave nga Ministria e Shëndetësisë. Unë personalisht e kam marrë iniciativën, duke shkuar në shtetin e Katarit për ndihma financiare, ku pas dorëzimi të planit, kompanitë dhe shoqatat humanitare kanë ofruar një milion euro për repartin e interno-së dhe pediatrisë”, theksoi dr. Ylber Isufi, zëvendës drejtor në spitalin e Kumanovës.

Ai shtoi se shoqatat humanitare të Katarit kanë premtuar renovimin e objekteve dhe sigurimin e shtretërve e nevojave tjera mjekësore.

Për sa i përket pajisjeve të avancuara Isufi tha se pavarësisht nevojave që të gjithë repartet në Maqedoni kanë, qytetit të Kumanovës i nevojitet një aparat për rezonancë magnetike. “Nevojat për kushtet elementare ka secili repart në Maqedoninë e Veriut, mirëpo për sa i përket aparatit për rezonancë magnetike, ka kërkesa nga të gjithë qytetarët duke marrë parasysh se 7.5 për qind e popullsisë janë pacient të spitalit të Kumanovës. Kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë t’i vizitoj këto reparte dhe të bisedojmë për nevojat që ka spitali”, deklaroi Isufi. Ndryshe, përveç mungesës së kushteve infrastrukturore, në spitalin e Kumanovës kemi edhe mungesë të stafit mjekësor. Shpesh herë spitali është në mungesë të anesteziologëve dhe motrave medicinale.

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat