Serbia ka nisur manovrat për të hedhur në erë dialogun me Kosovën.
Sot qeveria ka miratuar një paketë masash për serbët e veriut, duke vënë një sërë kushtesh për Kosovën.
Ana Bërnabiç, tha se Serbia nuk ka asnjë obligim nga Marrëveshja e Ohrit, ndërsa për Kosovën deklaroi se e ka obligim themelimin e Asociacionit. Por, ajo pretendoi se s’beson që Kosova do ta bëjë Asociacionin.
Përmes një pakte me 5 pikash, ajo ka kërkuar instalimin e Asociacionit, reagim nga bashkësitë kombëtare kundër qeverisë së Kosovës, anulimin e zgjedhjeve në veri dhe largimin e forcave policore nga zonat e komunitetit serb.
Propozimet e qeverisë serbe:
1 . Republika e Serbisë kërkon reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë menjëherë t'i japin fund shkeljes së marrëveshjes për targat dhe të lejojnë lirinë e plotë dhe të papenguar të lëvizjes për serbët. automjetet e të cilëve përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë. Për të mbrojtur këtë të drejtë të patjetërsueshme njerëzore të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare, është e nevojshme që ISP në Prishtinë të veprojë pa vonesë në përputhje me të gjitha marrëveshjet nga dialogu, por edhe me të gjitha dokumentet tjera relevante ligjore ndërkombëtare.
2. Formimi i pakushtëzuar dhe urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë është parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtutjeshëm në dialog, si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucionet krahinore dhe aktivitetin e tyre të mëtejshëm politik në krahinë.
3. Forcat policore shqiptare ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, ku terrorizojnë brutalisht serbët paqësorë që jetojnë atje. Përfaqësuesit e misioneve kompetente ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë e dinë mirë këtë, si dhe faktin se ISP në Prishtinë, përmes pranisë së këtyre forcave, shkel dispozitat e Marrëveshjes së Parë që rregullojnë çështjen e pranisë policore në veriun e Kosovës.
4. Qeveria e Republikës së Serbisë dënon fuqishëm përpjekjen jodemokratike për të mbajtur zgjedhje për administratën lokale në katër komuna me shumicë serbe në veri të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë beson se zgjedhje të tilla nuk kanë kuptim, sepse Prishtina po përpiqet të krijojë një situatë në të cilën 2 për qind e popullatës shqiptare në veri të Kosovës do të qeverisin dhe vendosin për 98 për qind të serbëve që jetojnë atje.
5. Republika e Serbisë do të ndërmarrë të gjitha masat juridike politike dhe ekonomike, për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe të drejtave themelore njerëzore dhe politike të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare në Kosovë.