Ishte nisur në drejtim të Kaçanikut, nga Hani i Elezit.
Por mëngjesi i së premtes doli të ishte tragjik për një 22-vjeçare.
Ajo u vetaksidentua për vdekje duke dalë nga rruga dhe bashkë me veturë ra në një lartësi prej 32 metrash.
E shenjat e aksidentit u panë edhe paraditen e së premtes në vendin e ngjarjes.
Lajmin për aksidentin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës duke dhënë detaje.
“Dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, kushteve të rrugës dhe kthesë në të djathtë, ka humbur kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e majtë të rrugës, godet barrierat e rrugës dhe bie poshtë rrugës 32 m, në shtratin e hekurudhës . Si pasojë e këtij aksidenti L.K ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjekët e Shtëpisë së Shëndetit të Kaçanikut”, thanë nga Policia e Kosovës.
Por ky nuk është rasti i vetëm që në vendin e njëjtë janë shkaktuar aksidente me fatalitet.
Policia Rajonale e Ferizajt, në një përgjigje për tëvë1 ka treguar se vitin e kaluar në të njëjtin vend ka qenë edhe një viktimë.
“Në maj të vitit 2023, pikërisht në lokacionin ku keni përmendur ju, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë, ku një person i gjinisë mashkull pasagjer në veture ka ndërruar jetën, ndërsa ngasësja e veturës ka marre lëndime trupore , e cila pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi. Në raport përmendet se shkaktar i këtij aksidenti dyshohet se ka qenë mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve te rrugës (vetura ka dal nga rruga duke rënë në humnerë-hekurudhë)”, deklaruan nga Policia Rajonale e Ferizajt.
Në afërsi të atij vendi, humbën jetën edhe dy policë në vitin 2018 që kishin rënë nga një lartësi mbi 100 metrash.
Në gjithë rajonin e Ferizajt, sipas të dhënave nga Policia janë evidentuar 34 aksidente me fatalitet në pesë vitet e fundit.