Grubi në listën e zezë të SHBA-së, Rushiti: Ka qenë e pritshme

Lajme

Grubi në listën e zezë të SHBA-së, Rushiti: Ka qenë e pritshme

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 23:14
Artan Grubi.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se imazhi i partisë për Bashkim Demokratik dhe Integrim është dëmtuar rëndë pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta futur në listën e zezë anëtarin e kësaj partie, Artan Grubi, i cili dikur ka mbajtur edhe postin e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut.  

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka futur në listën e zezë ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Politikani shqiptar u shpreh i befasuar këtë vendim të DASH-it dhe tha se lajmin e kuptoi vetëm përmes raportimit të medieve.

Në listën e zezë janë futur edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit si dhe Gjykatësi i Apelit, Enver Behxheti.

Sipas njoftimit të DASH-it, Grubi dhe Behxheti janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret.

Analisti politik nga Maqedonia e Veriut, Fatos Rushiti, e cilëson Artan Grubin si një politikan kontravers, andaj futja e tij në listën e zezë nga Departamenti amerikan i Shtetit sipas tij nuk përbën ndonjë befasi.

“Ka qenë e pritshme, kjo çështje është diskutuar edhe më herët në Maqedoninë e Veriut. Është përfolur këtu se do të ketë edhe persona të tjerë që do të futën në listën e zezë nga Departamenti amerikan i Shtetit”, tha Rushiti.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Ilir Kulla, thotë se ky lajm i ka bërë jashtëzakonisht dëm partisë për Bashkim Demokratik dhe Integrim.

Kulla vlerëson se ka ardhur koha që Grubi të reflektoj për veprimet e tij politike.

“Në planin politik dhe juridik shpresoj që ai të marrë një moment reflektimi dhe të kuptoj  dëmet që i ka bërë partisë së vet, pasi nuk po futet Artan Grubi në listën e zezë, por ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët ishin më të rëndësishmit”, tha Kulla.

Ndërkaq, Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, kishte paralajmëruar më herët se lista e zezë mund të zgjerohej edhe me emra të tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat