Kreu i Partisë Demokratike në Mal të Zi, Milan Knezheviq, ka shfaqur edhe njëherë pikëpamjet e tij nacionaliste karshi shtetit të Kosovës.
Gjatë seancës së djeshme parlamentare tha se qëndrimet e tij për Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë ndryshuar.
Ai këto komente i bëri kur në seancë u fol për dy ushtarët malazezë Rajko Krivokapiq dhe Dragutin Lalatoviq, të cilët u arrestuan në Kosovë.
Krivokapiq, 34 vjeç dhe Jovanoviq 24 vjeç u arrestuan në Kosovë për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Bashkë me ta u arrestua edhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, të tre nga Nikshiqi.
Knezheviq u mundua që në këtë seancë, veprimin e dy ushtarëve ta zbeh dhe njëkohësisht edhe ai vet u pajtua me idenë e ‘botës serbe’ se Kosova është Serbi.
“Kur autoritetet e Prishtinës zbatojnë masa kufizuese ndaj ushtarëve të burgosur pafajësisht, nënkuptojnë reagimin tuaj, sepse këta njerëz janë në burg vetëm sepse e konsiderojnë Kosovën si zemra e Serbisë”, tha Knezheviq.
E përveç kësaj ai ka pretenduar se ushtarët nuk do të gjykohen drejt dhe e ka arsyetuar ardhjen e tyre në Kosovë, pa marrë leje paraprake.
“Nuk besoj se do të ketë një gjykim të drejtë. Gjithashtu, nuk kemi nevojë për leje për të shkuar në Kosovë”, tha ai.