Parlamenti i Republikës Sërpska në BeH miratoi një deklaratë që dënon vizitën e fundit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bosnje dhe Hercegovinë.
Deklarata, në mënyrë indirekte, kërcënon se “entiteti mund të shpallë shkëputjen nëse vullneti i tij nuk respektohet nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës”, raporton media kroate, HRT.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të javës së kaluar ka qëndruar për një vizitë pune në Bosnje dhe Hercegovinë, ku në Sarajevë ka takuar disa nga zyrtarët më të lartë të Bosnje-Hercegovinës, si anëtarët e Presidencës, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, dhe kryeministrin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq.
Vizita e Kurtit në Sarajevë u pasua me dënime të shumta nga politikanët serbë të Bosnjës, të cilët pohuan se për ta ishte një fyerje dhe një reflektim i mosrespektimit për faktin se BeH nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
HRT shkruan se njohja e pavarësisë së Kosovës “u bllokua pikërisht nga politikanët e RS-së që ndjekin pa kushte politikën e Beogradit” dhe për shkak të shkuarjes së Kurtit në Sarajevë, ministrat serbë të Bosnjës në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës kanë bojkotuar mbledhjet prej ditësh, duke penguar kështu miratimin e ligjeve të reformave të nevojshme që Bosnja dhe Hercegovina të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Me propozimin e shumicës qeverisëse të kontrolluar nga Millorad Dodik, parlamenti i RS-së, në seancën e mbajtur në Banjallukë, dënoi sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës në një deklaratë të posaçme, duke e cilësuar atë si “një akt provokimi të drejtuar kundër RS-së dhe populli serb”.
Ata kanë pohuar se “kjo është shprehje e mosrespektimit të integritetit territorial të Serbisë, por edhe e mosrespektimit të vullnetit të RS-së”.
Nëse kjo vazhdon, thuhet në deklaratë, RS do të “përdorë të gjitha të drejtat që ka sipas ligjit ndërkombëtar”, duke përfshirë ato që dalin nga Karta e Kombeve të Bashkuara, të cilat i referohen të drejtës për vetëvendosje.
Gjithashtu, ata kërkuan që autoritetet shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë të shpallin persona non grata kryeministrin e Kosovës.