Një lëvizje e flokëve, një shtrëngim dore ose zgjedhja e një veshjeje të caktuar mund të thotë më shumë për ty sesa mendon. Sjelljet e përditshme janë të mbushura me sinjale që zbulojnë se kush je vërtet. Ja disa zakone të vogla që flasin shumë për personalitetin tënd.
Si ecën
Mënyra se si ecën mund të jetë si një “CV” në lëvizje. Nëse ecën me hap të qëndrueshëm dhe kokën lart, dukesh si dikush që ka gjithmonë një plan dhe di çfarë do. Por nëse je nga ata që ecin me shpatulla të ulura dhe kokën poshtë, të gjithë mund të mendojnë që je shumë i zhytur në mendime. Me pak fjalë: ecja tregon shumë për vetëbesimin tënd - prandaj vendos ritmin dhe shko drejt e përpara!
Si shtrëngon dorën
Një shtrëngim dore është më shumë se një përshëndetje - është një deklaratë personale! Nëse ke një shtrëngim të fortë dhe të sigurt, njerëzit të shohin si të vendosur dhe me vetëbesim. Nga ana tjetër, një shtrëngim dore i vakët mund të krijojë përshtypjen e dikujt që nuk preferon të bëjë asnjë bisedë serioze. Gjithashtu, mos përdor dy duar, përndryshe dukesh sikur po kandidon për kryetar bashkie.
Si i shkruan emailet
Nëse dikush do të kuptonte si je në të vërtetë, mjafton të lexojë emailet e tua. Nëse janë plot gabime, mbase nuk të intereson shumë për përshtypjen që lë. Nëse janë perfekte, ke qejf t’i bësh gjërat si duhet. Nëse emailet janë të gjata dhe të detajuara, je nga ata që ndoshta shkruajnë “Mirë se erdhe” edhe në urimet e vitit të ri.
Nervozizmat
A je nga ata që kafshon thonjtë apo luan me flokët kur je nervoz? Këto zakone të vogla zbulojnë shumë për ty. Për shembull, njerëzit që kafshojnë thonjtë shpesh janë perfektionistë të paduruar, ndërsa ata që luajnë me flokët… Epo, ndoshta kanë shumë mendime në kokë - ose thjesht flokë të bukur që duan t’i vënë në pah.
Si ha
Të gjitha fjalitë për “je ajo që ha” janë të vërteta, por edhe mënyra se si ha thotë shumë për ty. Nëse ha ngadalë, ndoshta të pëlqen të jesh në kontroll të situatës. Nëse ha shpejt, je më shumë tip i nxituar dhe ambicioz. Dhe nëse ndan ushqimet në pjatë, jemi të sigurt që frigoriferi yt është i organizuar si një dyqan ushqimor dhe të pëlqen të kesh gjërat në kontroll.
Çfarë pi
Pijet e tua të preferuara janë një pasqyrë tjetër e personalitetit. Nëse je fans i pijeve të ëmbla, ndoshta je një shpirt i lirë që jeton momentin. Por nëse zgjedh ujë ose çaj pa sheqer, duket se mendon më shumë për të ardhmen dhe për t’u mbajtur në formë.
Si reagon ndaj komplimenteve
Nëse gjithmonë hedh poshtë komplimentet me fraza si “Jo, s’është ndonjë gjë e madhe”, ndoshta duhet të ndalosh. Refuzimi i komplimenteve tregon që mund të kesh pak mungesë vetëbesimi. Bëj një nder vetes: kur dikush të thotë diçka të mirë, thjesht thuaj “Faleminderit” dhe vazhdo ditën si një mbretëreshë/mbret i/e vërtetë.
Në fund të ditës, zakonet e vogla janë pjesë e jona. Mjafton të dish si t’i përdorësh për të treguar anën tënde më të mirë!