Fatkeqësisht, gjumi i keq i foshnjave dhe i fëmijëve është një nga problemet më të mëdhenj që kalojnë prindërit. Por përse vogëlushët tanë kanë vështirësi në të fjetur? Përse zgjohen vazhdimisht, madje edhe çdo 30-45 minuta?
Sipas shumë pediatërve, fëmijët që veçanërisht janë aktivë gjatë ditës e kanë më të vështirë se fëmijët e tjerë, për të shkuar (për t’u dorëzuar) të flenë. Në përgjithësi, fëmijët nga 4 muaj dhe në vazhdim, kanë frikë të largohen nga fytyrat familjare, sidomos nga ajo e mamasë, por edhe nga jeta reale që fillojnë të njohin.
Ora e gjumit të mbrëmjes duhet shënuar sa më shumë të jetë e mundur nga disa sjellje të thjeshta dhe të zakonshme si për shembull të mbyllni grilën, të ndizni një dritë të zbehtë, të përshëndesni lodrat ose pelushët dhe të këndoni të njëjtën ninullë. Me fëmijët më të rritur, 12 muajsh e lart, mund të filloni t’i lexoni përralla të thjeshta: më mirë nëse janë të shkurtra, të ilustruara dhe jo shumë aventureske.
Një sjellje e mirë apo e zakonshme e të fjeturit, e mësuar që në vogëli, jep një rezultat të shkëlqyer. Nga mosha 3 vjeç dhe më pas vogëlushët mësojnë të shfletojnë vetë librat e tyre të preferuar dhe brenda 15 minutave, nëse i këndoni një ninullë, apo i tregoni një përrallë, ata do t’i drejtohen vetë krevatit dhe do të flenë të qetë për gjatë gjithë natës.
Përse disa fëmijë zgjohen në orar preciz, çdo 45 minuta?
Uria është një nga motivet më të shpeshta të rizgjimeve të natës tek foshnjat. Nëse e ushqeni fëmijën tuaj ende me gji, duhet të jeni e kujdesshme për të stimuluar ushqyerjen në mbrëmje. Për shembull, nëse shikoni se fëmija dembeloset dhe fillon ta zërë gjumi ndërkohë që është i uritur, gudulisi këmbët ose veshin ose i flisni në mënyrë që ta stimuloni, ta nxisni që të pijë më shumë qumësht.
Por nëse ushqyerjen e fëmijës e bëni artificialisht, me biberon, mos ndoshta është më mirë që të komunikoni me pediatrin që të shtoni diçka në ushqyerje?
Në raste të tjera, rizgjimet periodike te të vegjlit varen nga vështirësia për të kaluar nga gjumi i lehtë në atë të thellë. Në fragmente të ndryshme fëmijët zgjohen, hapin sytë, tremben dhe fillojnë të qajnë.
Çfarë duhet të bëni?
Është shumë mirë që t’i mësoni që të vegjël që të flenë direkt në krevatin e tyre, jo në krah, përndryshe kur zgjohen kërkojnë menjëherë krahun e mamasë apo të babait. Nëse fëmija, mbi 7 muajsh, zgjohet shpesh natën, gjëja e parë që duhet të bëni është t’i flisni, duhet të dëgjojë zërin tuaj duke e thirrur, që të kuptojë se nuk e keni braktisur, jeni aty. Më pas përkëdheleni tek koka dhe mbajini duart duke i kënduar një ninullë.
Këshilla të vogla: nëse fëmija juaj është nga ata që zgjohen çdo 45 minuta, edhe pse është disi i rritur dhe ha mjaftueshëm sipas pediatrit, provoni të zgjidhni një objekt (një lodër të butë, një pelush që i pëlqen) dhe përdoreni si “shoqëruesin e gjumit”.
Psikologët thonë: zgjidhni një objekt tradicional apo një lodër që ka një domethënie të veçantë për fëmijën dhe që e shtyn atë të besojë. Nëse zgjohet dhe e gjen në krevat, pranë tij “shokun e gjumit”, është e mundur që fëmija do të flejë sërish pa thërritur mami dhe babi.