Mospërmbushja e kushteve higjienike, moskryerja e kontrolleve shëndetësore të punonjësve në kuzhina, mosrealizimi i dezinfektimit janë disa nga shkeljet që inspektorët zbuluan gjatë periudhës së kaluar në kuzhinat e shtëpive të pleqve, këndet e lojërave, në shkolla dhe çerdhe në Maqedoninë e Veriut.
Në disa shkolla, edhe prindërit shkojnë për të kontrolluar dhe provuar ushqimin, si dhe për të dhënë vërejtjet e tyre.
"Sa herë që shkonim, koha për ushqim kishte kaluar… Babai im nuk ishte ankuar për ndonjë gjë konkrete, por ka ndodhur, për shembull, të gjejmë në dhomën e tij biskota që ishin aq të forta sa dukeshin sikur kishin qëndruar të hapura për ditë të tëra, të cilat ai nuk mund t’i hajë.
Kur e pyesnim, thoshte se m’i kanë lënë, ama nuk mund të them me siguri nëse ia kishin dhënë nga shtëpia e pleqve apo nga dikush tjetër, që, ashtu si ai, ishte i vendosur aty”.
Me këto fjalë, shkupjanja Palle kujton përvojën e saj me shtëpitë e pleqve, ku ishin vendosur babai dhe vëllai i saj. Pakënaqësia e saj lidhet përgjithësisht me kujdesin që merrnin të afërmit e saj, ndërsa, siç thekson, konkretisht për ushqimin nuk mund të thotë shumë, pasi vizitat e saj ishin gjithmonë pas orarit të drekës. E sa i sigurt është ushqimi, ishte qëllimi i kontrolleve të fundit të jashtëzakonshme të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ku u përfshinë 41 shtëpi të pleqve.
"Gjatë kontrolleve të kryera, janë konstatuar mospërputhje të cilat kishin të bëjnë me sipërfaqe pune të yndyrshme, përzgjedhje e parregullt e ushqimit, frigoriferë të papërshtatshëm dhe të paorganizuar, ruajtje e papërshtatshme e ushqimit, mosmbajtje evidence për temperaturën, për pastrim dhe dezinfektimi të ambienteve, pajisjeve dhe veglave të punës, dhe të tjera", përmend AUV-ja ndër tjerash duke iu përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë për gjendjen që kanë gjetur te një pjesë e këtyre shtëpive.
Asnjë nga personat e vendosur në këto shtëpi apo familjarët e tyre nuk kanë raportuar ndonjë problem me ushqimin në AUV, megjithatë, kontrollet janë kryer sipas urdhrit për inspektime të jashtëzakonshme. Ndër të tjera, inspektorët konstatuan se 14 nga shtëpitë e pleqve nuk ishin regjistruar fare si operatorë ushqimorë.
Që nga fillimi i këtij viti inspektorët kanë hyrë edhe në 167 kuzhina në shkolla dhe çerdhe për të kontrolluar sigurinë e ushqimit për fëmijët, kurse bilanci nga këto inspektime ka qenë rreth njëzet urdhra për korrigjimin e parregullsive të evidentuara.
"Mungesë teknike“ në shtëpitë e paregjistruara
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut nuk zbulojnë nëse shtëpia ku ishin vendosur babai dhe vëllai i Palles, e cila ndodhet në Shkup, ishte pjesë e kontrolleve të fundit të jashtëzakonshme.
Po ashtu, nuk përmenden as emrat e shtëpive të tjera të pleqve ku ka parregullsi me ushqimin. Edhe shtëpitë si dhe çdo person tjetër fizik dhe juridik që merret me ushqimin – prodhimin, ofrimin e shërbimeve në gastronomi, transportin, depozitimin dhe shitjen, duhet të regjistrohen si operatorë të ushqimit në Agjenci, e cila mban një regjistër të veçantë për këto objekte, parashikon Ligji për sigurinë e ushqimit.
Fakti që 14 shtëpi, ose një e treta e 41 shtëpive të kontrolluara, nuk ishin regjistruar, sipas AUV-së, ndoshta është për shkak të ndonjë “lëshimi teknik”.
“Kuzhinat në shtëpitë e pleqve që janë të regjistruara në Agjenci, në përputhje me kapacitetet e disponueshme të inspektorëve, janë kontrolluar rregullisht. Të tjerat, me siguri për shkak të lëshimeve teknike, nuk janë regjistruar në AUV. Për shkak të specifikës së veprimtarisë, operatorëve u janë lëshuar vendime me urdhër për regjistrim në afatin më të shkurtër të mundshëm", thonë nga AUV-ja për Radio Evropa e Lirë.
Agjencia nuk ka të dhëna se sa kohë këto shtëpi kanë funksionuar pa u regjistruar si operatorë të ushqimit. Gjithashtu, ata nuk tregojnë nëse ndonjë prej tyre ishte kapur më parë si operator i paregjistruar i ushqimit, sepse, duke iu referuar Ligjit për mbikëqyrje dhe inspektim, thonë se kjo mund të konstatohet "vetëm me organizimin e urdhrave të punës për kontrolle të jashtëzakonshme".
Ky kontroll i jashtëzakonshëm, gjatë të cilit u zbuluan 14 shtëpitë, u krye nga data 29 deri më 31 tetor. Në pesë nga shtëpitë e tjera të kontrolluara, u konfiskuan dhe u shkatërruan 40 kilogramë ushqim i pasigurt.
Gjatë këtij aksioni, inspektorët shqiptuan 18 gjoba për operatorët dhe lëshuan 16 urdhra për largimin e mospërputhjeve – nga të cilat në katër shtëpi ato kishin të bëjnë me kushtet higjienike, kurse në tre për kryerjen e kontrolleve shëndetësore të punonjësve, të cilat janë të detyrueshme, por nuk ishin kryer.
Mbyllen edhe 13 kënde lojërash
Një aksion i ngjashëm më parë në tetor nga AUV-ja u krye edhe në 92 kënde lojërash për fëmijë, ku 16 prej tyre nuk ishin regjistruar si operatorë ushqimorë. Tetë prej tyre nuk i plotësonin kërkesat higjienike dhe 16 punonjës nuk kishin bërë kontrollet shëndetësore.
Nga ushqimi, u konfiskuan dhe u shkatërruan 11.5 kilogramë produkte qumështi.
“Për parregullsitë e konstatuara janë lëshuar 19 vendime dhe janë marrë masa për eliminimin e tyre, janë mbyllur përkohësisht 13 kënde lojërash, dhe 32 prej tyre janë dënuar me gjoba”, thanë nga AUV-ja pas kontrolleve të kryera.
Prindërit kontrollojnë shkollat
Kur bëhet fjalë për shkollat dhe çerdhet, bilanci nga 167 kontrolle të kryera këtë vit, siç theksojnë nga Agjencia për REL-in, ishte: pesë paralajmërime të shqiptuara, 17 urdhëresa për evitimin e parregullsive dhe një ndalesë.
“Parregullsitë e konstatuara deri tani lidhen me zbatimin e paplotë të Praktikës së mirë higjienike, Praktikës së mirë prodhuese dhe Sistemit HACCP, si dhe me mbajtjen e parregullt të regjistrave për to, mosrealizimin e kontrolleve shëndetësore të personelit, dhe mosdezinfektimin dhe deratizimin e papërfunduar ”, thonë nga AUV-ja.
Në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e shkollave sigurojnë vetëm ushqime të shpejta, të tjerat vetëm një shujtë të ngrohtë, ndërsa disa i ofrojnë të dyja.
Jo të gjitha shkollat në vend kanë kuzhina ku mund të përgatitet ushqimi. Sipas praktikës që theksohet nga shkollat dhe prindërit, zakonisht në ato shkolla ku nuk përgatitet ushqim, kompania që ofron ushqimin, e përgatit atë në një kuzhinë tjetër të shkollës e cila e ka fituar tenderin.
I tillë është rasti edhe me shkollën "Grigor Prliçev" në komunën e Gazi Babës në Shkup, ku drejtoresha Aleksandra Petkovska-Anastasov thotë se edhe ata si shkollë, por edhe vetë prindërit, bëjnë kontrolle për sigurinë e ushqimit.
"Përgjegjësia është e madhe, prandaj ne vazhdimisht kontrollojmë. Kërkojmë që ushqimi të transportohet në enë të përshtatshme dhe me mjet transporti të përshtatshëm, duke qenë se nuk përgatitet te ne".
"Nëse, për shembull, një firmë fiton tenderin në dhjetë shkolla, mund të mos ketë automjete të mjaftueshme për ta dorëzuar ushqimin në kushte dhe temperatura të ndryshme siç kërkojmë ne dhe për këtë arsye jemi në gatishmëri dhe kontrollojmë vazhdimisht", thotë Petkovska-Anastasov për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se tek ata funksionojnë komisione nga mësuesit dhe prindërit që e kontrollojnë ushqimin.
"Prindërit, kur kanë mundësi, vijnë të paktën dy herë në javë, ua lejojmë të hyjnë dhe të provojnë ushqimin, shohin se në çfarë enësh shërbehet. Ata mund të vijnë për mëngjes ose drekë, kur të duan, dhe një herë në javë më dërgojnë mua si drejtoreshë një raport, të cilin unë ia dërgoj kompanisë për t’i korrigjuar vërejtjet nëse ka", potencon drejtoresha.
Këso praktike, thonë prindërit, ka edhe nëpër shkolla të tjera, megjithatë nuk funksionojnë kudo. Ka edhe raste kur prindërit nuk janë të kënaqur me ushqimin e fëmijëve, ndaj shkolla nuk siguron fare.
“Në shkollën tonë, fëmijët nuk kanë ushqim. Vitin e kaluar kishim një kompani që e sillte nga jashtë, kryesisht produkte furre, por ishin aq jocilësore sa shumica e nxënësve hoqën dorë nga ushqimi në shkollë dhe sivjet secili blen vetë nga dyqanet afër shkollës ose e marrin ushqimin nga shtëpia. U sillnin ushqime të thata, të ngrira ose të shkrira, gjenin edhe të atilla me afat të skaduar. Për shkak të këtyre problemeve, shkolla këtë vit nuk shpalli fare tender për ushqim", thotë nëna e një nxënësi të klasës së shtatë në një shkollë të Shkupit.
Rasti i më i fundit që pati probleme me ushqimin në shkollë ndodhi që në muajin e parë të këtij viti shkollor. Rreth 140 nxënës nga gjithsej 360 që ushqehen në orarin e plotë të shkollës "Gjorgje Pulevski" në komunën e Aerodromit, në shtator, patën simptoma helmimi, që çoi në mbylljen e kuzhinës.
Një rast më i madh ndodhi edhe vitin e kaluar në shkollat në Karposh, ku nga e njëjta kompani që siguronte ushqim, kishte dyshime për nxënës të infektuar me salmonelë. Kontrollet në kuzhinat e shkollave dhe çerdheve, sipas Planit vjetor të AUV-së, kryhen të paktën tre herë në vit sipas kategorizimit të objekteve me rrezik.
Në shtator dhe tetor të çdo viti shkollor, kryhen inspektime në ato shkolla dhe çerdhe ku përgatitet dhe shërbehet ushqim. Inspektime, konfirmojnë nga Agjencia, ka edhe te furnizuesit për të kontrolluar nëse plotësohen kushtet higjieno-sanitare./rel