Politikanët shqiptarë në Maqedoni urojnë 28 Nëntorin: Data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve

Maqedonia

Politikanët shqiptarë në Maqedoni urojnë 28 Nëntorin: Data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë uruar festën e 28 Nëntorit. Të gjithë ata thonë se kjo datë është më e rëndësishmja në historinë e shqiptarëve. 

Ata gjithashtu urojnë që fryma e kësaj dite të frymëzojë harmoni dhe sukses për popullin shqiptar anembanë

Më poshtë i keni urimet e tyre.

Ali Ahmeti:

Të dashur vëllezër e motra bashkëatdhetarë, ju uroj nga zemra ditën e flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet ti ndalim asnjëherë, për arsye se liria nuk është një destinacion, por një rrugëtim i përhershëm dhe i pandalshëm.

Ziadin Sela:

Gëzuan Ditën e Flamurit Shqiptar dhe Pavarësisë së Shqipërisë! Të dashur vëllezër e motra të gjakut e të gjuhës. Edhe pse të ndarë në shumë shtete, e të shpërndarë në mbarë globin, sot të gjithë festojmë me të njëjtën ndjenjë krenarie e atdhedashurie. Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, kur nga momentet më sfiduese për popullin kanë lindur ngjarjet më të mëdha që ngritën kombin. Nga bashkimi i fiseve e ngritja e flamurit në Krujë, nga arkitekti i kombit e shtetit Shqiptar, Gjergj Kastriot Skenderbeu, më 1443, shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali më 1912, e deri tek datëlindja e heroit kombëtar, Adem Jasharit, që filloi luftën për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, 28 Nëntori është ngulitur në zemrën e çdo shqiptari si një datë e rëndësishme që çdo vit na bën krenarë për historinë e lavdishme dhe na motivon për të ndërtuar të ardhmen që ëndërrojmë e meritojmë. Kjo histori e mbushur me njerëz të guximshëm e suksesshëm, që nuk u dorëzuan, por triumfuan mbi tiranitë dhe sfidat shumë herë më të vështira se sot, duhet të na shërbejë si motiv për të qenë edhe më të vendosur përballë sfidave që kemi sot, kur ne jemi shumë herë më të fuqishëm. Të festojmë, të mburremi, e të punojmë për të përmbushur amanetin e të parëve dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë e të fëmijë tanë! Gëzuar! Zoti i bekoftë Shqiptarët dhe Shqipërinë!

Menduh Thaçi:

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë me krenari forcën, qëndresën dhe unitetin e popullit shqiptar. Kjo ditë shënon një moment historik, duke reflektuar sakrificat dhe vendosmërinë që formësuan një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Uroj që fryma e kësaj dite të frymëzojë harmoni dhe sukses për popullin shqiptar anembanë. Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, Ju uroj Ditën e Pavarësisë!”, ka shkruar Menduh Thaçi në urimin e tij.

Izet Mexhiti:

28 Nëntori është ditë historike për gjithë shqiptarët. 112 vite më parë lindi e pavarura Shqipëri, si një shtet që edhe sot rrezaton paqe e krenari kombëtare. Dita e Flamurit është festë përkujtimi e nderimi për burrat e gratë që shkruan historinë e kombit tonë, ndërsa vlerat e tyre edhe sot ndriçojnë të ardhmen tonë kolektive. Është dita kur flamuri ynë, me shqiponjën krenare e me ngjyrat kuq e zi, na bashkon përtej kufijve, duke forcuar besimin se uniteti dhe përkushtimi ndaj idealeve kombëtare janë forca jonë më e madhe. Uroj që kjo festë të shërbejë si burim frymëzimi për ruajtjen e vlerave tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. Rroftë populli shqiptar dhe fryma e bashkimit që kjo ditë simbolizon!

Afrim Gashi:

Urime festa e 28 Nëntorit, Dita e Flamurit! Kjo datë përçon tek çdo shqiptar krenari dhe respekt për historinë dhe sakrificat e kombit shqiptar. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kjo datë është simbol i unitetit dhe forcë e identitetit kombëtar. Prandaj, si kryetar i Kuvendit, jam i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si popull shtetformues, ndërsa angazhohem për forcimin e bashkëpunimit dhe thellimin e lidhjeve me të gjithë popujt e tjerë. Sot më shumë se kurrë duhet të reflektojmë mbi përpjekjet e paraardhësve dhe të bashkohemi mbi vlerat që na karakterizojnë si komb. Gëzuar 28 Nëntorin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat