Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi ka dënuar djegien e flamujve mbrëmë gjatë festimit të 28 nëntorit.
“Në lidhje me ngjarjet e fundit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, e dënon ashpër çdo akt tërbimi, pa dallim nga shkaku apo baza që përdoret për argumentimin e tij.
Dhuna dhe tërbimi asnjëherë nuk mund të jenë zgjidhje ose përgjigje. Ndërsa edhe më pak mund të përdoren si mjet për provokim me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit.
Kryetari Gashi bën thirrje për përmbajtje, respekt dhe komunikim konstruktiv si rruga e vetme për tejkalimin e të gjitha sfidave. Vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët në shtetin tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin Kuvendit.
Gashi, shtojnë nga atje, mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave demokratike dhe respektimin e simboleve shtetërore.