Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dje ka vendosur tenda para Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se do ta mbrojnë gjuhën shqipe, për të cilën ka inicativë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtohet më 11 dhjetor (e mërkurë) nga gjykatësit.
Funksionarët e Frontit Europian e kaluan natën në tenda, ndërsa gjatë ditës së sotme mbajtën mbledhje në Tetovë, ku diskutuan për hapat e mëtejshëm që do t’i ndërmarrin. Bujar Osmani tha se kjo iniciativë, siç e quan ai, për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është mbipartiake dhe mbietnike dhe se i janë bashkuar edhe persona që nuk janë të përfshirë në politikë.
“Roja e gjuhës veçmë ka filluar me punë, është shndërruar në platformë mbi partiake, mbi etnike, pasi nuk mbrohet vetëm gjuha, por arsyeja për të ardhme të përbashkët në shtet, për të izoluar këto forca destruktive që e kanë humbur kohën, që në vitin 2024 vijnë me kufizime të të drejtave etnike”.
“Është situatë e vonuar që nuk e ka pritur askush që mund të vijë një strukturë destruktive, njerëz të pavotuar për të demontuar Marrëveshjen e Ohrit. Kjo nuk kalon, pasi është kauzë e qytetarëve të vullnetit të mirë. Ne marrim thirrje nga qytetarët maqedonas të cilët na thonë se kush janë këto që mendojnë të minojnë Marrëveshjen e Ohrit.
“Nuk do të lejojmë që një shtet që negocion për BE të ketë Gjykatë Kushtetuese që ekzekuton programe partiake. Ndodhi një herë më 17 tetor, ndërsa ajo që mund të ndodh më 11 dhjetor mund të ketë pasoja më të mëdha. Kauza e mbrojtjes së gjuhës shqipe nuk është e BDI-së, e keni parë se mbi 250 profesorë kërkojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe”, tha mes tjerash Osmani.
Ndërkohë liderët e VLEN-it, të cilët janë pjesë e Qeverisë, sot gjithashtu kanë mbajtur takim koordinues ku kanë diskutuar për ngjarjet e fundit politike.
Pas përfundimit të mbledhjes, përfaqësuesit e VLEN-it në konferencë për shtyp, kërkuan që qytetarët të jenë të qetë dhe thanë se “gjuha shqipe nuk do të preket”.
Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq”.
“Korrupsioni mbi 20-vjeçar ka faturën e vet! Ai të zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj, nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare! Njëra me tjetrën nuk shkon!”.
“Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe”, thanë nga VLEN.
Për iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka folur edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai dje tha se të mërkurën nuk do të ndodh asgjë dhe i ftoi qytetarët të jenë të qetë.
Ai ka akuzuar se BDI po krijon qëllimisht përçarje dhe tensione etnike.
“Ne jemi duke folur me VLEN-in, kjo është një procedurë në vazhdim. Kemi një situatë ku askush nuk mund të ndërhyjë tani në Gjykatën Kushtetuese, sepse parimi përfundoi më 8 maj. E vetmja temë me të cilën BDI është prezente në publik është të bëjë ndarje në baza etnike, trajtojnë vetëm çështje etnike, nuk mund të imponojnë një temë apo të tërheqin njerëz që do t’i mbështesin. Ata u përpoqën me agjendën e tyre të gjelbër, por dështuan”, tha Mickoski dhe vazhdoi.
Ndryshe, seanca e Gjykatës Kushtetuese është caktuar për më 11 dhjetor në ora 09 :30 ndërsa në rend dite janë nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve si pikë e parë. Ligji është në shënjestër të 13 nismave që përfshijnë 46 subjekte. Në seancë pritet të mos marrin pjesë gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.