Institucionet kompetente në vend nuk i shfrytëzojnë aspak të dhënat e pronarëve të vërtetë për të parandaluar korrupsionin, krimin dhe abuzimet në fusha të tjera si dhe nuk i shfrytëzojnë mjaftueshëm për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit, tregojnë të dhënat e hulumtimit të Qendrës për Komunikime Civile.
“Nga viti 2022 deri në prill 2024, drejtoria kompetente për Inteligjencë Financiare ka pranuar 194 iniciativa nga organet kompetente, nga të cilat ka përgatitur dhe ka dorëzuar 21 raporte në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, drejtoria ka dorëzuar në këtë prokurori 50 kallëzime për transaksione të dyshimta, me iniciativë të saj” thonë nga Qendra për Komunikime Civile.
Ata theksojnë se nga gjithsej 71 raporte që drejtoria ka dorëzuar në Prokurori 70% janë me iniciativë të tyre, ndërsa pjesa tjetër 30% janë bazuar në iniciativa të pranuara më parë nga ndonjë institucion kompetent. Nga QKC shtojnë se nga 17 institucione në vend me të cilat drejtoria duhet të bashkëpunojë, 8 prej të cilave janë të përcaktuara drejtpërdrejt në ligj se duhet të luftojnë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, vetëm dy kanë shifra konkrete për rastet për të cilat kanë përdorur të dhëna nga Regjistri i Pronarëve të Vërtetë.
“Maqedonia e Veriut nuk e mori përsipër obligimin e rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë krizës së COVID-19, të publikojë emrat e pronarëve realë të kompanive që kanë lidhur kontrata për furnizime publike lidhur me krizën e koronës. Vendi nuk ka zbatuar as angazhimin nga Plani Kombëtar i Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2021-2023 për të bërë publike pronarët e vërtetë të kompanive ofertuese dhe atyre që kanë realizuar kontratë të furnizimit publik”, theksojnë nga Qendra për Komunikime Civile.
Ata thonë se edhe BE dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik kanë pasur vërejtje për përdorimin e pamjaftueshëm të të dhënave nga regjistri i pronarëve të vërtetë.