Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për përfshirjen në listën e zezë të SHBA-së, të Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministrit maqedonas nga radhët e saj.
Në një komunikatë për median, BDI ka theksuar se respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe “mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës.”
Ndërsa, Koalicioni VLEN ka përshëndetur vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të futur në listën e zezë të Grubit dhe Bexhetit.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, lidhur me këtë çështje ka folur dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Ai theksoi se kjo tregon se shumë çështje të mbetura pezull do të rihapen.
“Goditja është për Ali Ahmeti, është goditje për BDI. Kjo tregon që shumë çështje të mbetura pezull po rihapen, nga këto pasoja ne po vuajmë shfuqizimin e shqiptarëve, të cilëve u premtua që do të kenë punë. Vërteton që dhe pas 20 vitesh nga Marrëveshja e Ohrit, nuk i kanë të drejtat e tyre shqiptarët”, tha Kasami.
Më tej, lidhur me vendimin për gjuhët, ai u shpreh se nuk ka për të ndodhur asnjë hap pas në të drejtat e shqiptarëve.
“Ne kemi thënë dhe më herët, që në të ardhmen ne si koalicion nuk do të ndodh asnjë degradim i të drejtave të shqiptarëve. Edhe sa i përket gjuhës shqipe ne garantojmë që sa të jemi ne nuk do të ketë degradim të gjuhës shqipe por do të punojmë që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e parë në Maqedoni”, shtoi Kasami.