Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përcjell me vëmendje të veçantë debatin mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, lidhur me statusin e gjuhës shqipe. Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, lidhur me statusin e gjuhës shqipe thuhet se vënia në pikëpyetje e këtij statusi cenon jo vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe vetë themelet e Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik dhe demokratik.
“Gjuha shqipe nuk është thjesht një çështje gjuhësore; ajo është një simbol i identitetit, historisë dhe dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë një popull shtet-formues në këtë vend. Vlerësimi i saj si gjuhë zyrtare është rezultat i përpjekjeve të gjata dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje përbën një provë të rëndësishme për përkushtimin e shtetit ndaj parimeve të barazisë, unitetit dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve etnike”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Më tej në këtë deklarët thuhet se çdo përpjekje për të zvogëluar rolin e gjuhës shqipe bie ndesh me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje historike që i dha fund konfliktit mbi baza etnike dhe krijoi bazën për bashkëjetesë dhe paqe të qëndrueshme.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut, aktorëve politikë dhe juridikë, si dhe partnerëve ndërkombëtarë, që të mbrojnë arritjet e deritanishme dhe të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve si një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të vendit”, thuhet në deklaratë.
Sipas kësaj deklarate, Maqedonia e Veriut ka mundësinë të dëshmojë se është një model i suksesit të bashkëjetesës multietnike, dhe ruajtja e statusit të gjuhës shqipe është një gurë themeli në këtë drejtim.