Bytyqi: Maqedonia është më e fortë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e saj në të gjitha gjuhët

Maqedonia

Bytyqi: Maqedonia është më e fortë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e saj në të gjitha gjuhët

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 11:45
Fatmir Bytyqi

Në këto momente, kur salla e gjyqit bëhet një arenë konflikti mes historisë dhe vizionit të së ardhmes, jemi të vetëdijshëm se nuk ka të bëjë vetëm me ligjin apo Kushtetutën, ka të bëjë edhe me atë se çfarë lloj vendi duam të jemi, kështu ka deklaruar deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi për seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese ku duhet të zhvillohet debati për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Maqedonia është atdhe për të gjithë ne. Nuk është vetëm një territor – është një histori e jetës së përbashkët, e sfidave të përbashkëta në të mirë dhe në të keq. Dhe në atë histori të përbashkët gjuha është simbol i shpirtit tonë, dinjitetit dhe lirisë sonë”, thekson Bytyqi.

Për sa i përket gjuhës maqedonase, unë, shton Bytyqi si shqiptar, e pranoj kuptimin dhe vlerën e saj për popullin maqedonas.

E pranoj edhe urtësinë e Krste Misirkovit, i cili ka thënë: “Të heqësh dorë nga gjuha kombëtare, do të thotë të heqësh dorë nga shpirti kombëtar dhe nga vetja”, këto fjalë më frymëzojnë të shtoj se e njëjta e vërtetë vlen për të gjitha gjuhët në këtë vend, pavarësisht se në cilën gjuhë flasim, maqedonisht, shqip apo ndonjë tjetër.

“Në këto momente, kur është në pikëpyetje vetë mundësia e përdorimit të gjuhës shqipe, jam i vetëdijshëm se ndoshta nesër dikush do të përpiqet të më mbyllë zërin. Por gjuha është më shumë se fjalë, është identiteti ynë, e drejta jonë për të qenë ata që jemi dhe besimi ynë në barazi. Të flasësh gjuhën shqipe në këtë vend do të thotë të besosh në një atdhe të përbashkët ku diversiteti vlerësohet si pasuri. Maqedonia është më e fortë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e saj, në të gjitha gjuhët, thotë Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat