Kryetari i Kuvendit të RMV-së Afrim Gashi, tha se shtëpia ligjvënëse është e gatshme në çdo moment të nisë procesin e ndryshimeve kushtetuese, por shtoi se nevojitet konsensus dhe vullnet politik që procesi të ecë përpara në përputhje me standardet e BE-së dhe të mos pengohet nga çështjet bilaterale.
Ai vlerëson se vendi është në ngushticë kohore dhe se duhet të gjendet formula e vërtetë se si do të veprohet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gashi, në fjalimin e tij në Konferencën e Shtatë Plenare të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për avancimin e procesit të integrimeve evropiane dhe vlerësoi se çdo vend që dëshiron të bëhet anëtari i BE-së duhet t’i zgjidhë çështjet dypalëshe pa ndikuar në përpjekjet për të realizuar integrimin evropian.
“Unë besoj fuqimisht se zgjerimi është i mundur nëse rajoni është i lidhur ngushtë me BE-në përmes lidhjes së vlerave të përbashkëta, demokracisë. Forcimi i lidhjeve me fqinjët është pjesë e patjetërsueshme e strategjisë sonë të integrimit evropian”, tha Gashi.
Sipas tij, progresi i Shqipërisë, megjithëse ka pasur një avantazh në raport me Maqedoninë e Veriut, duke marrë parasysh kushtet e njohura, megjithatë, thotë ai, tregon se BE-ja është serioze për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor dhe se është e interesuar në një rajon të qëndrueshëm dhe të integruar.
Gashi përkujtoi se Kuvendi është duke punuar vazhdimisht në miratimin e ligjeve dhe reformave të nevojshme për harmonizimin e legjislacionit dhe se do të vazhdojë të jetë partner besnik dhe i palëkundur për arritjen e këtij qëllimi strategjik.