Duhet ta mbrojmë procesin e inkuadrimit drejt BE-së nga bilateralizimi i mëtutjeshëm, sepse ky po bëhet problem edhe për vetë Bashkimin Evropian, tha në intervistë për Agjencionin Informativ të Lajmeve ministri i Çështjeve evropiane, Orhan Murtezani.
“Bilateralizimi i procesit të negociatave inkuadruese në Bashkimin Evropian nuk po bëhet problem vetëm për vendet kandidate, por po fillon të bëhet problem serioz edhe për vetë Unionin, posaçërisht kur gjatë mbylljes së kapitujve të Malit të Zi edhe Kroacia paralajmëroi disa bllokime të caktuara. Gjithashtu, edhe për vende të tjera kandidate në paralajmërim ka disa bllokime të caktuara dhe bilateralizimi i procesit të inkuadrimit në Bashkimin Evropian nuk krijon dëm vetëm për vendet kandidate, por edhe për Bashkimin Evropian”, tha Murtezani.
Ai thekson se vendet-anëtare dhe institucionet të cilat e përfaqësojnë Unionin janë të vetëdijshëm për këto probleme dhe argumentet tona i dëgjojnë me vëmendje të madhe.
“Ne disa herë së bashku me kryeministrin kemi tentuar të sqarojmë se obligimet e ndërmarra lidhur me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese qëndrojnë si të tilla, ekziston vullnet politik dhe gatishmëri që ato të miratohen, megjithatë ne duhet ta mbrojmë procesin nga bilateralizimi i mëtutjeshëm, posaçërisht nga një arsye shtesë sepse dizajnimi i procesit të inkuadrimit është gjatë zbatimit të dia reformave të caktuara dhe disa standardeve evropiane”, theksoi Murtezani.
Sipas tij, nuk ka kurfarë kuptimi nëse këtë proces ne e shtyjmë në bazë të disa ngjarjeve të caktuara historike të shekujve 11, 12 apo 13-të.
“Prandaj, nëse procesi duhet të na bëjë vend kredibil për hyrje në Bashkimin Evropian procesi duhet tëkahëzohet drejt reformave dhe arritjes së standardeve. Për këtë ka mirëkuptim në Bruksel, ka mbështetje jo vetëm në rastin tonë dhe më gjerë për t’u zgjidhur. Na mbetet neve përmes nismave bilaterale të shpresojmë se këto tentime në Bullgarinë fqinje do të përfundojnë me qeveri politike solide stabile me të cilën do të ulemi të bisedojmë sepse marrëveshjet bilaterale krijojnë obligime për të dyja palët, ndërsa me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi Bullgaria është e obliguar të na mbështesë, dhe jo të na bllokojë”, tha ministri i Çështjeve Evropiane.