Tragjedia në Koçan/ Ky është vendimi që mori gjykata ndaj ish-ministrit të Ekonomisë – detajet e reja

Maqedonia

Tragjedia në Koçan/ Ky është vendimi që mori gjykata ndaj ish-ministrit të Ekonomisë – detajet e reja

Më: 16 mars 2025 Në ora: 08:51 Përditësuar në ora: 09:40 më 18.03.2025
Foto nga vendngjarja

Paraburgim prej 48 orëve për Bekteshin, ish-drejtorët Trajkovski dhe Maksuti, si dhe 11 persona tjerë të dyshuar për zjarrin në Koçan

Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar “paraburgim afatshkurtër” prej 48 orësh për ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski, ish-drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, si dhe 11 persona të tjerë të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan.

“Gjykata në Koçan pranoi kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit afatshkurtër për të 14 të dyshuarit. Është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh”, njoftoi mëngjesin e sotëm për AIM nga Gjykata Themelore e Koçanit.

Siç shtojnë ata, Gjykata është duke vepruar sipas propozimeve të Prokurorisë, lidhur me zjarrin në “Pulse” në Koçan, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 u lënduan.

Prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski ka njoftuar se në lidhje me zjarrin në lokalin e natës Pulse në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, po punohet për ndjekjen urgjente të 14 të dyshuarve.

Ai bëri të ditur se ata dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë publike” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej së paku tre vjet pa kufi të sipërm dënimi, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Ai gjithashtu tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit, si dhe prokurimi i paligjshëm i lëndëve piroteknike.

“Deri më sot po punohet për përpunimin urgjent të 14 personave të siguruar nga veprimet tona të deritanishme. Sa i përket këqyrjes, mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe vijojnë analizat shtesë dhe ekspertizat nga zona përkatëse, tha ai, duke shtuar se ekziston mundësia që këtë javë të inicohet procedurë hetimore”, tha Kocevski.

Lidhur me tragjedinë në Prokurorinë Publike të Koçanit janë marrë në pyetje ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe një person tjetër. Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dhe siç ka njoftuar Prokuroria, do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

“Kryetari i komunës është marrë në pyetje dhe ka dhënë disa sqarime dhe informacione. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e mëtutjeshëm të saj në procedurë”, njoftoi Prokuroria.

Sipas hetimeve të deritanishme të institucioneve, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe aparate zjarrfikëse të mjaftueshëm. Në të materialet piroteknike përdoreshin në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as licencë të ligjshme operimi, si dhe nuk ishte lidhur asnjë marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Tragjedia në Koçan, studentët sot protestojnë në Shkup

Në sheshin “Maqedonia” në Shkup, sot në orën 18:00 është paralajmëruar protestë e studentëve në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Koçan.

59 persona humbën jetën pas zjarrit që kaploi një diskotekë në këtë qytet.

Qytetarët në Koçan të Maqedonisë së Veriut protestuan edhe të hënën ku kërkuan përgjegjësi për këtë tragjedi.

Protestuesit të revoltuar nisën marshin protestues nga Parku i Qytetit, ndërsa më pas vazhduan para objektit të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Koçanit.

“Kërkojmë drejtësi” dhe “vrasës” ishin thirrjet e qytetarëve.

Protesta bazhdoi  edhe para një lokali i cili sipas protestuesve ishte i pronarit të klubit të natës tashmë të shkrumbuar. Gjithashtu përmbysën një makinë që sipas protestuesve është i pronarit të klubit, shkruan ALsat-M.

Protesta u zhvilluan edhe para shtëpisë private kreut të Komunës së Koçanit Lupço Papazov, i cili më herët gjatë ditës dha dorëheqjen. Qytetarët hodhën gurë dhe vezë në drejtim të banesës së tij.

Koçan/ Ish-ministri Kreshnik Bekteshi me pranga në duar, dërgohet në Gjykatë

Para pak çastesh, ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi është dërguar te gjykata në Koçan, i shoqëruar nga Policia, shkruan Alsat.

Media, në një lidhje direkte nga atje, sjellë pamje kur Bekteshi dhe të tjerët arrijnë në Gjykatë.

Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për ngjarjen tragjike në Koçan, ku humbën jetën nga zjarri në diskotëkë, 50 persona dhe mbetën të lënduar 155 të tjerë.

Po vazhdojnë protestat.

Momenti kur ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, merret nga Policia për t’u dërguar para gjykatës në Koçan

Media ka siguruar pamje nga momenti kur ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, është marrë nga Policia për t’u dërguar para gjykatës në Koçan.

Bekteshi, është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në Koçan, ku si pasojë e djegies së diskotekës, kanë humbur jetën 59 persona dhe janë lënduar 155 të tjerë.

 

Tensionohet protesta në Koçan, protestuesit të revoltuar gjuajnë me vezë në drejtim të godinës së Gjykatës

Protestuesit në Koçan në shenjë revolte kanë filluar të gjuajnë me vezë në drejtim të godinës së Gjykatës.

Ata kërkojnë nga autoritet që të zbardhet rasti dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

 

I dyshuar për zjarrin në Koçan, por ai thotë se është hero pasi ka shpëtuar 200 të rinj

Ngjarjet në Koçan sjellin shumë të pavërteta dhe dyshime rreth ngjarjeve makabre. Policia sot ka ndaluar disa persona dhe njëri ndër ta në pyetjen, a ndjeheni fajtor thotë se ndjehet si hero pasi ka shpëtuar 200 të rinj.

“Nuk ndihemi fajtorë, ne jemi heronj, shpëtuam 200 njerëz. Unë qëndrova deri në momentin e fundit në zjarr për t’i nxjerrë të gjithë fëmijët, për t’i shpëtuar si të ishin të mitë. Kam dy fëmijë të mitur” tha njëri nga të dyshuarit për zjarret i cili përcillej në stacionin policor, me duar të lidhura dhe në shoqërim të policisë. 

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se janë duke kryer procedura penalo juridike lidhur me fajtorët dhe të dyshuarit për zjarret në diskotekë.

“Aktualisht, 23 persona janë të dyshuar, 11 janë në paraburgim dhe nuk do të ndalemi këtu, siç qëndron puna. Gjatë ditës së sotme, nuk do të ndalemi me veprimet procedurale, pra kemi konstatuar se sistemi në Maqedoni është i korruptuar në atë nivel sa mund të themi se kemi një situatë katastrofale në aspektin e veprimit të një numri të madh institucionesh, të cilat sipas ligjit është dashur të ndjekin vënien në funksion të diskotekës, veçanërisht në pjesën e mbrojtjes nga një zjarr i mundshëm. Për këtë arsye, edhe gjatë ditës së sotme do të ketë një numër të madh personash që do të arrestohen, si nga MPB, ashtu edhe nga institucione të tjera. Por tani nuk do të doja të zbuloja detaje,” deklaroi Toshkovski.

Përndryshe, të vdekur deri tani janë 59 njerëz ndërsa numri i të lënduarve nëpër spitale është mbi 130.

Toshkovski: Mjetet piroteknike që shkaktuan zjarrin në Koçan janë sjell nga anëtarët e bendit

Ministri i Punëve të Brendshëm, Pançe Toshkovski sot në një konferencë për shtyp tha se sipas informacioneve shëndetësore 45 nga të lënduarit janë në gjendje kritike, janë duke u transportuar jashtë vendit dhe qeveria po përpiqet t’u sigurojë kujdesin dhe trajtimin e duhur.

“Dje, më 16 mars, Maqedonia u godit nga një tragjedi e tmerrshme në të cilën 59 persona humbën jetën, ndërsa 163 u lënduan nga përdorimi i mjeteve piroteknike, ndërsa në objekt ishin gjithsej 500 persona, ndërsa 250 bileta u shitën”, tha Toshkovski.

Toshkovski tha shkaktar të shpërthimit të zjarrit ishin mjetet piroteknike.

“Mjetet piroteknike që shkaktuan zjarrin në diskotekën e Koçanit janë siguruar dhe sjellë nga anëtarët e grupit që po performonte”, tha Toshkovski.

Ai njoftoi se në bashkëpunim me SPB Shkup dhe SPB Tetovë janë marrë aksione ku janë ndaluar disa persona.

Toshkovski tha se objekti nuk ka pasur licencë, ndërsa përgjegjësi për lëshimin e saj është Minsitria e Ekonomisë.

Ai tha se gjatë hetimeve të djeshme janë konstatuar shumë lëshime dhe parregullsi në lidhje me objektin i cili nuk ka plotësuar kushtet për diskotekë.

Toshkovski tha se MPB nuk ka qenë e njoftuar se në Koçan do të organizohet një ngjarje e tillë dhe se nuk është kërkuar sigurim.

Toshkovski tha se dje është thirrur në polici edhe kryetari i Koçanit, dhe nëse do të konfirmohet ndonjë parregullsi do të ketë përgjegjësi.

Dorëhiqet kryetari i Koçanit, Lupço Papazov

Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të Komunës së Koçanit. Kështu e nis dorëheqjen e tij nga detyra kryetar i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov, ndërsa kërkon nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve! Mosveprimi është gjithashtu përgjegjësi.

“Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të Komunës së Koçanit. Kjo humbje është e madhe!

Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që ndiejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Shumicën prej tyre i njihja, i njihja edhe familjet e tyre, madje me disa prej tyre ishim edhe miq familjarë.

Shoku dhe thyerja që ndiej do të zgjasin gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë Koçanin dhe gjithë Maqedoninë në zi, ndërsa boshllëku që ka mbetur është i pangushëllueshëm.

Kërkoj nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve! Mosveprimi është gjithashtu përgjegjësi. Duhet të hetohen të gjitha detajet, të zbulohen të gjitha mangësitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë vë veten në dispozicion të plotë të institucioneve”, thuhet në njoftimin e Papazov.

E rëndë: Vdes shoferi i autoambulancës që transportoi të lënduarit e tragjedisë në Koçani

Një shofer autoambulance nga Koçani ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, i cili gjatë gjithë natës ka transportuar të lënduarit nga zjarri i tmerrshëm në një diskotekë të kësaj qyteze në lindje të vendit.

Bëhet fjalë për vozitës shumëvjeçar të ambulancës në Emergjencën e Koçanit.

Siç transmeton portali “Metropola”, Ile Gocevski ka ndërruar jetë në orët e vona të mëngjesit të sotëm pasi kishte shkuar në shtëpi për të pushuar pas një dite të vështirë dhe të gjatë duke transportuar persona të lënduar.

Të kujtojmë, zjarri i tmerrshëm që shpërtheu të dielën, pak para orës tre të mëngjesit, përfshiu 1.500 njerëz në diskotekën “Pulse” në Koçan. Në zjarr u plagosën 155 persona, ndërsa të paktën 59 persona humbën jetën.

Dëshmitarët okularë tregojnë se në ndërtesën e diskotekës kishte vetëm një dalje dhe ajo ishte mjaft e vogël, ndërkohë që zjarri u përhap me shpejtësi.

Kush ishte këngëtari maqedonas që vdiq duke shpëtuar të tjerët nga zjarri në diskotekën e Koçanit?

Një tragjedi e rëndë goditi Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr shkatërrues në klubin e natës “Pulse” në Koçan mori jetën e të paktën 59 personave.

Mes viktimave ishte edhe Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e grupit të njohur hip-hop DNK.

Sipas dëshmitarëve, Gorgievski fillimisht arriti të dilte nga ndërtesa në flakë, por u kthye brenda për të shpëtuar të tjerët.

Fatkeqësisht, një pjesë e tavanit u shemb mbi të, duke e bllokuar bashkë me dhjetëra persona të tjerë, përfshirë edhe të mitur që kishin ardhur për koncertin.

Ai la pas një familje të pikëlluar dhe vajzën e tij dhjetëvjeçare, Janën. Trupi i tij u identifikua nga gruaja dhe nëna e tij, përpara se të dërgohej për autopsi.

Kush ishte Andrej Gorgievski? 

I lindur dhe rritur në Shkup, Andrej Gorgievski ishte një nga figurat kryesore të muzikës hip-hop maqedonase. Ai e themeloi DNK në fillim të viteve 2000 së bashku me Vladimir Blažev (Panço), i cili i mbijetoi zjarrit por ndodhet në spital me djegie të rënda.

Gorgievski ishte autor i shumë hiteve të DNK, një grup i njohur për temat sociale, miqësinë dhe dashurinë në tekstet e tyre. Disa nga këngët më të njohura të grupit janë Fala, Ako utre me nema, Srce, Amajlija dhe Romani.

Këngëtarja e njohur maqedonase Kaliopi i kushtoi një postim prekës në rrjetet sociale: “Andrej… Zemra ime po copëtohet. Humanizmi yt shkëlqeu edhe në çastet e fundit, duke shpëtuar jetë. Nuk duhej të ishte kështu… Ndihem e pikëlluar dhe e zemëruar”.

Tragjedia preku edhe anëtarë të tjerë të grupit DNK. Përveç Andrejit, u konfirmua vdekja e tastieristit Filip Stefanovski, kitaristit Aleksandar Kolarov, bateristit Gorđi Gorđiev dhe vokalistes mbështetëse Sara Projkovska. Mes viktimave ishin gjithashtu beatboxeri Martin Atanasovski (Martin Buco) dhe Igor Velkov, një tjetër baterist i grupit.

Me 500 persona të pranishëm në klubin “Pulse” në momentin e zjarrit, autoritetet po hetojnë shkaqet e tragjedisë, ndërsa vendi po vajton humbjen e disa prej artistëve më të dashur të skenës muzikore maqedonase.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat