Shkollat e rajonit të Mitrovicës furnizohen me lëndë djegëse, shumica prej tyre përdorin drurin për ngrohje

Mitrovica

Shkollat e rajonit të Mitrovicës furnizohen me lëndë djegëse, shumica prej tyre përdorin drurin për ngrohje

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 12:18
Ilustrim

Tashmë kur kemi hyrë në muajt kur temperaturat janë të ulëta dhe moti ka filluar të ftohet, një ndër pjesët kyçe të shkollave është furnizimi me lëndë djegëse për ngrohje.

Shkollat e rajonit të Mitrovicës tashmë e kanë tejkaluar këtë sfidë sepse e kanë bërë sigurimin e këtyre lëndëve djegëse, duke filluar kështu nga qyteti i Mitrovicës.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, ka thënë se të gjitha shkollat e Mitrovicës janë furnizuar me lëndë djegëse.

“Të gjitha shkollat e Mitrovicës janë furnizuar me lëndë djegëse”, ka thënë Kadriu.

Kadriu ka thënë se nga lëndët djegëse të siguruara janë druri, peleti dhe nafta, por sipas saj, në shkollat e qytetit druri përdoret më së shumti për ngrohje.

“Shkollat e Mitrovicës më së shumti shpenzojnë dru për ngrohje”, ka bërë të ditur ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës ka treguar se janë investuar 182 mijë euro në këtë drejtim.

Kadriu ka shtuar se furnizimi me lëndët djegëse për shkollat e Mitrovicës është bërë gjatë muajve gusht-shtator.

“Nuk kemi pasur asnjë vështirësi, sepse procedurat kanë filluar në mars 2024, dhe furnizimi ka ndodhë gjatë muajit gusht-shtator”, ka përfunduar ajo.

Po ashtu edhe shkollat e Vushtrrisë janë furnizuar me lëndët djegëse.

Kështu ka thënë drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj.

“Të gjitha shkollat e Vushtrrisë janë furnizuar me lëndë djegëse”, ka thënë Tahiraj.

Tahiraj ka thënë se shkollat në Vushtrri më së shumti shpenzojnë dru për ngrohje, derisa bën të ditur se përdoret edhe peleti.

Ai ka shtuar se për sigurimin e lëndëve djegëse janë investuar 219 mijë euro. Më tej, Tahiraj ka theksuar se furnizimin me lëndë djegëse e kanë bërë me kohë.

“Nuk kemi vështirësi, sepse kemi kontratë kornizë me afat 3 vjeçar dhe furnizimet i kemi bërë me kohë”, ka përfunduar drejtori për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj.

Lëndët djegëse për ngrohje i kanë siguruar edhe shkollat e qytetit të Skenderajt.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Skenderajt, Kastriot Durku, për Telegrafin ka thënë se lëndët djegëse janë siguruar me kohë.

“Në të gjitha shkollat e Komunës së Skenderajt me kohë janë siguruar lëndët djegëse”, ka thënë Duraku.

Ai ka thënë se shumica e shkollave në Skenderaj ngrohen me dru, derisa ka shkolla që përdorin edhe pelet e naftë.

Sipas tij, furnizimi me lëndë djegëse për shkolla është realizuar për tre javë. Duraku ka bërë të ditur se për këtë çështje janë investuar gjithsej 290 mijë euro.

“Vlera monetare e investimit me lëndë djegëse është: 290,000 euro”, ka përfunduar drejtori për Arsim në Komunën e Skenderajt, Kastriot Duraku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat