Për supersticiozët numri 13 sjell ters, po ashtu edhe dita e premte, por edhe kur bëhen bashkë këto dyja, si dita e sotme, njërëzit mundohen të shmangin lëvizjet, të shtyjnë takimet për një ditë tjetër.
Sipas vlerësimeve, më shumë se 60 milionë persona në të gjithë botën ndikohen shumë nga kjo ditë dhe preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.
Data 13 dhe e premtja konsiderohen secila si ters, por kur bashkohen, kombinimi është “katastrofik”.
Nëpër disa linja ajrore, prej kohësh radha 13 nuk figuron më. Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e kombinimit të kësaj date dhe dite.
Numri 13 është numër ters që thyen numrin e plotë 12. Dymbëdhjeta shihet si numër i plotë, si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhamedit në besimin islam shiit, 12 shenjave të zodiakut e të tjera.
Sa i përket së premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit XIV. Gjithashtu e premte ishte edhe dita e kryqëzimit të Jezu Krishtit.
Pse numri 13 konsiderohet kaq i pafat sipas historianëv, Studiuesit tregojnë se të paktën 10% e popullsisë amerikane është e frikësuar nga numri 13, dhe aq më tepër kur data 13 përkon me ditën e premte.
Njerëzit shmangin martesën në këtë datë, udhëtimet janë të pakta, madje dhe ditët e punës. Por çfarë ka kaq të pafat numri 13 dhe si ka filluar ky supersticion numerik?
Miti i hershëm përreth origjinës së frikës është përfshirë në një nga dokumentet më të vjetra ligjore në botë, Kodi i Hamurabit, në të cilin thuhet se mungon ligji i 13 nga lista e rregullave ligjore.
Por në fakt, lënia jashtë e këtij ligji nuk ishte gjë tjetër veç se një gabim klerik i bërë nga një prej përkthyesve më të hershëm të dokumentit i cili nuk përfshiu një linjë të tekstit.
Trembëdhjeta përgjithësisht konsiderohet ters dhe ngjarja më famëkeqe e këtij numri vjen nga Bibla. Juda, i cili tradhtoi Jezusin, ishte mysafiri i 13 që u ul në Darkën e Fundit. Nga ana tjetër, as e premtja nuk konsiderohet si ditë e mirë, referuar edhe kryqëzimit të Jezusit në po të njëjtën ditë. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera, e premtja njihej si Dita e Xhelatit, sepse ekzekutoheshin njerëzit e dënuar me vdekje.
Të tjerë i referohen ditës kur mbreti Filip IV ekzekutoi me qindra kalorës pjesëmarrës në kryqëzatat e Jeruzalemit.
Fobia nga dita e premte, datë 13 njihet si Paraskevidekatriaphobia dhe është bashkim i dy fobive: fobia nga numri 13 dhe fobia nga dita e premte.
Përsa i përket numrit 13, është një nga besëtytnitë më të përhapura sa gjerësisht nëpër pallate ndodh të mos shënohet kati i 13. E njëjta gjë edhe me avionët ku në disa raste nuk ka vende me numrin 13. Njerëzit refuzojnë të udhëtojnë në këtë datë dhe avionët nisen thuajse bosh.