Në Berlin të Gjermanisë, para ca ditësh, u takuan liderët e katërshës së madhe, apo katër shteteve më të fuqishme të NATO-s dhe Perëndimit: Kancelari i Gjermanisë, Scholz, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Starmer, Presidenti i Francës, Macron, dhe Presidenti i SHBA-së, Biden. Tema kryesore e atij takimi të lartë thuhet se ka qenë lufta në Ukrainë, kriza në Lindjen e Mesme, status quoja ose kriza në Kosovë, etj... E sidomos paqja dhe siguria botërore.
Kjo ishte edhe vizita e fundit e Joseph (Joe) Bidenit si President i SHBA-së në Berlin.
Skenën, "mozaikun" ose "panoramën" e njohur politike dhe diplomatike të globit, ende vazhdojnë t’i preokupojnë dhe sfidojnë lufta e përgjakshme, imperiale, kriminale, gjakatare dhe apokaliptike e Rusisë kundër Ukrainës, së bashku me luftën dhe krizën e re në Lindjen e Mesme, në mes të Izraelit dhe Palestinës, etj.
Ndërkohë, që luftën në Ukrainë sikur e bën edhe më të rrezikshme dhe më të komplikuar poliferacioni ose dislokimi i raketave amerikano-britanike "Atacms" dhe "Shadow" me rreze ose radius veprimi prej 300 ose 250 kilometrash, si dhe paralajmërimi i poliferimit të mundshëm të sistemit raketor gjerman, "Taurus" (më modern në botë) në luftën e Ukrainës, me radius ose rreze veprimi prej mbi 500 kilometrash, i cili do të ishte në gjendje të arrinte ose bombardonte edhe Moskën ose Shën Petersburgun dhe qëndrat ose metropolet e tjera të Rusisë.
U mor vesh se lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare i kanë kthyer sërish në kohën e Luftës së Ftohtë dhe konfrontimeve të njohura bipolare ose bllokiste. Për të mos thënë buzë infarktit, bankrotit ose fiaskos totale.
Bëhet fjalë për luftën ose konfliktin e njohur në mes të demokracisë së lartë perëndimore (kapitaliste) dhe gjeopolitikës ruse, kineze dhe të tjerëve.
Gjeopolitika, sipas politologjisë (shkencave politike), ka kuptimin e shtrirjes ose zgjerimit të hapësirës jetësore (gjeografike) me anë të luftës dhe aparatit të njohur autoritar, militarist dhe totalitarist.
Kështu, në Rusi, në mënyrë radikale dhe absolute ka ndryshuar gjeopolitika, strategjia dhe mentaliteti i dikurshëm sovjetik në kuptimin e krijimit të politikës dhe diplomacisë së përbashkët ruso-sovjetike, ku Rusia, Ukraina dhe të tjerët, i takonin dikur orbitës dhe nënqiellit të njëjtë, dhe ku rusët ishin të bindur se në Ukrainë (Kiev) e kishin djepin e shtetit, kulturës dhe fesë së tyre. Por, ja që doli e kundërta. Ndodhi lufta në Ukrainë dhe zhvendosjet ose deportimet masive të rusëve nga Ukraina dhe ukrainasve nga Rusia. Rusët janë të bindur se e kanë ngritur, projektuar, formuar dhe ndihmuar Ukrainën në të gjitha fushat e mundshme, e jo SHBA-në ose Perëndimin.
Numri i rusëve në Ukrainë sikur u reduktua ndjeshëm nga Volodymyr Zelensky, Yulia Tymoshenko dhe liderë të tjerë nga Ukraina. Duke veçuar këtu përkujdesjen e vazhdueshme ose sistematike të Moskës zyrtare për statusin dhe pozitën e gjithëmbarshme të rusëve jashtë kufijve të Rusisë.
Ukraina, Lindja e Mesme dhe krizat e tjera gjithandej globit: Njëherë e përgjithmonë e kanë ndryshuar botën.
Rusia vazhdon të shënojë suksese të vazhdueshme në fushën ose frontin e luftës në Ukrainë, ndërkohë që Volodymyr Zelensky dhe gjeneralët ose admiralët e tij vazhdojnë të hartojnë plane për të fituar luftën me ndonjë "status quo", "pat-pozicion" etj...?!
Edhe vet bota e sotme ultramoderne ose neobashkëkohore, në të cilën njeriu cilësohet si një "mikrokozmos", sikur është bërë pashmangshëm një "megapolon luftërash" ose "makrosferë interesash", e cila nuk është e përbërë nga asgjë tjetër përveç "vullnetit" ose sëmundjes së pashërueshme për pushtim, sundim dhe dominim ushtarak (luftarak), politik, territorial ose gjeografik të atyre që janë më të fuqishëm ndaj atyre që janë më të vegjël dhe më të dobët. Nga ky "rreth vicioz" ose biocenoz, nuk është i përjashtuar askush.
E formuluar ose përshkruar me gjuhën e "formulave" ose "doktrinave të reja" politike, ushtarake dhe të rusëve dhe të tjerëve: Kjo do të thotë se nga ish "Lufta e Ftohtë" dhe konfrontimet e dikurshme bipolare ose bllokiste në mes Lindjes dhe Perëndimit, bota ose civilizimi ynë, sikur janë futur ose kanë kaluar në një cikël ose kapitull të rrezikshëm luftërash ose konfrontimesh të reja multipolare ose 'subllokiste' (lëxo: aleancat e lëvizshme ose hektike në mes të Rusisë dhe Kinës dhe të tjerëve, kundër SHBA-së, NATO-s ose Perëndimit), të cilat mund të jenë akoma më të rrezikshme se sa ish "Lufta e Ftohtë" dhe konfrontimet e dikurshme bipolare ose dybllokiste. Duke menduar ose reflektuar në luftërat e vazhdueshme ose sistematike për kontrollin dhe menaxhimin e vlerave, resurseve, tregut, kapitalit dhe shoqërisë globale ose universale.
Ç’është e vërteta, sipas Presidentit të Rusisë, z. Putin: Shpërbërja ose dislokimi (dekompozicioni) i ish BRSS-së, ishte njëra prej padrejtësive dhe fatkeqësive më të mëdha në historinë e përgjithshme të marrëdhënieve ndërkombëtare që duhet kompensuar, riparuar ose rikuperuar patjetër. Qoftë kjo edhe përmes luftërave, komplotëve dhe shantazheve të ndryshme (si lufta në Ukrainë etj.) që kanë për qëllim rishikimin (revidimin) e përgjithshëm të historisë botërore. Kuptohet edhe me ndihmën e Kinës, Iranit, Indisë, regjimeve të ndryshme diktatoriale dhe despotike në Korenë e Veriut, Amerikën Latine, etj.
Edhe përplasjet e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë ose Perëndimit me Rusinë dhe Kinën, në esencën ose substancën e tyre, janë luftëra ose konflikte të vazhdueshme ose sistematike për dominime ose monopole të njohura strategjike, gjeopolitike dhe të tjera në Indopacifik ose Detin Jugor të Kinës, në Guam dhe Busan të Koresë, Tajvan, Singapur, ishujt Parcell, Vietnam ose Indokinë, ku thuhet se ndodhen më shumë se 15 ose 30 miliardë barela ose rezerva të naftës dhe benzinës, në Detin e Zi ose Kaspik, Polin e Veriut ose Arktik, ku thuhet se ndodhen rezervat ose resurset më të mëdha të gazit natyror, naftës, etj., në Gjirin e njohur Persiko-Arabik, Kosovë (Ballkan), në Afrikë, e sidomos në Mali, Libi, Eritre, Abisini (Etiopi), Nigeri, Somali, Algjeri dhe Tunizi, ku ndikimet, influencat ose penetrimet ruso-kineze janë të shumëta dhe të shumëfishta për faktin se në Afrikë, thuhet se ndodhen rezervat ose resurset e pafundme të rubinëve, safirëve, xhevahireve të shumta ose diamantëve, plus naftës dhe benzinës.
Ndaj, edhe vetë "Samiti i madh" i Berlinit mund të shihet ose konsiderohet si "ultimatum" ose "urbi et orbi" në kuptimin e stacionimit ose poliferimit të mundshëm të sistemit të famshëm gjerman "Taurus" në favor të Ukrainës, për t'i diktuar ose imponuar përfundimin e luftës - Rusisë.
Presidenti Putin dhe bashkëpunëtorët e tij duan që të fitojnë sa më shumë territor në luftë para inaugurimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, në Uashington DC. Presidenti Trump e ka paralajmëruar fundin e luftës së Ukrainës.
Rusët vazhdojnë të mbajnë në okupim ushtarak mbi 25% të territorit të Ukrainës, ku thuhet se janë kryer edhe spastrimet etnike dhe forma të tjera etno-gjenocidale përmes zhvendosjes ose shpërnguljes masive të ukrainasve, dhe ku sot mbi 99% e territorit është e përbërë nga ardhacakët ose kolonistët rusë në Krime, Donbas, Luhansk dhe zona të tjera sovrane dhe legjitime të Ukrainës të okupuara nga Rusia e fuqishme ushtarake, nukleare ose atomike.
Rusët dhe gjermanët janë dy popujt më të mëdhenj të Europës. Numri i përgjithshëm i rusëve në Rusi, Ukrainë dhe gjithandej... tejkalon numrin e mbi 150 milionëve.
Ndërkaq, vetëm në SHBA, supozohet se jetojnë diku afro 90 milion shtetas ose qytetarë amerikanë me origjinë gjermane. Në Gjermani, afro 80 milion gjermanë; në Austri afro 8 milion; në Zvicër, Francë, Belgjikë, Danimarkë, Shlez, Moravi, Sudete, Kleipede, Rusi, Transilvani (Besarabi); dhe rajone të tjera gjithandej Europës, me miliona gjermanë.
Kancelari Scholz dhe kabineti i tij mendojnë dhe supozojnë se dislokimi ose poliferimi i "Taurusëve" gjermanë në Ukrainë do të nënkuptonte edhe inkuadrimin estern ose interaktiv të Gjermanisë në luftën e Ukrainës.
Dikur në Gjermani ishin të dislokuar ose stacionuar 400,000 ushtarë të Natos, nga të cilët më shumë se gjysma e tyre ishin ushtarë amerikanë. Nga viti 2006 dhe deri në 2018, ishin 74,000 ushtarë amerikanë.
Pesha dhe rëndësia strategjike e Gjermanisë:
Pesha dhe rëndësia strategjike dhe gjeopolitike e Gjermanisë për SHBA-në dhe vetë Paktin e Natos ka qenë gjithmonë kruciale dhe jetike.
Shtabi i Përgjithshëm ose Qendra Komanduese e Ushtrisë Amerikane për Europën (US European Command - EUCOM) është i vendosur në Gjermani, prej nga bëhet shpërndarja, dislokimi dhe koordinimi i trupave amerikane në 51 shtete të botës, përfshirë Kosovën.
Bëhet fjalë për miqtë dhe aleatët kryesorë të SHBA-së në Europë dhe në të gjithë botën.
Se këndejmi, detyra ose misioni kryesor i EUCOM-it amerikan është mbrojtja e interesave strategjike dhe gjeopolitike të SHBA-së dhe aleatëve të tyre me anë të intervenimeve ose ndërhyrjeve preventive. Por, nuk përjashtohen as metodat e frikës, panikut ose asgjësimit total të forcave kundërshtare ose armiqsore nëse është e nevojshme, si në luftën e Kosovës, etj.
Nën komandën e EUCOM-it ndodhen të gjitha forcat dhe gjinitë ushtarake të SHBA-së të stacionuara ose dislokuara në Europë: Flota Ajrore e Ushtrisë Amerikane (US Air Forces - Europe), Flota Detare e Ushtrisë Amerikane (US Marine Corps Forces - Europe) dhe kështu me radhë.
Sipas të dhënave ose vlerësimeve të konfiduara të Pentagonit dhe Ushtrisë Amerikane, në Gjermani aktualisht janë të dislokuar ose stacionuar 30,000 ushtarë amerikanë, të ndarë dhe sistemuar në pesë (5) garnizone të ndryshme, ndër të cilët edhe Korpusi ose Garnizoni i njohur për Europën dhe Afrikën (US Marine Corps of Europe and Africa) me seli në Böblingen (në afërsi të Stuttgartit) të Gjermanisë Jugperëndimore. Plus 9,600 pilotë ose pjesëtarë të forcave elite të Flotës Ajrore (US Air Force) të stacionuar në Ramstein dhe Spangdahlem.
Ndërkohë, roli dhe misioni i bazave ose garnizonëve të Ushtrisë Amerikane në Gjermani është insubordinues, respektivisht multilateral dhe kolateral.
Në bazat ose garnizonet ushtarake të SHBA-së në Gjermani, nuk janë të punësuar vetëm ushtarët dhe ushtarakët (oficerët) amerikanë, por edhe shumë qytetarë gjermanë, si në Ramstein, Spangdahlem, Böblingen, në Bazën e njohur "Bavaria" (Baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në të gjithë botën, me një sipërfaqe prej 390 kilometrash katrore ku punojnë afro 5,000 ushtarë dhe ushtarakë amerikanë së bashku me familjet e tyre, etj.) në kufi me Çekinë dhe gjetiu.
Ndërkaq, shteti dhe qeveria gjermane për nevojat dhe mirëmbajtjen e ushtrisë amerikane, nga buxheti i tyre shtetëror dhe nacional, për çdo vit ndajnë 250 milionë euro. Plus 480 milionë euro për shpenzimet dhe nevojat e ndryshme sanitare, infrastrukturore dhe të tjera të Natos.
Kriza ose acarimi amerikano-gjerman, thonë se ka ardhur për shkak të raketave ose 20 bombave nukleare ose atomike në bazën e njohur amerikane "Büchel" në Gjermani, si dhe këmbënguljes amerikane për ndarjen e "2%" të Gjermanisë nga buxheti i përgjithshëm për nevojat (buxhetin) e Natos, Ushtrisë Amerikane, etj.
Shteti dhe qeveria gjermane e kanë tejkaluar limitin e 2% për donacionin e tyre në NATO nga buxheti i përgjithshëm shtetëror dhe nacional.
Gjithashtu, Republika Federale e Gjermanisë, pas SHBA-së, është donatorja më e madhe dhe kryesore e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë imperiale dhe kolonialiste.
Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se bashkëpunimi, kooperimi, solidariteti ose moderniteti i njohur perëndimor i krijuar dhe ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, sikur janë vënë para sprovave dhe sfidave të reja kolaterale dhe multilaterale. Kjo edhe përkundër faktit se bashkëpunimi, kooperimi, solidariteti dhe urat e njohura lidhëse ose komunikueset të botës së zhvilluar perëndimore, industriale dhe kapitaliste, gjithmonë ose vazhdimisht ishin udhërrëfyes ose ylli ndriçues i ngadhënjimit dhe ndërtimit të botës së vlerave, mallrave dhe kapitalit të përbashkët, ku qeniet njerëzore ose politike do mund të zotërojnë më shumë lumturi, fatin e tyre jetësor, si dhe t’i mbarësojnë edhe fatet e të tjerëve. Aty pra ku secilit i mundësohet të zhvillojë aftësi vetjake, të arrijë dije, liri dhe pavarësi shtetërore, nacionale, politike, sipas formulës ose sintezës së njohur hegeliane, sipas të cilës: Çdo gjë e natyrshme është e logjikshme, sepse çdo gjë e logjikshme është e natyrshme.
Kështu që ju nuk mund të këpusni një lule nga "kopështi" i njohur global ose universale, pa shqetësuar një yll.
SHBA, NATO (Perëndimi), Kina dhe shembulli i Tajvanit:
Sipas analistëve dhe komentatorëve të specializuar dhe kompetentë, sulmi, invazioni dhe pushtimi (okupimi) ushtarak i Tajvanit nga Kina e fuqishme, njerëzore (ushtarake), nukleare ose atomike, si të thuash, është një çështje kohe ose dite.
Tajvani në arenën botërore qëndron akoma më keq se Kosova.
Ndërkaq, rinia e vlefshme, inteligjente, kreative, studentore, shkencore dhe akademike e Tajpehit (kryeqyteti i Tajvanit) ka kohë që e ka pasuruar botën me mikroçipët, mikrosistemet ose softuerët e ndryshëm digjitalë dhe super-elektronikë.
Në Kosovë, a ka ndodhur ndonjëherë ndonjë zhvillim të ri në fushën e zbulimeve dhe patenteve të ndryshme? "Made in Kosova", apo…?!
Ndryshe nga kjo, shumica e njerëzve të mençur, të ditur, të kualifikuar dhe inteligjentë e dinë pse (përse) dikur u pranuan si "maca në thes" "demarkacioni" dhe "asociacioni" (zajednica) ose "Republika e Dodikut" në Veriun e Kosovës ose Mitrovicës, përveç atyre që i dhanë falas mbretin dhe mbretëreshën në "shahun e madh politik dhe diplomatik"!
Përfundim:
Rusia, me afro 145 milion banorë, ka sipërfaqe shumë herë më të madhe tokësore, apo hapësirë jetësore ose gjeografike, sesa SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia ose e gjithë BE-ja së bashku.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë 330 milion banorë, ndërsa sipërfaqja tokësore ose gjeografike e SHBA-së është 9.8 milion kilometra katrorë. Republika Federale e Gjermanisë ka afro 83 milion banorë, ndërsa sipërfaqja tokësore ose gjeografike është 357,000 kilometra katrorë. Britania e Madhe ka afro 70 milion banorë, me një sipërfaqe tokësore ose gjeografike prej 243,000 kilometrash katrorë. Franca ka 68 milion banorë dhe një sipërfaqe tokësore ose gjeografike prej 551,000 kilometrash katrorë. Italia ka 59 milion banorë dhe sipërfaqe tokësore ose gjeografike prej 302,000 kilometrash katrorë. Ndërkaq, Kina ka afro 1.5 miliard banorë dhe hapësirën territoriale ose gjeografike prej 10.4 milion kilometra katrorë.
Ndërkohë që Rusia është shtrirë dhe zgjeruar vazhdimisht në dëm të popujve dhe vendeve të tjera joruse… Duke filluar me Kazanin dhe Astrahanin, për të vazhduar me Kaukazin, Detin e Zi, hapësirat dhe territorët e ndryshme në Detin Baltik dhe Skandinavik (në dëm të Finlandës, Suedisë dhe Norvegjisë), në Prusinë Lindore, në Kurllandi, Lituani, Volinjë, Podoblje, Dnjepër, Kurile ose Sahalinë e Japonisë, Kinës, Polonisë, Letonisë, Ukrainës dhe gjithandej. Plus lufta e re pushtuese, kriminale, imperiale ose kolonialiste kundër Ukrainës, dhe ndoshta nesër kundër Besarabisë (Moldavisë), Gjeorgjisë (Gruzisë) etj…???!!!
Diçka ose shumëçka në politikën dhe diplomacinë e Perëndimit, si duket, nuk shkon siç duhet.
Situata është shumë serioze, konfuze dhe kaotike:
Rusia është në epërsi enorme ose absolute në raport me Ukrainën, ku numri i ushtarëve ukrainas është në disproporcion total ose absolut (1:10) me ushtarët rusë. Mos të flasim këtu për epërsinë enorme të ushtrisë ruse në fushën teknike, luftarake, logjistike etj.
Në këtë prizëm, politologjia ose shkencat politike janë instancë, forum, institucion ose audiencë e lartë shkencore dhe humaniste – kundër evazionit, konfuzionit, errësirës (territ) ose mjegullës së madhe ushtarake (luftarake), politike, diplomatike, agjitituese, propagandistike etj.
Ironia tjetër është fakti se asnjë shtet, asnjë popull, ose asnjë komb në Europë, nuk është aq i pasur, aq i fuqishëm, aq i zhvilluar, aq i sigurtë dhe i kualifikuar, për të investuar dhe kontribuar njëkohësisht në luftën dhe në paqen eventuale në mes Ukrainës dhe Rusisë.
Në fakt, lufta e përgjakshme dhe apokaliptike në Ukrainë, së bashku me ndonjë përshkallëzim eventual, apo mbase edhe përplasja atomike në mes NATO-s dhe Rusisë, do ta bënin të pamundur inagurimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili nga Presidenti Biden dhe Administrata e tij, shihet si njeri i Putinit me planet ose projektet e tij sanitare, kozmetike ose kirurgjike të përfundimit të luftës në Ukrainë me krijimin e ndonjë "zone neutrale" ose demarkative që do e detyronte Ukrainën për të pranuar aktet dhe faktet e kryera.
Në instancë të fundit, të gjitha luftërat ose konfliktet e ndryshme, në radhë të parë, i shpalosin ose deshifrojnë dështimin e politikës dhe diplomacisë, së gabuar dhe të pakualifikuar.
Në këtë prizëm, sipas Nikolla Makiavellit, nuk mund të ketë ikje ose shpëtim nga lufta, por vetëm shtyrje ose armëpushime të ndryshme në dëm ose dobi të palëve në luftë ose konflikt.
Ndaj, ata që bëjnë gabime ose gafe të rënda në politikën e lartë ose diplomaci, si duket, akoma nuk kanë parë dhe mësuar asgjë nga lufta.
Ndonëse, sipas konceptëve, doktrinave ose teorive të njohura ushtarake dhe politike: Lufta është shumë serioze për t’ia besuar atë ushtarëve (ushtarakëve) ose komandantëve të luftës.
Ndaj, përfundimi ose parandalimi i luftërave ose konfliktëve të ndryshme me anë të politikës ose diplomacisë së kualifikuar, intelektuale, profesionale, inteligjente, komplementare, suplementale, gjithëpërfshirëse, kontemplative ose superlative, është shumë më i rëndësishëm dhe efektiv sesa protesta ose rezistenca kundër tyre.
Në fund të fundit, teoria dhe praktika e përgjithshme ushtarake ose luftarake, pos tjerash, sikur na bëjnë të ditur se armata ose ushtria, asnjëherë nuk i fitojnë luftërat ose konfliktet e ndryshme. Janë politika e lartë ose diplomacia e kualifikuar, intelektuale, profesionale dhe inteligjente që i fitojnë ato.