Mbretëria Shqiptare - promotori i Luftës Antifashiste

Opinione

Mbretëria Shqiptare - promotori i Luftës Antifashiste

Nga: Ekrem Spahiu Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 19:38
Ekrem Spahiu

Historia i ka të gjitha dëshmitë dhe arsyetimet historike, politike, juridike dhe ushtarake se Mbretëria shqiptare ishte promotori i qëndresës dhe Luftës Antifashiste.   

Historiografia komuniste, përkundër dëshmive tëpatjetërsueshme dhe arsyetimeve të paanëshme, sajoi alibira për raportin e Zogut me Italinë, sikur ai e shiti Shqipërinë, sikur ai e priti krahëhapur pushtimin fashist dhe sikur ai e braktisi vendin. 

Por e vërteta historike nuk përcaktohet ideologjikisht. 

Është fakt që volumin më të madh të marrëdhënieve ekonomike dhe ushtarake, Zogu e adresoi me Italinë. Por pyesim: cila kohë dhe cili shtetar shqiptar nuk e ka konsideruar Italinë partnerin më të madh strategjik? Madje edhe shteti komunist shqiptar konsideronte se “Marrëdhëniet tona me Italinë janë normale, janë përmirësuar vazhdimisht dhe janë të gjitha mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të tyre”.  

E rëndësishme është të vihet në dukje se në momentin qëMbreti Zog konstatoi se Italia kishte qëllime të largëta pushtuese ndaj Shqipërisë, ai nuk i pranoi ftesat, kërkesat, ultimatumet apo presionet fashiste italiane për t’a lidhur përjetësisht Shqipërinë me të ashtuquajturat “traktate tëpërbshkëta mbrojtëse”, të cilat ishin instrumente politike tëparapushtimit ushtarak, një “përqafim mbytës i Italisë”, siç do ta cilësonte një studiues. Italia ndoshta e paragjykonte Mbretin Zog si një shtetar që mund të “lëshonte pé pas një presioni italian kundër vullnetit të tij, ose interesave të veta”. Brenda këtij paragjykimi, pala taliane kishte menduar se kërcënimi financiar mund të përdorej si presion që të pranohej përtëritja e Traktatit dhe se “politika e shtrëngimit të vidave, ndërprerja e ndihmës, dmth. pezullimi i derdhjes së këstit të huasë...do të ishin leva e Arkimedit që do ta thyente mbretin”. Por këto presione, siç është vërtetuar në shumë dokumente, “nuk arritën ta tundnin nga qëndrimi i tij i pakthyeshëm”. 

Është e dëshmuar tashmë me dokumente autentike se “Nga mesi i muajit shkurt 1939, relatat shiptaro-italiane morën një kthesë përkeqësimi të mëtejshëm kur mbreti i shqiptarëve nisi të luajë me karta të hapura” dhe se përpjekjet e Mbretit Zog për të denoncuar veprimtarinë subversive italiane, pala italiane kërkoi t’i asfiksojë përmes përpjekjeve të saj deri edhe “për të eleminuar Mbretin Zog”, si pengesë kryesore ndaj planeve pushtuese.  

Nëse Mbreti Zog do ta kishte “shitur” Shqipërinë, sikurse i fryn këtij avazi historiografia komuniste, atëherë Italia  do të vinte në Shqipëri me jahte turistike. Përkundrazi, është tashmë e njohur botërisht se Italia e pushtoi Shqipërinë me një plan tëmirëstudiuar ushtarakisht, përmes një operacioni të mirëfilltëushtarak, ku u angazhuan forcat e njësive të mëdha operative prej mbi 25,000 ushtarë, qindra avionë luftarakë, dhjetra luftanije, etj. 

Ndërkohë është po ashtu e njohur zyrtarisht qëndresa dinjitoze e ushtrisë dhe e xhandarmërisë shqiptare nën udhëheqjen e major Abaz Kupit, një nga ushtarakët besnikë të Zogut.  

Historiografia komuniste, madje edhe ajo e mëvonëshme, e ka anatemuar largimin e Mbretit Zog nga Shqipëria sikur përbënte“braktisje të luftës antifashiste”. Por, me arsyetim të shëndoshë, jo të verbër, do të gjejmë Haakon VII i Norvegjisë refuzoi për t'iu nënshtruar presionit gjerman në Luftën e Dytë Botërore që i kërkoi atij të abdikonte, frymëzoi qëndresën e ushtrisë, mërgoi në Angli dhe u kthye nga mërgimi në Norvegji në qershor 1945, duke gëzuar kështu nderimin e popullit norvegjez. Afërsisht të njëjtës peripeci iu nënshtrua edhe Mbretëresha Vilhelmina e Holandës. Përkundër, Mbreti Leopold III i Belgjikës qëndroi qëndroi në vend por, i detyruar nga supremacia ushtarake gjermane u detyrua të kryejë akt dorëzimi, çka i kostoi një kalvar të gjatë politik e poshtërues deri në humbjen e fronit. 

Mbreti George II i Greqisë, Dukesha e Madhe Charlotte e Luksemburgut, Mbreti Peter II i Jugosllavisë, Presidenti Edvard Beneš i Çekosllovakisë dhe Presidenti Vladysłav Raczkievicz i Polonisë, shkuan në mërgim gjatë pushtimit nazist të vendeve të tyre.  

Askush nuk i shpalli këta krerë shtetesh “tradhëtarë” të vendeve të tyre. Ata thjesht nuk pranuan pushtimin dhe, për rrjedhim, nuk do të pranonin as poshtërimin që do të pësonin nga një fuqi dhjetra herë më e madhe dhe e egër sikurse ishte Gjermania naziste. 

Atëherë, edhe arsyetimi i shëndoshë i historiografisë shqiptareduhet ta shkruajë me gërma të mëdha se largimi i Zogut nga Shqipëria ishte shprehje e mospranimit të pushtimit, duke i kursyer prestigjit të Shqipërisë dhe të vetes poshtërimin nga pushtuesit fashistë apo nazistë.

Sikur të pranonim tezën komuniste se Zogu e “shiti” Shqipërinë, atëherë do të duhet të pranonim edhe tezën se ai,fare natyrshëm, do të shkonte të vendosej në ndonjë vilë nëItali, ku do ta prisnin me lule. Por, sikurse është e njohur, Zogu nuk shkeli kurrë në Itali gjatë gjithë jetës së tij. Përkundër, ai zgjodhi të qëndrojë dhe të punojë për luftën antifashiste pikërisht në Britani, në shtetin që udhëhoqi luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, për të ushtruar angazhimin e tij antifashist e antinazist, përmes diplomacisë aktive në Londër dhe aktivizimit të forcave zogiste brenda Shqipërisë në përkrahje dhe mbështetje të Aleancës së Madhe Antifashiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat