Mentori im i judikaturës, Av. Et’hem Rogova

Opinione

Mentori im i judikaturës, Av. Et’hem Rogova

Nga: Av. Faik Miftari Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 20:26
Av. Faik Miftari

Shpesh herë kam menduar të shkruajë një vështrim për mentorin tim të judikaturës, tani kolegut, Av. Et’hem Rogova. Së pari, edhe pse kësi lloj shkrime zakonisht shkruhen post mortum, vendosa të shkruaja për së gjalli, pasi që mentori im, Av. Et’hem Rogova e ka kritik vitin 2025, në rast se e tejkalon këtë vit, atëherë me siguri do t’i mbërrijë të 100-tat. Së dyti, nuk i dihet, shpirt po mbajmë, mund ndodh që pasi të kapërcejë vitin kritik 2025, dhe të mbërrijë të 100-tat mentori im, Av. Et’hem Rogova të më përcjell mua në botën e përhershme, ashtu që do të mbetej shkrimi i pashkruar nergut për të.

Edhe pse e kam njohur më parë, si personalitet, pasi  shtëpitë ku banojmë i kemi afër, ai përball xhamisë së Emin pashës, ndërsa unë pranë xhamisë së Mehmet Pashës(Bajraklisë), jemi njoftuar “live” në vitin 2008 në ulëset e Asamblesë(Kuvendit) Komunal të Prizrenit si koleg kuvendar komunal të partive të ndryshme, por që ishim në koalicion qeverisës komunal të Prizrenit, gjatë mandatit 2007-2009, dhe  prej vitit 2008 jemi së bashku edhe në ditët e sotshme, tani si koleg që e ushtrojmë profesionin e avokaturës në Prizren.

Mentori im, Av. Et’hem Rogova rrjedh prej një familje qytetare me prejardhje agallare të Prizrenit, si nga ana e babait(Reshit aga), por edhe nga ana e nënës së tij, gjyshit(Et’hem aga), të cilin emër e ka trashëguar dhe mban emrin e  tij. Stërgjyshërit e tij, Ibrahim aga dhe Maksut aga kanë  qenë financues dhe anëtar të Degës së Prizrenit të Lidhjes së Prizrenit, të mbajtur në vitin 1878 në xhaminë e Gazi Mehmet pashës (Bajraklisë) në Prizren.

Babai i tij, Reshit aga ka qenë personalitet i njohur në qytetin e Prizrenit si njeri bujar dhe human që nga ndihmuar gjithnjë qytetarë nevojtarë, edhe pse nga regjimi komunist ka qenë i anatemuar si “kullak” i sistemit, të cilit i është konfiskuar prona e shumtë që kishte në pronësi dhe posedonte familja e tij si në qytet por dhe në fshatra. Këtu do të cek vetëm një detaj me rëndësi nga jeta e tij. Gjatë viteve  pesëdhjeta të shekullit të kaluar, gjatë kohës së presionit të Rankoviqit për shpërnguljen e shqiptarëve, turqve dhe boshnjakëve në Turqi, e cila shpërngulje ishte veçanërisht e theksuar në Prizren, Reshit aga do të mbetet të jetojë në Prizren, përkundër presionit të pandërprerë për shpërngulje. Kanë mbet  në kujtim fjalët e t’ia: ”Po të shpërngulem unë nga Prizreni për në Turqi, me veti do të tërheq së paku tri mahalla(lagje) dhe dy katunde(fshatra) të shpërngulen”.

 Mentori im, pasi rrjedh prej familjes agallare si nga ana e babait dhe nënës, të dyja familje kanë qenë pronar të shumtë të patundshmërive, arave, dyqaneve, mullinjve, jo vetëm në fshatrat e qytetit të Prizrenit, por gjer tek  fshati Rogovë e Hasit, në kujtim të së cilit, edhe e mban familja e tij mbiemrin Rogova.

Pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 nga Rumelia(Ballkani), dhe pushtimit të Kosovës nga Serbia, filluan të tkurren këto dy familje agallare, pasi  gjatë sundimit të Jugosllavisë së mbretit, shumë nga prona të patundshme, ara, dyqane, në pronësi dhe posedim  të këtyre dy familjeve agallare janë nacionalizuar dhe konfiskuar nga ana e pushtetit serb të mbretërisë së Jugosllavisë, e sidomos ka vazhduar më tutje edhe  gjatë sistemit komunist të Jugosllavisë së Titos gatë së cilës pjesa dërmuese e pronave të këtyre dy familjeve agallare është nacionalizuar dhe konfiskuar, por për çudi edhe në Kosovën e sotshme ka vazhduar avazi i vjetër i konfiskimit, pasi që tani për një pjesë të shtëpisë së mentorit tim, Av. Et’hem Rogova, ngjit zyrës së tij të avokaturës, në të cilin ka qenë mulliri ekzistues 500 qind vjeçar në pronën dhe posedimin e familjes së Et’hem agës nga ana e nënës së tij, me vite është duke u zhvilluar procedura gjyqësore civile dhe administrative, kinse për uzurpimin e pronës publike nga ana e tij, në të cilin është e ndërtuar një pjesë e shtëpisë së tij, edhe pse i posedon tapitë(listat poseduese dhe certifikatat pronësore ) që nga Gjykata e Sheriatit, për shtëpinë, mullirin dhe oborrin e tij në pronësi dhe në posedim të familjes agallare të Et’hem agës, përball xhamisë së Emin Pashës dhe ngjit me hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren.

Para se të shkruaj për aspektin profesional të tij në lëmin e judikaturës, nuk mundem assesi të mos e theksojë edhe  angazhimin dhe kontributin e tij kombëtar dhe politik dhënë në komunën e Prizrenit. Gjatë viteve nëntëdhjeta ka qenë i angazhuar në lëvizjen pacifiste të paraluftës dhe ka qenë i kyçur në Këshillin Komunal të Financimit paralel në komunën e Prizrenit, gjatë së cilit gjatë një mandati ka qenë edhe Kryetar i Këshillit Financues. Poashtu shtëpia e tij ka shërbyer si shtëpi - shkollë në të cilin kanë mësuar nxënësit e shkollës së mesme të muzikës të Prizrenit gjatë viteve të zhbërjes së autonomisë së Kosovës(1989-1999). Gjatë bombardimeve të NATO-së, në shtëpinë e tij kanë qenë të vendosur një pjesë të forcave  policore dhe paramilitare serbe, dhe se shtëpia e tij ishte demoluar në tërësi para tërheqjes dhe largimit të forcave policore, paramilitare, ushtarake serbe nga Kosova. Për fat të mirë, Av. Et’hem Rogova me kohë arriti të largohet dhe të jetë i strehuar gjatë gjithë kohës në Prizren gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së(24 mars -10 qershor 1999).

Me propozimin e liderit politik  dhe miratimin e UNMIK-ut u zgjodh kryetar i Gjykatës Komunale në Prizren, e cila Gjykatë gjatë kohës së funksionimit gjatë mandatit të tij si kryetar i Gjykatës në Prizren, ishte Gjykata më efikase dhe shembull për gjyqësorin në Kosovë. Gjatë ushtrimit të mandatit të tij ka qenë i sulmuar, i etiketuar nga oponentët, rivalët, por  dhe kolegët e tij, me lloj lloj  ofendime dhe etiketime, ashtu që në vitin 2001 për shkaqe personale dhe familjare e braktisi pozitën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës Komunale në Prizren duke  iu përkushtuar profesionit të avokaturës të cilin edhe në ditën e sotshme është duke ushtruar në zyrën e tij të avokaturës në Prizren.

Gjatë vitit 2007 në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në kuloare politike të Prizrenit përflitej se Av. Et’hem Rogova do të jetë i kandidua për pozitën e kryetarit të qytetit të Prizrenit. Pas kësaj pasuan kundërshtimet  nga rivalët dhe oponentët politik partiak, sa që shkuan gjer në atë masë të theksojnë:” Prizrenin do ta kallim, por Et’hem Rogovën kryetar nuk do të lejojmë”. Pas kësaj garoi dhe u zgjodh në mandatin e dytë si kuvendar i kuvendit komunal të Prizrenit, ndërsa gjatë mandatit të parë ishte edhe shef i grupit kuvendar në Asamblenë Komunale të Prizrenit.

Pas përfundimit të mandatit të kuvendarit në vitin 2009, mentori im, Av. Et’hem Rogova dalë ngadalë filloi të largohej  nga angazhimi aktiv politik, dhe pas kësaj u tërhoq tërësisht nga angazhimi politik dhe iu përkushtua punës profesionale të ushtrimit të avokaturës në zyrën e tij në Prizren.

Në vitin 2012, pas hapjes së Universitetit  publik të Prizrenit “Ukshin Hoti” në një bashkëbisedim kërkova mendimin e tij, për idenë që të regjistrohem në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prizrenit. Ai u përgjigj: “ Po, pse jo. E ke aftësinë e të shkruarit dhe të folurit, pasi që merresh me shkrime publicistike dhe shkrimin e librave, ashtu që të gjitha provimet do t’i japish në afatin e parë dhe do ta kryesh me sukses Fakultetin Juridik në afat optimal”. Qysh tha, ashtu edhe u bë. E kreva fakultetin në afatin optimal katërvjeçar gjatë së cilës i dhashë të gjitha provimet në afatin e parë të provimeve, dhe diplomova me sukses.

Pas përfundimit të Fakultetit Juridik, praktikën njëvjeçare e kreva në zyrën e tij, pas së cilës vazhdova edhe dy vjet të mësimit të profesionit të avokaturës gjer në licencimin tim dhe betimin e dhënë për avokat me 5 korrik 2019. Gjatë kësaj kohe maksimalisht kam mësuar dhe përgatitur provimin e jurisprudencës. Gjatë  një bashkëbisedimi me mentorin, më tha: “ herën e parë do të biesh, ndërsa herën e dytë do të japësh provimin e jurisprudencës”. Ashtu edhe ndodhi, herën e parë rashë në provim, ndërsa herën e dytë e dhashë provimin e jurisprudencës. Provimi i jurisprudencës për mua ka qenë më i vështirë se kryerja e fakultetit juridik.

Gjatë kohës 3 vjeçare të mësimit  të profesionit të avokatisë, me një rast mentori im, iu nënshtrua operimit ”by pass” në zemër. E lutsha Zotin që të jetojë bile edhe dy vite sa ta përfundojë të mësuarit e profesionit të avokaturës në zyrën e tij. Duaja(lutja) ime u pranua nga Zoti dhe mentori im me sukses e përballoi këtë operim në zemër. Por tani po shoh, se nuk po mjaftojnë 2 vite, por janë pak edhe 20 vite të mësuarit e të ushtruarit të profesionit të avokatisë, e sidomos të procedurës civile e cila është një “oqean pa fund”, dhe se edhe sot e kësaj  dite këshillohem rregullisht me mentorin tim gjatë ushtrimit të profesioni të avokaturës lidhur me çështje të ndryshme nga procedurale civile, penale dhe administrative.

Këtu në këtë vështrim  do të veçoja  vetëm tri këshilla  nga këshillat e shumta  nga mentori im të cilët edhe i zbatojë gjatë ushtrimit të punës së avokaturës në zyrën time në Prizren. Këshilla e parë ishte: “të jesh një avokat i suksesshëm duhet të shfrytëzosh përveç literaturës në gjuhën shqipe të botuar në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, edhe literaturën e botuar, posaçërisht komentarët dhe praktikën gjyqësore, në Beograd, Zagreb dhe Sarajevë, pasi që këto gjuhë i njohim,  për dallim nga rinia e sotshme të cilët e njohin gjuhën angleze dhe kanë në dispozicion literaturën në gjuhën angleze anembanë  botës”.

Këshilla e dytë ishte: ”gjersa të jesh në zyre në orarin e punës duhet të jesh gjithmonë i veshur me palë rrobë komplet dhe kollare pasi që profesionin që e ushtron avokat, duhet të kesh kujdes në pamje dhe veshje, pasi që është një profesion i veçantë për të cilin duhet pasur edhe stil të veçantë”.

Këshilla e tretë dhe shumë e rëndësishme  për mua, si avokat që ushtrojë profesionin, të cilin po mundohem sado kudo të zbatojë, ishte: “se përveç leximit të vazhdueshëm dhe shfrytëzimi të pandërprerë të literaturës  profesionale nga judikatura, posaçërisht të komentarëve dhe praktikës gjyqësore, avokati duhet të jetë i pajisur  me një horizont të gjerë kulturor, me një spektër të gjerë të leximit të fushave të ndryshme, sikurse letërsia, publicistika, politika, historia,  memoaret, kujtimet, jetëshkrimet, trashëgimia kulturore, fetare, sportive, muzikore, etj.

Dua të theksojë se kam pas fat që kam njohur dhe që me ka pranuar mentori im, Av. Et’hem Rogova, të jem praktikant dhe të mësojë së ushtruarit të profesionit të avokaturës në zyrën e tij. Vetëm se nuk pajtohem në një aspekt, me porosinë e tij që më thotë shpesh në shaka:” të kam bërë njeri ”, pasi që njeri kam qenë den baba den, ndërsa unë i përgjigjem gjithnjë “ më ke bërë avokat”.

 Në fund të këtij vështrimi do të cek se për mua ka qenë nder ta kem  për mentor të judikaturës, Av. Et’hem Rogovën, doajenin e judikaturës  jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë me një përvojë mbi pesëdhjetëvjeçare të ushtruarit të profesionit të gjyqtarit, kryetarit të Gjykatës dhe të avokatit në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat