Çlirimi, që përzuri nga Shqipëria kundërshtarët politikë

Opinione

Çlirimi, që përzuri nga Shqipëria kundërshtarët politikë

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 12:38
Elmas Leci

Rreth 13.600 persona është numri i të arratisurve kundërshtarë politikë (të përzënëve) nga Shqipëria sipas një raporti të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, përfshirë këtu edhe 200 nga ata të shpallur kriminelë lufte. Nga shifra e mësipërme, rreth 4.784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit gjatë viteve 1944, 1945 dhe 1948. Rreth 998 të tjerë kundërshtarë politikë vdiqën ose u vranë nga regjimi në përpjekjet e tyre për tu larguar në mënyrë të fshehtë nga Shqipëria.

Ikjet si sot e 80 vjet më parë, që në fakt ishin përzënie me pushkë nga forcat e regjimit komunist që u instalua në Shqipëri, u kryen më shumë, nga Gjirokastra 1399 persona, nga Shkodra 924 persona ku përfshiheshin krerë të rezistencës antikomuniste, nga Saranda 859 persona, nga Korça 729 persona, nga Kukësi 777 persona, nga Vlora 436 persona, nga Dibra 520 persona, nga Tropoja 402 persona e më pas Tirana me 333 persona, nga Erseka 214 persona, nga Pogradeci 178 persona, nga Puka184 persona, nga Durrësi 161 persona.1) 

Vlera e tyre qëndron tek opsioni i demokracisë

Këto “të ikur” ishin njerëzit që Enver Hoxha, me të marrë pushtetin dhe arritur “çlirimin”, u vuri pushkën me të vetmen arsye të pa arsyetueshme sepse ata ishin me bindje të tjera politike, ishin antikomunistë. Ata ishin krerë të organizatave politike “Balli Kombëtar” e “Legaliteti”, ishin organizatorë të qëndresës antikomuniste apo personalitete të profesioneve e shkollave të ndryshme perëndimore, që me mendimet e tyre nuk puqeshin me regjimin komunist që po instalohej sepse donin një Shqipëri të standardeve demokratike perëndimore. Ndaj regjimi i detyroi ta lenë vendin, për t’u përpjekur e luftuar për Atdheun e tyre në kushte të tjera. Ky ishte emigracioni politik shqiptar.

Edhe ky, emigracioni politik, si edhe emigrimi ekonomik, është një lloj lëvizje, një lloj zhvendosje masive njerëzore nga vendi amë, në një vend tjetër apo në një shtet tjetër. Por emigracioni politik ka dallime të mëdha nga ai ekonomik sepse këto masive njerëzore, u larguan nga vendi për arsye të ndjekjes politike, që i u bë e do t’i bëhej ende më tej atyre nga regjimi komunist. Në fakt emigracion politik ka pasur në të gjitha kohërat në Shqipëri sa kohë kanë ekzistuar shtetet e regjime antikombëtare, por në regjimin komunist shqiptar ky fenomen mori e ka pasur përmasa të mëdha dhe deri të frikshme. Kanë qenë ato, një kategori njerëzore e anatemuar nga regjimi i Enver Hoxhës, madje shumë prej tyre të dënuar në mungesë.

Ende vijon ajo hija e kaluar e dyshimit më të rëndë mbi veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar. Të jetë vërtet kështu?! Por e vërteta duhet zbuluar! E vërteta duhet të dalë sheshit! A është vërtet emigracioni politik shqiptar, ai lloj emigracioni siç e ka përcaktuar ish regjimi komunist si emigracion terrorist, emigracion reaksionar, banda antikombëtare, apo duheshin parë ndryshe përpjekjet dhe lufta e emigracionit politik, si një e drejtë e atyre grupimeve të ndryshme për të kërkuar me të gjitha format demokratike ndryshimin dhe largimin e regjimit despotik të Enver Hoxhës?! Mendoj se kjo e dyta është e vërteta, por që gjithsesi duhet ta vërtetojmë. Më parë le të saktësojmë se cilët ishin emigrantët politikë shqiptar, të Luftës dhe të pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga Shqipëria ka pasur katër lloje kategori emigrantësh politikë: Në kategorinë e parë janë shtetasit shqiptarë të arratisur jashtë Shqipërisë së bashku me mbretin Zog, që qëndruan jashtë shtetit si elementë kundër dhe gjatë Luftës Antifashiste. Në kategorinë e dytë janë shtetasit shqiptarë të larguar nga Atdheu para 28 nëntorit të vitit 1944 për shkak të aktivitetit të tyre kundra Nacionalçlirimtares, që e udhëhiqte partia komuniste dhe që ishin të organizuar kundra, në formacione të tjera politike e ushtarake dhe kjo ishte pjesa më e madhe e emigracionit politik. Në kategorinë e tretë janë shtetas shqiptarë të arratisur nga Shqipëria për padakortësinë e tyre me regjimin e instaluar pas 28 nëntorit të vitit 1944. Në kategorinë e katërt janë si dhe të tjerë, që ishin në pakicë, të cilët në vite largoheshin jashtë shtetit me lloj- lloj formash dhe si kundërshtarë të regjimit nuk guxonin të ktheheshin lirshëm në Shqipëri.

Në fakt të katër kategoritë e emigracionit politik shqiptarë, ishin kryesisht grupime politike që pas Luftës së Dytë Botërore, u organizuan në faktorë politikë me devizën e çlirimit të Atdheut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Përpjekjet dhe lufta e tyre duhen vlerësuar, sepse vlera e tyre qëndron tek opsioni i demokracisë. Enver Hoxha me propagandën e tij marramendëse i anatemoi emigrantët politikë dhe me depërtimin e tij falangist në gjirin e tyre, pothuajse i shkatërroi. Megjithatë e vërteta është se asnjëherë emigracioni politik shqiptarë, nuk e reshti përpjekjen dhe luftën antiregjim komunist.

Ndërsa Enver Hoxha akaparonte çdo ditë pushtetin në Shqipëri, emigracioni politik jashtë në Perëndim, organizohej dhe protestonte kundër vendosjes dhe qëndrimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Me vepra, me organizime, me përpjekje, me programe ai i tregonte botës demokratike, fytyrën e vërtetë antidemokratike te regjimit të Enver Hoxhës dhe këto me fakte, me burgjet që ngriheshin anembanë vendit, me arrestimet masive të kundërshtarëve, me vrasjet pa gjyqe të nacionalistëve etj. etj.

Avokati i njohur në perëndim Dr.Halim Begeja, një prej personaliteteve politike shqiptare më të kulturuar të emigracionit politik dhe i diplomuar për drejtësi në Francë, më 6 janar të vitit 1948 u shkruan bashkatdhetarëve në SHBA se “populli shqiptar nga Enver Hoxha po kalon tragjedinë më të tmerrshme që ka parë bota. Vrasjet, burgosjet, torturimet ndër burgje dhe çnderimet janë të përditshme. Mjafton të lexoni gazetën e vetme komuniste “Bashkimi” për me konstatu ekzekutimet e shqiptarëve të pafajshëm. Shefqet Beja nënkryetar i Frontit komunist, së bashku me 15 të tjerë u ekzekutua më 10 tetor të vitit 1947 dhe janë për t’u ekzekutuar akoma edhe 250 intelektualë. Numri i shqiptarëve të vrarë nga komunistët arrin shifra të pabesueshme”.

Besnikë të vizionit për një të ardhme demokratike

Duke mos u pajtuar me çka ndodhte në Shqipëri dhe besnikë të vizionit të tyre për një të ardhme demokratike, emigracioni politik shqiptar ka një veprimtari të dendur atdhetare në Perëndim dhe kjo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Por e rëndësishme është ajo, që duhet mundur, reminishenca e ish regjimit komunist mbi emigracionin politik shqiptar. Duhet hequr balta, që i hodhën përsipër këtyre njerëzve nga organet ogurzeza komuniste, veçanërisht nga ish Sigurimi i Shtetit dhe propaganda e tij e tmerrshme.

Nisën në Perëndim pothuajse njësh me kohën ku u larguan, organizimet e para të emigracionit politik shqiptar, si i organizatave politike “Balli Kombëtar” e “Legaliteti” dhe të tjerave, të cilat u krijuan në suazën e luftës për ndryshimin e regjimit komunist në Shqipëri. Por regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte tepër i egër dhe me ndihmën e KGB -së së Stalinit arriti përçarjen dhe më pas asgjësimin e grupeve të ndryshme të emigracionit politik si një masë preventive për vijimësinë e pushtetit diktatorial në Shqipëri. Megjithatë edhe mbi supermacinë e ish Sigurimit të Enver Hoxhës me atë sovjetik , emigracioni politik shqiptar mundi që nëpër Europën Perëndimore edhe pas goditjeve asimiluese të riaktivizohet së tepërmi në vitet ’60 -të me organizatat e tij e me grupet e ndryshme me “Bllokun Kombëtar Indipedent”, “Lidhjen Kosovare”, “Lidhjen e re të Prizrenit” e komitete të ndryshme, shoqëri fetare, shoqata anglo-amerikane-shqiptare etj. I dalë nga një goditje e rëndë siç ishte ajo e viteve 1950 -të, emigracioni politik shqiptar në vitet ’60 -të e më pas, bëri edhe ndryshime emrash e emërtimesh në organizime e funksionime, me devizën për mposhtjen e diktaturës në Shqipëri dhe sjelljen e demokracisë.

Që bashkëpunimi i shteteve perëndimore, me to edhe i Jugosllavisë ishte i plotë, kjo tashmë është e vërtetuar por e dëshmon edhe ditari i vitit 1950 i Alush Leshanakut një personalitet i rëndësishëm i emigracionit politik shqiptar, ku ai shkruante se “Titua po i organizon të gjithë emigrantët shqiptarë që strehohen në Jugosllavi dhe kanë ndërmend të asgjësojnë forcat e kufirit për të shkatërruar qeverinë e Tiranës”. Akuza rezulton se ishte e saktë çka më vonë Gjilasi do theksonte se “janë grumbulluar pjesë të emigracionit politik shqiptar në Kosovë dhe janë duke u organizuar në një veprim të ardhshëm”.

Këto ishin plane me bazë emigracionin politik, ku në fund të vitit 1953, kontingjenti i tyre ishte i gatshëm për të ndërhyrë e për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës dhe arriti një forcë në 8.825 veta, të cilët përqendroheshin 4.948 vetë në Greqi, 2.515 vetë në Jugosllavi, 350 në Itali, 300 në RFGJ, 512 në SHBA, etj. Kjo veprimtari u vu në akordim me komplotistë të brendshëm në Shqipëri.

Përmasa mori organizimi ushtarak i grupeve të emigracionit politik shqiptar në vitet 1956-1960, ku në Jugosllavi emigracionin politik shqiptar u organizua si brenda vendit e jashtë saj. Gjenerali Dushan Mugosha, mik i Luftës i Enver Hoxhës dhe themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, bëri një marrëveshje në Romë me funksionarin e ambasadës greke Spiro Drizos, për shfrytëzimin e kufijve për kalimin pa pengesë të emigrantëve politikë shqiptarë për në Shqipëri, që në Shqipërinë e asaj kohe propaganda i quante diversantë.

Pas viteve ’60-të, emigracioni politik shqiptar doli akoma më në evidencë për ndryshimin e situatës në Shqipëri. Këtë më shumë në dorë e kishin amerikanët e europianoperëndimorët, por edhe sovjetikët, nëpërmjet disa krerëve shqiptarë, që u futën në “lojë”. Në bisedimet që u bënë në Moskë në mes të Hrushovit, Titos, Dushan Mugoshës e Panajot Plakut, këtij (Panajot Plakut) iu prezantua plani për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe iu sigurua posti i lartë i kryetarit të qeverisë së ardhshme demokratike. Nga ana tjetër edhe Departamenti amerikan i Shtetit në dhjetor të vitit 1962, thirri Ali Këlcyrën, i cili u paraqiti atyre një plan të veprimtarisë të emigracionit politik kundër qeverisë së Enver Hoxhës, veprimtari ushtarake, e cila do të realizohej kundër regjimit të Tiranës nëpërmjet detit dhe kufirit grek.

Territori grek dhe ai jugosllav u planifikuan si qendrat kryesore nga ku emigrantët politikë shqiptarë do të përgatiteshin e të vepronin kundra qeverisë së Enver Hoxhës. Në vitin 1967 u organizuan në këto shtete grupe të ndryshme emigrantësh politikë për desantim në territorin shqiptar, me detyra edhe për asgjësimin e udhëheqjes së shtetit komunist. Më 30 shtator të vitit 1968, nëntë ditë pas “denoncimit të Traktatit të Varshavës” nga regjimi i Enver Hoxhës, Radio Moska u mbante avazin emigrantëve politikë shqiptar se “Tirana është një vegël e imperializmit ndërkombëtar”, ndërsa në Glasboro po në vitin 1968, u shtrua edhe problemi i Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe plani parashikonte variante të ndryshme veprimtarish nga kontingjenti i emigracionit politik për ndryshimin e regjimit të Tiranës.

E vërteta është se lufta dhe përpjekjet e emigracionit politik shqiptar, ndonëse në kushte të vështira jetese e veprimtarie për ndryshimin e situatës politike në Shqipëri gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, ka ndjekur një seri rrugësh e ka praktikuar një numër formash. Emigracioni politik shqiptar, ndonëse bënte pjesë pluralisht në parti të ndryshme, u përpoq që i bashkuar në kuadër të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”, që mori rolin e një qeverie në mërgim dhe mblodhi rreth saj figurat më të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar./Autori - Drejtor Ekzekutiv - Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat