Rron Gjinovci është për mua një gazetar jo vetëm i guximshëm. Ai është edhe i dijshëm dhe mbron të vërteta, të cilat gazetarët të tjerë nuk guxojnë t’i përmendin. Në një editorial të emisionit të tij televiziv, Gjinovci ka patur për objekt marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. E nis me konceptin e fjalës “Nana Shqypni”! Dhe thotë se kur i thu Shqypnisë nanë, marrëdhamnia e dashnia asht e pakushtëzume. Se asht dashni për nanën”! Pastaj ai argumenton me fakte, se Shqipëria ka mbajtur qëndrime prej njerke e jo prej nëne.
Editoriali i kolegut tonë Gjinovci ka një lajm të keq, por edhe një lajm të mirë. Lajmi i keq lidhet me faktin se Shqipëria ka luajtur me Kosovën për interesat e pushtetit të politikanëve të saj! Lajmi i mirë është se qytetarët e Kosovës tashmë e dinë këtë fakt. Por se Shqipëria ka luajtur bixhoz me Kosovën, në fakt nuk është lajm i ri. Këtë e dinë dhe e kanë ditur shqiptarët në Kosovë, së paku që në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944-1945. Pra është një lajm i vjetër 80 vjeçar. Është lajm i vjetër, sa mosha e Ibrahim Rugovës, por që ka filluar të kuptohet në kohën që ai formuloi të ardhmen e Kosovës si “shtet i pavarur, demokratik, i hapur për Serbinë dhe për Shqipërinë, si dhe në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”! Me atë formulë “Kosova e hapur me Serbinë dhe me Shqipërinë, Ibrahim Rugova i pati rekomanduar Shqipërisë të mos marrë as rolin e “nënës” as “të babës” sa i përket Kosovës!
Ai togfjalëshi “Kosova e hapur për Serbinë dhe për Shqipërinë” i thotë të gjitha! Sepse Rugova ishte i pari personalitet që pa se çfarë përfaqëson politika shqiptare për Kosovën. Sepse ai ishte një njohës i shkëlqyer i historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Sepse viktimë e pazarit politik për pushtet të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës ishin gjyshi dhe babai i tij! Ishin të gjithë nacionalistët shqiptarë të Kosovës, kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste Jugosllave. E vërteta është se Partia Komuniste e Shqipërisë pranoi pa asnjë kundërshti e pa kushte bashkimin e Kosovës me Serbinë pas Luftës së Dytë Boterore! Nuk gjendet asnjë deklaratë kundër. Madje ka deklarata të diktatorit Hoxha, të cilat thonë se për momentin Kosova duhet të jetë nën Serbi dhe se çështja e saj do të zgjidhej “kur të fitojë komunizmi në gjithë botën”! Pra, kur të bëhet halla dajë! Jusuf Gërvalla e pati kundërshtuar këtë ide të diktatorit në një letër që i drejtonte atij në vitin 1980. Atë letër e botoi tek unë patrioti i madh, Kadri Osmani, në librin e tij “Shqiptarët janë atje”!
Ka shumë indicie se edhe protestat e vitit 1981 në Kosovë janë nxit nga ana e Shqipërisë, përmes enveristëve në Kosovë. Qëllimi i diktatorit në këtë nxitje ishte të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik shqiptar nga dështimet e qeverisjes së tij, nga kriza ekonomike, financiare dhe mungesa e ushqimeve. Qëllimi tjetër ishte që Perëndimi të mbështesë në heshtje regjimin mizor të Tiranës, për shkak të nevojës për stabilitet. Njësoj si edhe sot. Nëse një ditë hapen arkivat, me shumë gjasa se do të konfirmohet kjo e vërtetë. Ishte koha kur një parti ekstremiste me qendër në Zvicër merrej e financonte përhapjen e veprave të Enver Hoxhës në perëndim. Dhe nëse do vërtetohet kjo, atëherë do të kuptohet më mirë historia. Produkti i atyre protestave, ndryshe prej atyre të vitit 1968, ishte negativ, suspendimi i autonomisë së Kosovës.
Bashkëpunimi i Shqipërisë me Jugosllavinë e Serbinë është parë nga e majta shqiptare si mjet për të qëndruar gjatë në pushtet. Politika e majtë e njeh fort mirë qëndrimin evropian ndaj Serbisë dhe Kosovës e për pasojë, për të fituar mbështetjen evropiane shpall ende pa ardhur në pushtet si partner strategjik Serbinë vrastare dhe genocidiale. Ky ishte mesazhi i nënshkrimit të marrëveshjes Rama-Meta më 1 prill 2013 në Shkodër në prani të ish-presidentit serb, Boris Tadiq, për bashkëqeverisje. I gjithë angazhimi i politikanëve serbë atëherë dhe sot ishte ta rrëzonin Sali Berishën nga pushteti e ta eliminonin atë politikisht. Sepse, pavarësisht ndonjë gabimi të tij, Berisha nuk ishte e nuk mund të ishte kurrë aleat i Beogradit.
Ardhja në pushtet e Edi Ramës u reklamua si fitore evropiane dhe si garanci se në Ballkan nuk do të ketë më konflikt. Prandaj kryerilindasi shpalli menjëherë aleancën me Beogradin. Vizitoi kryeqytetin serb ende pa u tharë gjaku i 13 mijë shqiptarëve të masakruar dhe pa u riparuar e rindërtuar 120 mijë banesat e shkatërruara nga ushtria serbe. E vizitoi Beogradin në kohën kur kishin filluar bisedimet për marrëveshjen përfundimtare me Kosovës. Shumë shqiptarë (unë jo, asnjëherë) besuan se Rama do të ndikojë te Vuçiq që të arrihet përfundimisht ajo marrëveshje. Në fakt kryeministri i Shqipërisë mori anën e Serbisë në këtë dialog. Në vend të ndikonte për mirë, u bë palë me presidentin Vuçiq. I imponoi mikut të tij Hashim Thaçi, që ky të pranonte ndarjen e Kosovës. Kjo formulë u diktua nga Vuçiq. Rama gjithnjë thotë se “I vjen keq për Serbinë”! Se “Kosova duhet të japë diçka që të fitojë njohjen e Serbisë”! Se... se e plot se të tjera.
Shqipëria e Edi Ramës është tashmë e përcaktuar qartë pro Serbisë. Edhe kur Kosova do pranohej në Këshillin e Europës, kryeministri i Shqipërisë e përsëriti dy herë keqardhjen ndaj Serbisë, se i duhej të mbështeste Kosovën. Pse kishte keqardhje, kjo është krejt e paqartë. Çfarë borxhi i kishte Rama Serbisë t’i vinte keq për të për një akt legjitim në përkrahje të Kosovës? E gjithë bota e di se Kosova e shqiptarët nuk i kanë borxh Serbisë. Atëherë duhet të jetë ndonjë obligim personal midis kryeministrit shqiptar dhe presidentit serb. Edi Rama kurrë nuk i kërkoi Këshillit të Atlantikut përshpejtimin e procedurave të pranimit të Kosovës në NATO, madje as zhbërjen e angazhimit të Hashim Thaçit për të vendosur FSK-në në veri të vendit. Por ama u kërkoi aleatëve të NATO-s ta mirëkuptojnë Serbinë e të mos i kërkojnë asaj të vendosë sanksione kundër Rusisë. Edi Rama kurrë nuk e trajtoi Banjskën si akt terrorist të lidhur me presidentin e Serbisë, megjithëse është plotësisht në dijeni të kësaj, por dy ditë pas asaj ngjarjeje tha se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, duke injoruar gjakun e oficerit të policisë, Afrim Bonjaku.
Historitë më qëndrime e veprime proserbe e kundër Kosovës të Edi Ramës mund të tregohen në net dimri. Janë pa fund. E megjithatë ai vazhdon të ketë aleatë në Kosovë. Disa për pragmatizëm, si psh aleanca Rama-Osmani ose Rama-Abdixhiku. Disa si aleatë ideologjikë. Këta janë ish-LPK-istët. Disa edhe si bashkëpunëtorë të Serbisë. Këta Kosova i njeh më mirë, se mbajnë gjallë idenë e ndarjes së Kosovës. Pra kanë marrë detyrë të njëjtë si edhe Rama nga ana e Beogradit. Janë këta që e krahasojnë Albin Kurtin me Milosheviçin ose me Vuçiq. Të gjithë këta janë aleatë të aleatit të Serbisë, me stigmën se Rama është kryeministër “i nanës” Shqypni. Madje disa e thonë se ai qenka “Kryeministër i shqiptarëve”! E në fakt, sipas gazetarit gjerman, Martens, Edi Rama është kryeministri më i mirë për Serbinë që nga koha e Pashiqit.
Pa u kthjelluar nga mendtë e kokës, nuk ka për të patur hajr Kosova, nëse beson ende te roli konstruktiv e ndihmues që paska kryeministri Edi Rama. Sa më shumë të besohet kjo sagë, aq më keq do t’i bëhet Shqipërisë. Sepse Edi Rama do ta shfrytëzojë “besimin” hipokrit të politikanëve në Kosovë për ta dëmtuar jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë. Gjinovci qorton shqiptarët e Shqipërisë pse e zgjedhin kërë njeri në krye të shtetit! Dhe ka të drejtë. Por Ramën e mban në pushtet edhe pjesa politike e Kosovës që e mbështet atë. Sepse qarqet proserbe në Evropë e SHBA shpresojnë se me Ramën dhe këtë pjesë politike të Kosovës ka ende mundësi t’i bëhen koncesione Serbisë. “Me ja dhanë diçka Serbisë”, siç thotë Luta e Dardan Molliçaj, gjë që nuk guxon ta thotë tani për tani as Baton Haxhiu!