Kultura e ngasjes në trafik

Opinione

Kultura e ngasjes në trafik

Nga: Ramiz Spahiu Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 06:35
Foto ilustrim

Lëvizja e qytetarëve me automjet nëpër rrugë patjetër kërkon njohje dhe respektim të rregullave të sigurisë së komunikacionit, si dhe përgjegjësi ligjore, morale dhe njerëzore. E çfarë do të jetë niveli i sigurisë në trafikun rrugor, varet shumë nga edukata dhe kultura që posedojnë qytetarët.

Të drejtuarit e sigurt të automjetit kërkon disa parakushte. Ato mund të jenë edhe të natyrës subjektive, të varura nga kultura e sjelljes, që nënkupton zakone e veprime të automatizuara të sjelljes, të formuara nga përsëritjet e vazhdueshme dhe nën ndikimin e imitimit të të tjerëve, për t’u bërë pastaj pjesë e personalitetit.

Mirësjellja dhe edukimi i zakoneve pozitive si cilësi të personalitetit dhe çrrënjosja e zakoneve negative kërkon kohë dhe përpjekje të vazhdueshme vetanake. Një ndihmë të pakursyer këtu duhet ta japin edhe prindërit në familje, mësuesit në shkolla, si dhe instruktorët e auto-shkollave, policia e komunikacionit dhe përgjegjësit e të gjitha institucioneve relevante edukative e kulturore.

Edukimi përgjatë përditshmërisë, si proces i kalimit të përvojës shoqërore nga brezi në brez, është dukuri e përhershme e jetës njerëzore. Është detyrë e brezave, veçanërisht e shoferëve me përvojë të mirë, që çdo ditë dhe kudo, nëpër rrugët tona, të manifestojnë edukatë dhe kulturë të ngasjes së automjeteve, në mënyrë që, përveç sigurisë, të shëmbëllejnë pozitivisht edhe me kulturën e ngasjes.

Duke e rikujtuar thënien "shumë vështirë na lëshojnë gabimet që rriten me ne", do t’ju lutesha të rinjve dhe prindërve të tyre që të kenë kujdes qysh në hapat e parë të mësimit të ngasjes. Shumica e të rinjve ngasjen e automjetit fillojnë ta mësojnë që në fëmijëri, ku përvetësojnë elementet e para dhe shprehitë e ngasjes. Prandaj, le të kujdesemi që ta përvetësojnë njëkohësisht edhe kulturën e mirëfilltë të ngasjes së automjetit, sepse ajo shprehi dhe kulturë e ngasjes do të bëhet pjesë përbërëse e personalitetit dhe edukatës sonë, të cilën do ta manifestojmë çdo ditë, gjatë tërë jetës, kudo nëpër rrugët tona.

Kultura e trafikut nënkupton respektim të ndërsjellë dhe tolerancë ndaj pjesëmarrësve të tjerë. Shoferi i mirë ka konsideratë dhe ua përmirëson gabimet të tjerëve. E, nga ana tjetër, çdo ditë jemi dëshmitarë të sjelljeve të shëmtuara të shoferëve në rrugë, domethënë shohim shembuj të një kulture jo të mirë që manifestojnë shoferët e rrezikshëm, gjegjësisht shoferët agresivë, shoferët që mbivlerësojnë aftësitë e tyre dhe shoferët jo tolerantë ndaj gabimeve të tjerëve.

Trafiku jonë rrugor, që edhe ashtu është në gjendje jo të mirë kulturore, bëhet edhe më i shëmtuar nga pamjet e shpeshta, përmbajtja e të cilave dëshmohet edhe nga këta tituj të portaleve: "Shoferët grushtohen pas një zënke në komunikacion"; "Rrahje brutale pas aksidentit, sulmojnë edhe policinë"; "Sulmon policët në stacion derisa po intervistohej për një aksident"; "Kom me të shkel me kerr", qytetari e kanos policin që e dënoi për kundërvajtje"; "Pas një mosmarrëveshjeje në trafik, therret për vdekje."

Pas gjithë kësaj shëmtie të neveritshme kulturore, që s’do të duhej të ndodhte as në skajet më primitive të botës, është e pritshme që të kemi numër të madh aksidentesh, mbi dyfishin e mesatares evropiane.

Mospërshtatja e shpejtësisë sipas kufizimeve rrugore, domethënë ngasja e shpejtë si atraksion mendjemadhësie dhe pasioni, bashkë me alkoolin, telefonin, gabimet gjatë tejkalimit, garat etj., janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në trafikun rrugor, siç tregojnë edhe këta tituj në portale: "Arsyeja e aksidentit është shpejtësia gjatë tejkalimit"; "Aksidenti për shkak të një parakalimi të gabuar"; "I dehuri në timon, përplas 4 automjete"; "Alkool dhe telefona në timon"; "I dehur e drejtoi veturën 196 km/h"; "Tejkaluan shpejtësinë, shoferët gjobiten me nga 500 euro."

Të shtojmë në mbyllje: në të mirë të sigurisë, do të ishte e mirëseardhur, mbase e domosdoshme, që përmbajtje edukative nga bazat e kulturës së komunikacionit rrugor të përfshihen në kuadër të programeve shkollore, qoftë edhe si lëndë zgjedhore.

Prandaj, është i nevojshëm dhe urgjent një koordinim i mirëfilltë i të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, me përvojat e shteteve perëndimore. Si dhe një mobilizim i përgjithshëm shtetëror me qëllim të vetëdijesimit të shoferëve për domosdoshmërinë e respektimit të ligjeve të sigurisë së trafikut. Është i nevojshëm kontrollimi i shpeshtë i rrugëve me radar e dron. Të shpresojmë se patrulla inteligjente do të sjellë "revolucion" në trafikun rrugor të Kosovës. Dhe krejt në fund do ta ripërsëris thirrjen: kujdes shpejtësia, alkooli, telefoni dhe hedhja e gjësendeve nga automjeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat