Sapo lexova, pashë e dëgjova se SPAK kishte dërguar njerëz të BKH për kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nisa të hamendësoj për motivet apo arsyet! Pas një vramendjeje, as të zgjatur e as fare të shkurtër, munda të formuloj katër arsye. Natyrisht këto ishin më shumë të fantazuara e të përafërta se sa të vërteta e të sakta! Kjo edhe si viktimë e mungesës së zëdhënësit të shtypit në SPAK dhe të vonesës së një njoftimi zyrtar prej tij. Kur lexova reagimin e Erionit për këtë kontroll, për më tepër, kur pashë foton e një tigri, me nëntekstin e mundshëm se ai, nëse nuk ishte luan, ishte një tigër që "mund t'i shklyente" me gjithë kostume e këpucë, Edi Ramën dhe Altin Dumanin bashkë, m'u përforcua bindja edhe për të shtuar dozën...e humorit me të dy palët! Njëkohësisht, u pushtova edhe nga frika e paniku për fatin e të dyve. Sepse nëse "tigri i Erionit" sulmon Altin Dumanin dhe Edi Ramën, larg qoftë, mund të na bëjë gjëmën!
Pa humbur më shumë kohë po futem në temë...
Arsyeja e parë mund të jetë për kortezi ose qokë...Duke e ditur se Erioni ishte në Hamburg, në Gjermani, atyre në SPAK mund t'u ketë shkuar ndërmend "për t'i bërë atij një surprizë". Ndoshta, kanë shkuar për t'i çuar familjes së tij... "dhuratën" e Krishtlindjeve e të Vitit të Ri..., kuptohet në formën e një kontrolli apo mesazhi...që nuk ka nevojë për përkthim nga shqipja në shqip?
Arsyeja e dytë mund të lidhet me qenien e Erion Veliajt në Hamburg... Ndoshta ata në SPAK kanë menduar t'i kujtojnë Erionit nëpërmjet emrit të atij qyteti gjerman( Ham...burg) se përveç kabinetit në bashki ekzistojnë edhe burgu me qeli...!? Natyrisht, nëse çon ndërmend e guxon me hap gojën me fol për të vërteta e "thashetheme" në adresë të SHEFIT...të tij, nënkuptueshëm KOKA e çdo ekipi, tufe, çete, "brigade të kuqe"..., pushtetari, politikani dhe drejtuesi të lartë në parti, në qeveri e shtet, pa përjashtuar as...SPAK!
Arsyeja e tretë mund të jetë më intime e ca banale. Ndoshta Ajola, nga nepsi, mund të ketë ngrënë një pako të tërë me "fiq të thatë Roshniku", nga ato që ia kishte fshehur Erioni asaj dhe SPAK, e mund të ketë pasur "dhimbje akute" në bark...!? Celularin mund t'ia kenë marrë për të kontrolluar nëse ajo "ka kërkuar ndihmë apo konsulencë mjekësore" nga ndonjë mikeshë mjeke apo mjek i familjes, që hyn në shtëpinë e tyre e në zyrën e Erionit, orë e pa orë, si në shtëpinë e vet...!? Duke "harruar" kështu se Veliajt, burrë e grua, janë aq të zgjuar sa të mos bëjnë biseda komprometuese e të lënë "sekrete rrënues" nëpër celularë...!? Për më tepër, "duke harruar" se shtëpia e Veliajve është shumë e vogël për të fshehur "vepra të mëdha", në formë pallatesh, kullash, inceneratori, shkollash, çerdhesh, kopshtesh; rrugësh e rrugicash...!?
Por, duke e ditur se Erioni kishte ikur, duke e shtuar akoma dozën e fantazizë e të humorit, ndoshta "miqtë" nga BKH- SPAK, kanë pasur kuriozitet se si kishte fjetur e vetme Ajola. Nëse kishte pas ftohtë dhe e kishte ndjerë fort pamundësinë e strukjes në gjoksin bashkëshortor...? Nëse kishte parë ndonjë ëndërr lemerisëse...???
Ohu, edhe unë ç'e vras mendjen dhe ju lodh sytë kaq fort për arsyet përse ka shkuar BKH- SPAK në familjen Veliaj? Njerëzit e Dumanit, sidomos njera me shumë mbiemra, janë transparentë e të sinqertë! Pasi "të marrin leje" nga SHEFI do të na i rrëfejnë të gjitha vetë!
Arsyeja e katërt mund të jetë ajo e kuriozitetit për të parë me sytë e veta komoditetin apo luksin ose thjeshtësinë mes të cilave jeton familja Veliaj, edhe pse kryetari i saj është si mbret apo sulltan në Bashkinë më të madhe në Shqipëri, pra në Tiranë!?
Arsyeja e pestë...Ndoshta ndonjëri apo të gjithë në SPAK kanë menduar që të shikojnë ndër të parët e me sytë e veta se mos Erion Veliaj ka nisur të shkruaj në kompjuter apo laptop librin e tij të kujtimeve si drejtues i “MJAFT”-it të Sorosit, si një nga “udhëheqësit legjendar” në “betejën e 21 janarit 2011 e si kryebashkiak i Tiranës...Duke ia lexuar me lupë, në mes rreshtave, ndoshta atij, i dehur nga euforia e “lavdisë”, i ka shpëtuar ndonjë sekret apo detaj, që mund t’i shërbente SPAK për të pasuruar “dosjen Erion Veliaj”...!?
Arsyeja e gjashtë...Ndoshta, burrat e BKH-së janë instruktuar të gërmojnë nëpër rafte, sirtarë, blloqe shënimesh, celularë, kompjutera, karta bankare, nën dyshekun bashkëshortor..., në çdo qosh e vrimë, për të gjetur fakte të fortë apo të pakundërshtueshëm për Erionin dhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë Ajola në të gjitha frontet, angazhimet, punët, veprat...gjatë gjithë kohës së jetës bashkëshortore...shembullore...!?
Arsyeja e shtatë...Ndoshta SPAK-u, për të ulur ndjeshëm “rrufetë e kritikave” ndaj tij, më së shumti me akuzë të përbashkët se po i përkëdhel si shumë e gjatë disa figura të tjera qendrore të PS-rilindjes apo pozitës, dërgoi me mision kontrolli një njësit nga BKH, edhe me qëllimin për t’u hedhur hi syve apo mbyllur për ca kohë gojë kritizerëve të padurueshëm si dhe të gjithë të tjerëve, që presin prej tij të gjitha ato që nuk i kanë bërë për mbi 11 vjet Rama-parti-qeveri...!? Për më tepër, që presin nga SPAK të punojë gjithë kohën si “sahat zviceran”, si raketat balistike amerikane të sistemeve ATACMS me rreze të largët, si “dronët bayraktar” të Turqisë së Erdoganit...!
Arsyeja e tetë...Ohu, ju lexuesit jeni mësuar keq! Vrisni mendjet dhe gjejeni vetë!