Dialogu Kosovë Serbi i përqendruar mes EU-së dhe SHBA

Opinione

Dialogu Kosovë Serbi i përqendruar mes EU-së dhe SHBA

Nga: Sherif Ramabaja Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 13:42
Sherif Ramabaja

Dialogu Kosovë Serbi ishte një disavantazh për Kosovën si nga EU me përfaqësuesit Borrell, Lajcak e Stano, por edhe nga përfaqësuesit e SHBA, Eskobar, (Grenell, Hill, Palmer)  etj, të cilët e favorizonin Serbinë, sidomos duke i bërë presion Kosovës mbi Asociacionin, i cili është një kancer malinj për shtetin.

Me ndërrimin e strukturave të EU pritet një qasje „ Tjetër “, sa i përket Kosovës, por tash Serbia duke e parë realitetin e forcave, të cilat nga udhëheqja e re e EU nuk i përgjigjen, do të orientohet më tepër në SHBA, duke pritur një qasje favorizuese nga fituesi i zgjedhjeve, presidenti Trump.

Vuçiqi dhe Serbia dihet se qëllimisht i kanë sabotuar në pakufi bisedimet, vetëm duke pritur ditë më të favorshme.

Së pari është menduar në ndryshimin e klimës politike brenda EU dhe SHBA, duke pasur po ashtu përkrahjen e Rusinë e Kinën që ta paralizonin Kosovën, ta ndanin apo pse jo, po patën mundësi ta ripushtonin sërish. Pra të gjitha opsionet i kanë të hapura.

Duke i shikuar rrethanat e sotme, po shihet që në shumë drejtime kanë arritur   sukses të caktuar, organizuan edhe tentime për ta pushtuar veriun, gjithnjë duke e marr rolin e viktimës.

Rrethanat gjeopolitike po ashtu vitet e fundit u kanë shkuar për shtati, sidomos me forcimin e të djathtës ekstreme në Evropë, e cila me ndikimet kibernetike ruse, siç është rasti i tashëm në Rumani, po tentojnë të sjellin qeveri pro ruse në pushtet.

Nga e djathta ekstreme sot po kërcënohen edhe Gjermania AFD, forca e dytë momentale, e cila qëndron shumë afër me Putinin, pasta Franca me Lë Penin, Holanda, Sllovakia, Hungaria me Orbanin etj.

Si rast tjetër i favorshëm në duar të Serbisë tashmë është edhe Litiumi, xehe për të cilën perëndimi ka shumë nevojë, sidomos industria automobilistike, shkaku i baterive elektrike. Prandaj tash e tutje, nuk duhet të habitemi, ndryshe do të vlerësohet Vuçiqi e Serbia. Shkaku i interesit të tyre ekonomik, do të përkëdhelen.

Ekziston rreziku se Serbisë do ti plotësohen shumica e kërkesave të saj. Kurse sa i përket SHBA, presidenti Trump kërkon zgjidhje të shpejtë, pa marr parasysh se si do të jetë ajo.

Çka i mbetet Kosovës?

Shqiptarët në rrethanat momentale duhet së pari t´i bashkojnë forcat e tyre pozitë, opozitë ?! Një bashkim në nivel kombëtar, do të ishte e arritur kolosale, po me Ramën diçka e tillë duket absurditet, kur dihet që ai i lufton shqiptarët në të gjitha mënyrat.

Pra mënyra e vetme për të mbijetuar, Kosovës i duhet forcimi në aspektin ushtarak dhe të sigurisë. Vetëm ky hap do të ishte vendimtar për t´u përballuar me Serbinë.

Një shpresë sado e vogël mbetet se si do të përfundoi konflikti Ukrainë Rusi. Po humbi Rusia, pritet se edhe gjërat do të ndryshonin edhe brenda Serbisë. Shqiptarët duhet të punojnë në shpërbërjen e saj, vendosjen e kufijve real të Serbisë.

Ishte e pa imagjinuar po rrethanat ndryshuan edhe në Siri. Përkrahësit kryesor të Asadit ishin Rusia dhe Irani, po asnjëra nuk e ndihmuan, sepse po përballen me konfliktet e tyre për ekzistencë: Rusia me Ukrainën kurse Irani me Izraelin.

Humbja e Asadit është një sinjal se kështu shumë shpejt mund të përfundojnë  Putini dhe Mullat e Iranit. Pse jo edhe Vuçiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat