Agjencitë Botërore të lajmeve kumtuan lajmin se sot grupet rebele në Siri e morën nën kontroll qytetet kryesore të Sirisë, duke rrëzuar pushtetin 50-vjeçar të familjes së Kryetarit Bashar al-Assad. Diktatura e hekurt në Siri ishte vendosur që nga i ati i Bashar al-Assadit, duke e mbajtur nën kontroll popullin sirian, i cili vuajti shumë në periudhat e ndryshme të historisë. Kështu, sferat e interesit të fuqive të mëdha, përkatësisht të Rusisë dhe Iranit në njërën anë, si dhe Turqisë dhe Perëndimit në anën tjetër, ishin shkaktarët kryesorë që e përqarën popullin sirian, duke e ndarë në grupe ideologjike dhe në sekte fetare.
Gjatë trazirave dhe luftës së brendshme (klasore), që zgjati afër një dekade, në Siri humbën jetën 350 mijë sirianë, ndërsa numri i refugjatëve që u detyruan të ikin nga lufta është me miliona njerëz të pafajshëm. Kështu, fuqitë kolonialiste të sferave të interesit, gjatë konflikteve që ndodhën brenda këtij shteti, shkatërruan qytetin “Alepo,” qendër historike e civilizimit botëror.
Sipas informacioneve që vijnë nga agjencitë e ndryshme botërore, kryetari i deritanishëm Bashar al-Assad ka ikur nga vendi dhe ende nuk dihet për fatin e tij. Se me të vërtetë, sistemet diktatoriale janë të dëmshme dhe përfundojnë me fatalitet, nuk do koment. Sot, vetëdija e njerëzimit gjithandej botës ka ndryshuar dhe gjithnjë e më shumë populli po lufton për liri, duke kërkuar më shumë të drejtat elementare për të jetuar i lirë dhe më shumë dinjitet. Po theksojmë se lufta kundër regjimeve totalitare është e lidhur ngushtë me shkallën e vetëdijes të popujve të ndryshëm, të cilët pothuajse gjithnjë e më shumë po luftojnë kundër ideologjive totalitare që Botës i kanë shkaktuar dëme dhe gjakderdhje përmes luftërave kolonialiste.
Si duket, këtë vjeshtë situata është ndezur edhe në Serbi. Kështu, opozita është ngritur në këmbë kundër pushtetit totalitar të Aleksandar Vučićit, i cili më shumë se një dekadë i ka rrëmbyer të gjitha institucionet e shtetit për interesat e tij karrieriste. Situata edhe më dramatike në Serbi ka filluar të zhvillohet gjatë kësaj jave, kur studentët e fakulteteve në të gjitha universitetet e këtij vendi janë ngritur në këmbë, duke ndërprerë punën mësimore, duke e pamundësuar punën e rektorateve gjithandej Serbisë.
Kërkesat e studentëve burojnë nga vetëdija e lartë e gjeneratës së re në drejtim të zhvillimit të proceseve demokratike në Serbi, duke kërkuar reforma politike dhe shoqërore, përkatësisht ndryrimin e pushtetit në Serbi. Shpresojmë se ngjarjet e fundit në Siri, pas rrëzimit të pushtetit të Asadit, interesat e Rusisë dhe të Iranit kanë përfunduar një herë e përgjithmonë.