Akti terrorist i Ibër Lepenc është arsye humane për alarm në botë!

Opinione

Akti terrorist i Ibër Lepenc është arsye humane për alarm në botë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 9 dhjetor 2024 Në ora: 08:00
Pamje nga vendi ku ndodhi sulmi në Ibër-Lepenc

Akti i terrorit i 29 nëntorit 2024 në Ibër Lepenc të komunës veriore në Kosovë, Zubin Potok, ishte i paprecedentë. Grupe terroriste kudo në botë kanë kryer akte terrori të formave të ndryshme, por jo në ujësjellës. Së paku jo vetëm në një përcjellës ujësjellësi me të cilin furnizohet me ujë gjysma e qytetarëve të një vendi dhe nga i cili varet energjia elektrike. Ka ndodhur në luftime, ka ndodhur kjo në beteja e gjatë bombardimeve. Të marrësh 15 apo 20 kg tritol në çantë e ta vendosesh në tubacione, ky është akt genocidi. Kush ka guxim ta bëjë një akt si ky, ai mund të marrë një sasi të pa matur  helmesh dhe t’i derdhë në tubat-përcjellësit e ujit të pijshëm për njerëz e të shkaktojë kësisoj tragjedi njerëzore të panjohur ndonjëherë. Dhe ata që në vitin 1990 helmuan me mijëra nxënës të shkollave fillore e gjimnazistë shqiptarë në Kosovë me llojin e helmit ushtarak Sarin, të prodhuar nga ushtria serbe, nuk do të hezitojnë të helmojnë Ujmanin apo çdo burim tjetër uji në Kosovë, nëse nuk do të kishin frikë nga ndëshkimi. Edhe nëse ky rast do të lihet në heshtje.

Ndriçimi i kësaj ngjarjeje, që e urrejnë edhe kriminelët ordinerë, është domosdoshmëri. Domosdoshmëri për shumë arsye. Së pari, me qëllim që drejtësia të vihet në vend. Që autorët jo vetëm të identifikohen, por edhe të zbërthehen, duke dëshmuar se kush kishte dhënë urdhër për një akt të tillë terrori. Vetëm nëse dëshmohet lidhja autor-organizator-ideator, vetëm atëherë mund të dalë përgjegjësia e plotë. Ne e dimë se akti i 29 nëntorit të shkuar është vepër e strukturave të shërbimit sekret të Serbisë dhe të Rusisë. Akti në vetvete është kopje e akteve ruse në Ukrainë. Por zbulimi i plotë i ngjarjes dhe autorëve të saj, me fakte, prova dhe dëshmi të pakontestueshme është ndihmë e madhe jo vetëm juridike, por edhe politike për Kosovën. Prandaj dhe Prokuroria Speciale ndodhet para një sfide. Prokurorët duhet të harrojnë në këtë moment kush është kryeministër, president a diçka tjetër. Pra të mos ndikohen nga asgjë e nga askush, vetëm të dëshmojnë të vërtetën. Nëse Bajram Kelmendi dhe Hysni Bytyçi dikur i vunë serbët para fakteve dhe provave juridike të dhunës në Kosovë, prokurorët specialë sot duhet të ndjekin shembullin e tyre. Kushtet janë të ndryshme, por Serbia është me të njëjtin mentalitet dhe objektiv. Dikur për zhbërjen e autonomisë, sot për zhbërjen e pavarësisë.

Së dyti, Eshtë me shumë rëndësi që kjo e vërtetë të shkojë më pas te çdo politikan dhe diplomat në BE, SHBA, organizatat ndërkombëtare dhe vendet e tjera, kudo në botë. Kjo sepse akti është i përsëritur pas atij të Banjskës dhe është neveritës për këdo. Dhe me këtë rast legjitimohet kërkesa që autorët e të dyja akteve terroriste (Banjskë dhe Ibër Lepenc) të ndëshkohen rëndë e të sillen para drejtësisë në Kosovë. Nëse arrihet p.sh që Radoiçiq të ekstradohet nga Serbia në Kosovë, atëherë bie alibia serbe se “Në Kosovë shkelen të drejtat e serbëve dhe keqtrajtohen ata nga regjimi i Kurtit”!

Ekstradimi do të ishte shprehje e imazhit pozitiv të Kosovës. Por akoma më e rëndësishme është që në shpërndarjen e informacionit për rastin e Ibër Lepenc të nxiten vendet e interesuara, sidomos Fuqitë e Mëdha, që të kuptojnë se Ujmani është burimi i jetës së Kosovës. Kjo do të hiqte automatikisht, edhe nga pikëpamja humane, axhendën e ndryshmit të kufijve. Argumenti është shumë i thjeshtë. Nëse ndahet Kosova, qytetarët e Kosovës do të ishin peng për gjithë jetën nga ana e Serbisë, edhe pse formalisht do të kishim një rregullim kufijsh ndryshe në kënaqje të oreksit të Beogradit. Beogradi do të qetësohej përkohësisht, por kjo do të varej nga zhvillimet gjeopolitike. Në një moment të dhënë, kur Rusia të ringjallej, atëherë Serbia dhe serbët do të fillojnë të kërcënojnë sërishmi me etje, pra me jetë, shqiptarët. Në Ibër Lepenc i krye një akt mizor e anti-human. Askush nuk garanton se kjo nuk do të ndodhë në një situatë kur veriun ta kontrollonte Serbia. Serbia është e papërgjegjshme dhe e pabesë. Kjo duhet argumentuar në qarqet euro-atlantike. Kur perendimorët të kërkojnë fakte, atëherë u duhet thënë: - Kujtoni Banjskën dhe ja ku e keni Ibër Lepenc-in!

Ibër Lepenci është vepër e verbërisë serbe. Me këtë akt Serbia ose së paku qarqet serbe të shërbimeve pro-ruse, kanë kryer një akt vetëvrasës. Ndërkohë deklarata e presidentit Aleksandër Vuçiq se “kam pasë propozime të devijojmë lumin Ibër nga Liqeni i Ujmanit”, është një paralajmërim tjetër për akte genocidiale mentale të elitës serbe! Ka ligje ndërkombëtare për lumenjtë dhe ata nuk mund të ndryshojnë rrjedhën natyrore pa marrëveshje midis shteteve, territoret e të cilave preken. Çdo ndërhyrje e njëanshme është akt në shkelje të ligjit ndërkombëtar! Dhe Vuçiq guxon e kërcënon edhe në shkelje të këtyre ligjeve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat