Në politikë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk duhet të ketë politikanë të pazëvendësueshëm.
Në përditshmëri ka ngjarje, fenomene dhe realitete të çuditshme. Por ka edhe individë shumë të çuditshëm, pasi ata mendojnë se janë specie shumë specifike e të veçanta, apo se pa ta nuk funksionon dhe nuk do të funksiononte asgjë në shoqëri dhe në shtete. Të njëjtët çuditërisht mendojnë se janë unikë dhe të pazëvendësueshëm. Këta, me këtë rast, kanë bindje tepër të gabuara, ose ata gabojnë aq sa janë të gjatë me trupat e tyre.
Këtyre duhet thënë se kanë plotësisht gabim, ose se në shkallë të fundit gabojnë 100%. Pra, këto bindje të tyre janë plotësisht të pavend dhe të njëjtat nuk përkojnë asesi me realitetin objektiv.
Prandaj, për hir të realitetit dhe objektivitetit, duhet theksuar se nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm, sepse të gjithë janë të zëvendësueshëm. Vetëm i madhi Zot është i pazëvendësueshëm. Prandaj, vetëm Atë, si krijuesin e botës dhe njerëzimit, nuk ka mundur dhe nuk mund ta zëvendësojë askush, ndërsa të gjithë krijesat e Tij janë të zëvendësueshme. Edhe në aktivitetin më kompleks njerëzor dhe shoqëror, siç është politika, vlen e njëjta gjë.
Edhe aty nuk ka politikanë të pazëvendësueshëm, që do të thotë se të gjithë politikanët, qofshin meshkuj apo femra, pa marrë parasysh bindjet dhe orientimet e tyre, pas një periudhe të caktuar kohore mund, dhe duhet, detyrimisht të zëvendësohen nga politika. Ata politikanë që mendojnë se janë të pazëvendësueshëm, ose janë shumë të dashuruar me vetveten, ose kanë probleme me vetveten, ose janë tepër larg logjikës së shëndoshë.
Dhe si duket, individët e tillë në politikë vuajnë nga të gjitha negativitetet e theksuara më lartë. Apo edhe duhet thënë se të njëjtët janë viktima të mitit të pazëvendësueshmërisë. Shoqëritë dhe shtetet e zhvilluara dhe të përparuara, kur ka ardhur koha dhe momenti, edhe politikanëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, të rëndësishëm dhe të çmuar për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve, kanë ditur t'u thonë lamtumirë edhe këtyre individëve. Kështu veprojnë njerëzit e mençur dhe me largpamësi, ndërsa këtu te ne, deri para 6 muajsh, nuk ndodhte një gjë e tillë.
Te ne, për çudi, disa politikanë, më shumë se tre dekada, janë akoma aktivë në politikë dhe, fatkeqësisht, të njëjtët nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë, as për qytetarët, as për shtetin. Dhe fatkeqësisht, këtyre nuk ka kush që t'u thotë: "Ndaloni më, mjaft më!" dhe "Ikni nga skena politike, sepse ju nuk e keni arsyetuar dhe nuk e arsyetoni praninë tuaj në politikën e vendit, apo se aspak nuk e meritoni angazhimin tuaj në të." Prandaj, këtij lloji të politikanëve u duhet një mësim i mirë, apo këtyre duhet përkujtuar se e kanë gabim nëse mendojnë se janë të pazëvendësueshëm, sepse politikanë të tillë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë. Dhe do të them se sa më shpesh që zëvendësohen politikanët, ambienti politik do të jetë më i pranueshëm, më interesant, më tërheqës dhe më produktiv. Dhe, përfundimisht, të largosh politikanë të pazotë, parazitë dhe shkurtpamës nga politika është obligim dhe një lloj patriotizmi qytetar.