Sado që qeveria të jetë e suksesshme, demokracia mbetet e brishtë pa një opozitë të fortë. Aktualisht, Kosova ka një opozitë të dobët, jo për shkak të mungesës së kuadrove, por për shkak të mungesës së një alternative të mirëfilltë. Edhe pse kjo krijon komoditet për qeverinë, ajo e bën më dembele dhe më pak të përgjegjshme, pasi mungon opozita që kontrollon dhe kritikon me argumente dhe alternativa konkrete.
Sa më e fortë të jetë opozita, aq më punëtore duhet të jetë pozita për të shmangur mundësinë e ndryshimit të pozicionëve dhe për të shmangur komoditetin e qytetarëve në zgjedhje.
Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës sot nuk kanë komoditet të përzgjedhjes mes qeverisë dhe opozitës, pasi kjo e fundit është e dërrmuar, pa ide konkrete dhe, mbi të gjitha, pa kredibilitet. Debakli i 14 shkurtit 2021 duket se nuk ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimeve të tyre, një veprim që duhej të ishte realizuar pas humbjes. Deri sa të mos ndodhi një ndryshim i tillë, nuk mund të pritet ndryshimi i qëndrimeve edhe tek qytetarët.
Ndëshkimi që ata pësuan ishte pasojë e keqeverisjes së tyre që i çoi në opozitë, por tani ata vazhdojnë me të njëjtin avaz, duke pretenduar rikthimin në pushtet. Pavarësisht se sa e mirë është qeveria, qytetarët kanë nevojë për një opozitë të konsoliduar, të reformuar dhe, mbi të gjitha, të arsyeshme. Kjo do të krijonte një presion pozitiv mbi qeverinë dhe do të sjellë rezultate më të favorshme.
Kur mungon opozita e mirëfilltë, është shumë e vështirë për qytetarët të bëjnë një përzgjedhje të informuar dhe mes më të mirëve. Partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK, nuk janë reformuar, dhe si pasojë po minimizojnë mundësitë e qytetarëve për të përzgjedhur, duke e bërë procesin zgjedhor një formalitet, pasi fituesi tashmë është i njohur.