Çdo pemë e keqe duhet të hiqet nga kopshti për t’u lënë vend pemëve të reja që japin fryte të mira

Opinione

Çdo pemë e keqe duhet të hiqet nga kopshti për t’u lënë vend pemëve të reja që japin fryte të mira

Nga: Lekë Mrijaj Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 06:56
Lekë Mrijaj

Që nga periudha e pasluftës e deri më sot, për më shumë se njëzet e pesë vite me radhë, liderët tanë politikë në Kosovë, pothuajse të të gjitha partive – kanë premtuar aleancë të ngushtë me miqtë tanë euroatlantikë, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, shëndetësi të integruar, arsim cilësor dhe drejtësi të paanshme. Por, sa përputhen këto premtime me realitetin?

Në shumë raste, realiteti që na shfaqet është e hidhur: injorimi i miqve ndërkombëtarë, korrupsioni i përhapur që ka minuar institucionet tona qendrore dhe lokale, përçarjet e pakuptimta të një natyre mesjetare, të cilat dobësojnë, plagosin dhe kërcënojnë unitetin kombëtar.

Ky unitet, dikur simbol i Rilindësve Kombëtarë (të pinjollëve të tyre të vitit 1912 të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, imz. Nikollë Kaçorrit, dr. Ibrahim Rugovës, dhe çlirimtarëve të Kosovës të kryesuar nga Adem Jashari), sot përballet me politika të nxitura apo politika kuturu nga interesa të ngushta, personale, partiake dhe familjare.

Këto politika, për fat të keq, shpesh u kthejnë shpinën jo vetëm interesave kombëtare, por edhe miqve tanë euroatlantikë dhe institucioneve tona shtetërore që duhet të përfaqësojnë interesat e përgjithshme të popullit.

Këto janë frytet e papërgjegjshmërisë dhe të një mungese të theksuar të vlerave të qëndrueshme kombëtare, kulturore dhe njerëzore.

Një lider i vërtetë nuk matet me pasurinë që ka grumbulluar (ndoshta) pa djersë apo me numrin e fjalimeve të zhurmshme negalomane që mban, as me zërin e lartë (kercenues) që përdor nëpër institucione, fushata e debate të tjera të llojit të kukuvajkave. Ai, matet nga ndikimi i tij pozitiv në shëndetësi, arsim, mirëqenie dhe nga vlerat shumëdimensionale që mbjell tek populli: vlera kombëtare, çlirimtare, kulturore dhe njerëzore. Është kontributi konkret dhe i qëndrueshëm që e bën një lider të mirë, jo retorika boshe dhe gjuha e tij agresive.

Një lider që sjell zhvillim të qëndrueshëm, ndihmon shtresat në nevojë, promovon kulturën kombëtare dhe forcon besimin e qytetarëve tek institucionet, është një lider që ka dhënë fryte të mira dhe meriton mbështetjen tonë të pakushtëzuar. Por, a e shohim këtë realitet në Kosovë?

Për të bërë një analizë të drejtë, duhet të pyesim:

1. A është luftuar realisht korrupsioni?

2. A janë përmirësuar kushtet në arsim dhe shëndetësi?

3. A është nxitur diaspora jonë – një aset i çmuar kombëtar dhe përherë i anashkaluar që nga periudha e komunizmit e deri në ditët e sotme – për t’u rikthyer dhe për të kontribuar në atdhe?

Nëse përgjigjjet për këto pyetje janë pozitive, atëherë mund të themi me bindje se lideri ka mbajtur premtimet e tij dhe është një trashëgimtar i denjë i Rilindësve Kombëtarë, një figurë me vlera kulturore dhe euroatlantike. Por, nëse një lider përdor retorikë dinake për të fshehur pasivitetin e tij, për të ruajtur interesa të ngushta dhe për të përçarë shoqërinë, frytet e tij janë të dyshimta apo më konkret të kalbura. Këta liderë sharllatanë në asnjë mënyrë nuk duhet të kenë mbështetjen tonë, pra, me fjalë tjera çdo pemë e keqe duhet të hiqet nga kopshti për t’u lënë vend pemëve të reja që japin fryte të mira.

Prandaj, është koha që ne si qytetarë të jemi syçelë dhe të zgjedhim frytin e shëndoshë me përgjegjësi, duke u udhëhequr nga një frymë e lartë kombëtare dhe njerëzore. Zgjedhjet tona sot përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë. Liderët tanë duhet të jenë një Bari i Mirë apo shërbëtorë të popullit dhe jo përfitues që shfrytëzojnë popullin.

Vetëm atëherë do të mund të mburremi me frytet e tyre dhe të kemi një të ardhme të përbashkët kombëtare, kulturore dhe euro-atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat