Gjarpri nuk jep shpirt, pa marrë dielli…

Opinione

Gjarpri nuk jep shpirt, pa marrë dielli…

Nga: Llesh Ndoj Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 07:28
Llesh Ndoj

Më erdhi ndër mend shprehja popullore “pa marrë (perënduar) dielli gjarpëri nuk jep shpirt”, si një këshillë e prindërve apo thjesht si një bestytni që nuk di kur e kam dëgjuar për herë të parë, duke ndjekur “perlat” e ditës, transmetuar në të gjitha kanalet televizive publike shqiptare, ku shfaqej Sali Berisha, tashmë 80 – vjeçarë, formalisht i liruar nga kufizimet e lirisë personale (se faktikisht s’ka qenë kurrë i kufizuar, falë teknologjisë e inkoherencës së vendimeve të drejtësisë sonë akoma të përgjumur!) ku nuk mungonte t’a quante qeverisjen aktuale, të krahasueshme me atë të Assadit të përmbysur tashmë në Siri, e të shpallte datën 23 Dhjetor 2024, si ditën kur “do të përmbyset” regjimi i Ramës përmes “mosbindjes më të madhe civile”, që ka njohur Shqipëria ndonjëherë. Ndonëse nuk vijnë për herë të parë, paralajmërimet e Berishës janë gjithnjë serioze e ato nuk duhen konsideruar si një dosido! Gjuha e tij është kurdoherë helmuese, kobndjellëse dhe ai ka qenë dhe është gjithnjë i gatshëm të djeg me zjarr e hekur Shqipërinë për pushtetin e tij personal. Jo vetëm Shqipërinë, por edhe çështjen shqiptare në tërësi, gjuha e Berishës i hedh me koshiencë të plotë në zjarrin e luftës globale e lokale, kurrë më reale dhe më e afërt se sa sot. Edhe në këtë pasazh të shkurtër nga diskursi i fjalës së tij për këtë çeshtje, gjuha e gjarpërit shihet haptas: Ka dy mënyra për të përmbysur regjime të tilla (nënkupton atë të Ramës!), me kryengritje të armatosur dhe me mosbindje civile, por ne (partia demokratike) kemi zgjedhur këtë të fundit si rrugën tone dhe me 23 dhjetor do t’i japim fund regjimit të Ramës! Me këtë rast m’u kujtua një halla ime e mirë në dasmën e nipit të vet:

- Qoftë lëvdue Krishti! - tha me zë të lartë, dhe vijoi përsëri me zë të ulët: - s’mund të them, por mirëse u ka pru Zoti!, e vazhdoi me fjalët e tjera të fillimit të dasmës, duke iu drejtue sekretarit të partisë që u printe krushqve. Ishte koha kur të lëvdoje Krishtin, ishte “mëkat” i rëndë dhe mund të ndëshkoheshe për këtë, kur vëtëm lëvdata për partinë e Enverin ishin “pasaportë” për të vazhduar më tej pa patur problem me regjimin e kohës. Edhe Saliu, përmend kryengritjen e armatosur, për t’ua kujtuar mbështetësve të tij, se ajo duhet bërë “ilegalisht”, pjesë e “mosbindjes civile”, siç ka bërë historikisht në të gjitha protestat e tij “paqësore” që nga viti 1991 e deri më sot, përderisa e shpall datën 23 dhjetor, si ditën e kiametit për qeverinë. Madje kuptohet qartë, se për sa kohë në synimet e veta nuk kursen as familjen e tij politike, të shkatërruar po prej tij për të fuqizuar veten, as familjen biologjike, dërguar “në derë të burgut” vetëm në funksion të pashallëkut dhe egos së pafundme për pushtet personal, ne të tjerëve nuk na ka asnjë “borxh”.

-Pa marrë dielli, gjarpërit nuk i del shpirti, na thonin dikur prindërit tanë, prandaj ne gjithnjë kujdeseshim që kur i mbytnim gjarpërinjtë, herë me thupra e herë duke i gjuajtur me gurë, t’ua ndanim kokën nga trupi e prapë mos t’u afroheshim, se edhe ashtu ata mund të na kafshonin e helmonin…

Pra Berisha nuk na ka borxh, sepse i tillë, helmues dhe i pandalshëm në realizimin e synimeve të veta duke i vënë zjarrin Shqipërisë e duke mos kursyer askënd, është treguar në të gjithë diskursin e tij politik e qeverisës që nga viti 1992 e deri më sot.

Po kush “na ka borxh” që po na josh përsëri drejt zjarrit?

Së pari, këtë borxh të madh a pabesi quajeni po të doni, na e ka Partia Demokratike e Shqipërisë, partia që shqiptarët i besuan shpresën për t’i prirë vendit drejt ndryshimeve demokratike të shumëpritura, duke i dhënë votën masivisht në vitin 1992 e 2005, që rezultuan një zhgënjim total e rrezikuan seriozish ekzistencën tonë, për herë të parë në histori, në fantazmën reale të luftës civile, në përplasjet guerile me molotov e dinamit, në korrupsionin e shtuar e ndërtimin e një shteti dukshëm patriarkal e gjysëmfeudal, sipas pikëpamjeve aspak demokratike të udhëheqësit të vet. Kjo parti dështoi të bëhej demokratike, dështoi të reformonte veten e vendin, duke mbetur e njëjta fund e krye: Parti komuniste e maskuar me parullat e luftës kundër fantazmës komuniste! U bë shumë luftë që Berisha e ithtarët e tij të rifitojnë pronësinë mbi emrin e vulën pas skizmës më të madhe të para dy viteve që pasoi shpalljen e Berishës “non grata” nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar, e distancimin prej frikacaku e urithi të Bashës, e ku unë bëj pjesë në ata që mendojnë se ky kthim u bë përmes fijeve kryesisht të padukshme e shkatërroi më keq opozitën e dëmtuar, dhe tash kjo e keqe e madhe, jo për të parën herë, po e rrezikon të gjithë Shqipërinë.

Së dyti, çdo demokrati e shqiptari i ka borxh Lulëzim Basha, ky frikacak tipik që e mendoi Sali Berishën “të vdekur” duke harruar këshillën e popullit se “gjarpërit nuk i del shpirti pa marrë dielli” dhe krijoi premisat që ai të ringjallet për t’a helmuar Shqipërinë. Kishte, madje edhe ka, vetëm një mënyrë Lulëzim Basha për t’a bërë këtë: Të bëhej i penduari i drejtësisë dhe të dëshmonte mëkatet e pushtetit të tij, kryesisht krimet e 21 janarit 2011 dhe me kaq përfundonte puna e tij. Nuk e bëri se është frikacak, aspak demokrat, por mëkatar e i pa guxim! Nuk e bëri se besoi verbërisht se, me aq sa bëri, Amerika do t’a “merrte për veshi” e t’a katapultonte kryeministër, ëndërr që e sheh me sy hapur edhe sot.

Jo më pak përgjegjës është edhe kryeministri Edi Rama e socialistët rilindas që kurrë s’rilindën. Unë nuk i përkas kategorisë që mendoj se Kryeministri duhet të “urdhëronte” burgosjen përfundimtare të Berishës bazuar në fakte, të paktën “derisa të merrte dielli”, pasi një veprim i tillë edhe pse ka mbetur pak në “ngrehinën demokratike” qeverisëse të vendit, nuk mund të bëhet, qoftë edhe nga rrethanat ndërkombëtare e organizatat ku ne bëjmë pjesë, por se qeverisja e tij në shumë aspekte ngjet “si dy pika uji” me qeverisjen demokratikase, pasi ajo është po aq autoritare sa ajo, po aq, në mos më shumë, e korruptuar se ajo, në disa aspekte po aq e paaftë dhe po aq e pandjeshme ndaj halleve të njerëzve, sa ajo… Është kjo qeverisje në opinionin e njerëzve e ndryshme prej saj, vetëm se ndryshe nga Sala e berishizmi, ajo nuk vret. Kjo s’është pak, por nuk mjafton që t’a shpëtonte popullin nga helmi i gjarpërit “të ngordhur e të pa dalë shpirti”, apo “të vdekurit” të pa kallur në varr. Zërat e nëndheshëm flasin për bashkëpunim në distancë mes tyre në funksion të helmimit tonë përfundimtar, e këta zëra nuk janë për t’u neglizhuar aspak.

E fundit, “në borxh” me shqiptarët është “Drejtësia e Re”. Ajo, bëri hapa të besueshëm përpara, duke ngritur akuzë ndaj Berishës për një çeshtje shumë dytësore të bëmave të tij tepër të njohura e shumë më kriminale se ajo, siç ishte akuza për abuzime korruptive në privatizimin e ish - klubit “Partizani”. Por vonesa e pajustifikuar në mbylljen e dosjes e gjykimin e saj, vonesa e pashpjegueshme në ecurinë e hetimeve e përfshirjen e Sali Berishës në ngjarjet kriminale të 21 janarit apo ngjarjen tragjike të Gërdecit, qoftë edhe si veprim për pengimin e drejtësisë apo mosveprim për parandalimin e tyre, duke qenë i plotfuqishëm në krye të shtetit. Ata janë “në borxh” me shqiptarët edhe se si me ngut e futën atë në kanalet e drejtësisë, duke tejkaluar e shkelur procedurat ligjore e duke i dhënë atij “statusin” e të përndjekurit, se masat nuk i morën të plota dhe “i ndaluan komunikimin” me këdo, por na e mbajtën 24 orë në 24, online në media, se në vend që të gjykohej për veprimet e dhunshme ndaj selisë së PD-s (pronë publike), i rikthyen me vendime të dyshimta logon e vulën.

Le të rikthehemi aty ku e nisëm: Berisha, duke qenë thellësisht i helmuar në mllefin e tij antishqiptar, e aq shumë i dashuruar me lavdinë e tij personale, edhe njëherë rrezikon të na helmojë të gjithëve. “Dielli” për të akoma s’ka marrë, ndaj merreni seriozisht kërcëninin e tij për datën 23 dhjetor, por edhe për datën 11 maj. Data e parë përkon me pragun e Krishtlindjeve e Sali Berisha, ndonëse mysliman në besim e antikrisht në shpirt, e harron edhe këtë dhe e shpallë rikthimin (ringjalljen) tamam si Krishti, bile duke ia tejkaluar atij, pasi e pretendon këtë për herë të tretë, në një kohë që edhe ithtarët më të mëdhenj të Krishtit, edhe Papa i Romës, e pranojnë atë ringjallje si unikale e të papërsëritshme në historinë e njerëzimit. Maji, gjithashtu duket se besohet prej tij si muaji që krahasohet me perëndinë e “të mirave”, Bona Dea, sipas mitologjisë romake, por edhe muaji i Shëngjergjit si shpresë e ripërtëritjes. Socialistët thuhet se djallëzisht e caktuan këtë datë, pasi dy ditë përpara një aktivitet evropian i planifikuar për t’u zhvilluar në vendin tonë, mendojnë se do t’ua rris prestigjin atyre e dashurinë e njerëzve për ta, ndërsa Berisha nuk bëzanë se sa kohë që s’ka “perënduar dielli”, mund t’a shfrytëzojë këtë event për të fituar atë që ai ka kohë që kërkon, e që tashmë në kufijtë biologjik të jetës, po e kërkon me ngulm si triumfin e fundit, pushtetin e tij në opozitë dhe dëmtimin e imazhit e të përparimit të vendit në reformat anëtarësuese në BE. Për këtë, gjithnjë sipas tij, tashmë ka lindur e po pret t’i ndrit edhe një “diell” me emrin Trump në amerikën e largët.

Deri atëherë, mos harroni, se e sigurtë është se gjarpëri, edhe pse i lodhur për vdekje, nuk ngordh pa marrë dielli e mbetet helmues edhe pa krye. A e di populli këtë? Dyshoj se ne harrojmë shpejt si popull e “për inatë të s’ime vjehërre, shkoj e fle me mullixhinë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat