Politikës, mediave, oligarkëve, pushtetarëve dhe shtetarëve shqiptarë të korruptuar në Shqipëri dhe Kosovë nuk u pëlqen fakti i dekorimit të Altin Dumanit nga SHBA, sepse ato janë të korruptuara dhe nuk duan sundim të ligjit dhe funksionim të shtetit ligjor. Ata nuk duan llogaridhënie para ligjit. Dhe jo vetëm atyre, por vlerësimi amerikan për Drejtësinë e Re në Shqipëri nuk u pëlqen shumë intelektualëve, opinionistëve dhe gazetarëve servilë dhe sahanlëpirës të politikës, pushtetit dhe korrupsionit në Shqipëri dhe Kosovë.
Pavarësisht meritat e SPAK-ut në Shqipëri, besimi publik te drejtësia ka shënuar rritje nga 10% para miratimit të reformës në Drejtësi. Tani besueshmëria te SPAK dhe Drejtësia e Re këtë vit ka arritur në 56.8%. Pavarësisht se publiku dhe ndërkombëtarët vlerësojnë se në Shqipëri, falë punës së lavdërueshme e të suksesshme të SPAK-ut, ka përmirësime në luftën kundër korrupsionit në çdo nivel, korrupsioni ka qenë aq i fuqishëm në Shqipëri sa që, përsëri, raporti i "World Justice" publikoi më 24 tetor 2024 se “Shqipëria është më e korruptuara në Europë”.
Në antitezë me këtë realitet vjen vlerësimi nga SHBA për kryetarin e SPAK, Z. Dumani, të cilin e shpallin kampion botëror në luftën kundër korrupsionit.
Ky vlerësim tregon dhe vërteton faktin e një lufte dhe sfide të jashtëzakonshme të Kryetarit Dumani dhe SPAK-ut në betejën për të çmontuar sistemin e korrupsionit në Shqipëri dhe për ta larguar nga lista e vendeve që udhëhojnë Europën në korrupsion. Korrupsioni në Shqipëri ishte bërë një kërcënim serioz për sovranitetin kombëtar, vetëm për meritë të politikës, politikanëve, pushtetarëve dhe drejtësisë së korruptuar, pra për shkak të elitës shqiptare që e ka sunduar Shqipërinë gjatë këtyre 34 viteve të tranzicionit.
Ky dështim i politikës dhe ky superkorruptim i saj nuk mund t’i pëlqente faktin që SHBA shpalli si kampion kreun e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit. Kjo nuk u pëlqen asnjë kryetari partie politike, asnjë ish-kryeministri, kryeministri apo presidenti shqiptar, për shkak të egoizmit dhe xhelozisë së sëmurë të tyre, por më shumë për faktin se elita politike në Shqipëri dhe Kosovë është kapur dhe korruptuar nga krimi dhe korrupsioni dhe ka instaluar sistemin e korrupsionit, që përbën një kërcënim për sovranitetin shtetëror.