Publikimi i listave nga partitë politike, të cilat do të garojnë për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin e Kosovës, tregon se një numër i konsiderueshëm emrash të propozuar për t’u bërë pjesë e Parlamentit të Kosovës janë të konsumuar në të gjitha pikëpamjet që kërkohet nga një personalitet politik me integritet. Duke i përcjellë dhe analizuar tubimet paraelektorale të partive politike, gjithandej në Kosovë dhe në diasporë, deri më tani nuk kemi parë asgjë të re nga vizioni dhe programet që po i prezantojnë liderët partiakë me qytetarët. Në listat e partive politike sërish figurojnë emra të personave të konsumuar, të dështuar dhe të përfolur për aferat më të ndryshme korruptive, duke përdorur nepotizmin si armë për të vazhduar karrierën në politikë.
Është e dhimbshme për demokracinë në Kosovë, ku përgjegjësia morale, politike e njerëzore, si dhe kodi i etikës – i kulturës, shkelën dhe keqpërdoren për interesa personale. Se me të vërtetë na mungon përgjegjësia ndaj qytetarit dhe ndaj shtetit, kjo nuk do koment. Në listat e disa partive politike kanë hyrë sërish individë të cilët janë të dënuar nga Gjykatat, dhe një numër edhe më i madh janë të përfolur për afera të ndryshme, duke keqpërdorur pozitat që kanë ushtruar pa dhënë llogari. Sipas raportit të KQZ-së, në zgjedhjet e 9 Shkurtit për Parlamentin e Kosovës do të garojnë 28 subjekte politike, ku 6 prej tyre janë parti që vijnë nga komuniteti serb. Kështu, në listat e publikuara të partive dhe subjekteve në koalicione të ndryshme do të garojnë 1250 deputetë për Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Duke i analizuar emrat që janë nominuar për deputetë të ardhshëm, disa parti politike kanë arritur të dalin nga vetvetja, duke propozuar kandidatë të rinj, të shkolluar dhe arsimuar, që, me një fjalë, janë ngritur dhe përgatitur për t’u bërë pjesë e politikës, për të marrë përgjegjësi për të mirën e vendit.
Por, mjerisht, shumica e subjekteve politike nuk kanë arritur të reformohen, duke mbetur me mendësinë e vjetër, ku fjala kryesore e mban lideri i partisë, i cili, qysh pas luftës, ka privatizuar subjektin politik. Sidoqoftë, vetingu në skenën politike të Kosovës është i paevitueshëm, ashtu siç kërkohet edhe në Sistemin e Drejtësisë.
Shoqëria kosovare ka nevojë për liderë me integritet, moral, njerzorë, të përkushtuar dhe të dëshmuar, për ta forcuar shtetësinë e Kosovës duke luftuar të gjitha dukuritë negative, të cilat janë prezente kudo në institucionet e shtetit që nga paslufta dhe të cilave duhet t’u vijë fundi. Andaj, qytetarët e Republikës së Kosovës më në fund duhet ta ngrisin vetëdijen duke i braktisur të gjithë ata individë, të cilët, vite me radhë, i sollën dëm proceseve demokratike në Kosovë, duke u pasuruar në mënyrën më abuzive, në dëm të parasë publike, duke u shndërruar në klasën e milionerëve. Në fund të këtij shkrimi po theksojmë se koha dhe jeta ka treguar se, pavarësisht sistemeve që kanë dominuar në një shoqëri apo shtet, progresin pozitiv e kanë sjellë vetëm njerëzit me integritet, me dije, me kulturë, moral, të cilin e kanë kultivuar nga familja deri tek traditat dhe vlerat historike e kombëtare.