Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, të premten dërgoi në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancat e mbajtura më 5 dhjetor 2024.
PDK-ja, 15 nga këto ligje i kontestoi për shkelje procedurale, derisa një prej tyre edhe për shkelje të përmbajtjes.
PDK-ja nuk po pajtohet me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që u miratua nga shumica parlamentare në Kuvend, duke e kontestuar si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Ky veprim i PDK-së, e cila për shumë vite ka udhëhequr me vendin, mund të konsiderohet si një hap strategjik në interes të mbrojtjes së pozitave dhe pasurive të mundshme që lidhen me individë të saj, që jo rrallëherë janë targetuar e madje edhe akuzuar për pasuri të pajustifikueshme.
Mjafton të kujtohet fakti se Kosova nën udhëheqjen e PDK-së dhe partive të tjera të opozitës së sotme, në rangjet e organizatave ndërkombëtare ishte listuar ndër vendet me më së shumti korrupsion e krim të organizuar.
Ky ligj synon të konfiskohet pasuria që nuk justifikohet në raport me të ardhurat e një personi, dhe në këtë kuadër, ai mund të ndikojë edhe në figura politike.
Nga ana tjetër, Kushtetuesja, si akti më i lartë juridik i vendit ka mundësinë që të shqyrtojë nëse ligji i paraqitur është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e individëve.
Mbase, PDK-ja mund të shqetësohet me mënyrën e vlerësimit të pasurisë dhe mundësinë e ndikimit politik të këtij ligji për të hequr pasuritë nga individët që mund të kenë lidhje me partitë politike. Por, kjo parti dhe as të tjerat nuk kanë të drejtë që me prolongime të tilla të bëjnë përpjekje për t’i ikur drejtësisë dhe ndëshkimit nga veprimet e tyre të së kaluarës.
Ndonëse, Gjykata Kushtetuese do ta jap interpretimin e saj përfundimtar në lidhje me këtë ligj, qëndrimi i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, në këndvështrimin e një qytetari të thjeshtë mund të vlerësohet si i drejtë.
Sipas ministres, lëvizja e PDK-së, “tregon më së miri frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite”.
“Me këtë veprim, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën.
Kjo është lufta e tyre për të mbajtur atë që kanë grabitur në kurriz të qytetarëve.
9 shkurti do të jetë dita ku sërish do të ballafaqohen interesat e tyre të ngushta përballë vullnetit popullor për qeverisje të drejtë, dhe luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.
Pra siç kemi thënë: ju edhe mund të na vononi, por kurrë nuk do ta ndalni vullnetin e popullit për drejtësi.
Byroja do të bëhet. Pasuria do t'i kthehet shtetit dhe qytetarëve.
Drejtësia do të mbizotërojë!”, ka thënë Haxhiu.
Mbetet të shihet se si do të vendos Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë ligj.
Madje, sido që të jetë vlerësimi i saj, është mirë që ka një iniciativë konkrete për një ligj, mungesën e të cilit e kanë ndjerë më së shumti qytetarët e Kosovës. Fundja, nuk ka rëndësi se kush e harton dhe e miraton, aq sa ka rëndësi ndëshkimi i keqbërësve të shtetit nga cilido krah a subjekt politik qofshin ata. Mjafton që ligji të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.
Kujtojmë se me ligjin e miratuar në Kuvend, subjekt verifikimi i pasurisë do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo pasuri është fituar kundërligjshëm.