Kush proteston? Kundër kujt protestohet? Një histori votimi që nuk harrohet

Opinione

Kush proteston? Kundër kujt protestohet? Një histori votimi që nuk harrohet

Nga: Agim Vuniqi Më: 31 korrik 2025 Në ora: 19:38
Agim Vuniqi

Është një çudi e madhe, për të mos thënë një hipokrizi e strukturuar, kur sheh qytetarë apo aktivistë që thërrasin në protesta kundër Gjykatës Speciale, ndërsa heshtin para fakteve: gjykata nuk ka rënë nga qielli, ajo është produkt i një votimi të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Kosovës më 3 gusht 2015, ku 82 deputetë votuan “pro”.

E thënë më qartë: ata që e krijuan, janë ende aty. Dhe, çuditërisht, shumica e tyre janë sërish në pushtet, në pozita të ndryshme politike, e disa edhe në lista zgjedhore të partive që thërrasin në protesta.

Në atë ditë vendimtare, u shkel premtimi për sovranitetin e drejtësisë. U instalua një strukturë njëetnike e gjykimit, që ka juridiksion vetëm për një pjesë të luftës – ajo që lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – duke e amnestuar krimin shtetëror të Serbisë.

A e harruam aq shpejt këtë votim?

Ja disa nga emrat që votuan pro Gjykatës Speciale:

Nga PDK: Kadri Veseli, Enver Hoxhaj, Xhavit Haliti, Flora Brovina, Zenun Pajaziti, Agim Çeku, Latif Gashi, Rrustem Mustafa, Hajdar Beqa, Ganimete Musliu, Azem Syla, Nait Hasani, Fadil Demaku, dhe shumë të tjerë.

Nga LDK: Isa Mustafa (atëherë kryetar i partisë), Arben Gashi, Sabri Hamiti, Armend Zemaj, Lirije Kajtazi, Muhamet Mustafa, Shpejtim Bulliqi, Fatmir Rexhepi, Besa Gaxherri, Teuta Sahatqija, e deri te Alma Lama, Anton Çuni dhe Melihate Tërmkolli.

Nga Lista Serbe dhe minoritetet: Bojan Mitic, Slobodan Petrović, Slavko Simić, Duda Balje, Emilija Redžepi, Fikrim Damka, Kujtim Paçaku – të gjithë votuan po.

Me fjalë tjera, Gjykata Speciale është një prodhim i brendshëm politik, që u votua nga përfaqësuesit tanë – jo nga Brukseli, jo nga Haga.

Kë protestoni, dhe pse jo vetveten?

Protesta e shpallur për 7 gusht 2025, nëse nuk është e sinqertë dhe me objektiv të qartë, nuk është gjë tjetër veçse ritual politik për të larë duart me historinë e afërt.

Nëse me të vërtetë je kundër kësaj gjykate – atëherë duhet të protestosh kundër atyre që e votuan, dhe që e garantuan kuorumin, madje edhe ata që në mënyrë hipokrite votuan “kundër”, por e siguruan shumicën.

Nëse jeni të sinqertë:

Mos votoni më për asnjërin nga këta deputetë.

Mos e harroni 3 gushtin 2015 – është data e “autonomisë së drejtësisë” që u shit lirë në emër të drejtësisë ndërkombëtare.

Mos i mashtroni qytetarët me protesta që nuk kanë adresë – protesta pa adresë është vetëm alibi.

Historia nuk gjykon vetëm veprimet, por edhe mosveprimet, sidomos kur janë të heshtura, të qëllimshme dhe të llogaritura për përfitime politike.

Nëse do të ketë protestë të sinqertë, atëherë flamuri nuk duhet të jetë vetëm ai i UÇK-së, por edhe faqja e fletës së votimit të 3 gushtit 2015, ku janë të shkruar emrat e deputetëve që vendosën drejtësinë e selektuar, që për sot e për nesër do të mbajë të ngujuar Republikën e Kosovës në një rrjet ndërkombëtar ligjor të njënashëm dhe të padrejtë.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat