Drenica nuk është thjesht një krahinë , është një emër i gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si simbol i qëndresës, nderit dhe luftës për liri. Është trualli ku shqiptarët nuk e kanë përkulur kokën para asnjë perandorie, ku besa ka qenë më e shtrenjtë se jeta dhe ku pushka e lirisë ka folur para se të flitej për kompromis.
Pikërisht në këtë vatër të zjarrtë të kombit, është rritur, është formuar dhe ka vepruar Ramiz Lladrovci. Drenica është më shumë se vendlindja e tij – është shtylla e identitetit të tij politik dhe moral. Aty ai e ka marrë edukatën e parë për drejtësinë, përkushtimin dhe për përgjegjësinë përballë kombit. Aty ku janë ngritur kullat që nuk u dogjën nga pushtuesit, aty është formuar edhe filozofia e tij politike: të jesh në anën e drejtë, pa lëkundje.
Pas luftës, ndërsa shumë pjesë të Kosovës kërkonin drejtim dhe rindërtim, Drenica mbeti simboli i vijimësisë së rezistencës. Nën drejtimin e Lladrovcit si kryetar i Drenasit, kjo krahinë nuk u shndërrua në kujtim nostalgjik të së kaluarës, por në faktor real të shtetformimit modern. Investimi në institucione, përkushtimi për dinjitet qytetar dhe mbrojtja e trashëgimisë kombëtare, janë dëshmi se rezistenca nuk ka qenë vetëm për të kaluarën, por është edhe për të ardhmen.
Ramiz Lladrovci e ka parë Drenicën jo si kështjellë të izoluar, por si kullë të hapur të kombit, të palëkundur në përkatësinë shqiptare dhe të përgjegjshme ndaj detyrimeve shtetërore. Në këtë mënyrë, ai i ka dhënë kuptim të ri rezistencës: nga pushka në ndërtim, nga krenaria në shërbim.
Në një shoqëri që shpesh lëkundet nga kriza të vazhdueshme politike dhe morale, figura si Ramiz Lladrovci janë busullë. Ai përfaqëson brezin e udhëheqësve që e kuptojnë politikën si mision, jo si përfitim; si përgjegjësi ndaj popullit dhe kujtesës historike, jo si garë për pushtet.