Lajmi i kobshëm, i transmetuar përmes portaleve dhe mediave të tjera, për vrasjen e tre personave Shqiptarë në Gjilan, tronditi gjithë Kosovën. Këto ngjarje tragjike dhe shqetësuese trokasin fuqishëm në ndërgjegjen e çdo familjeje Shqiptare, duke na bërë thirrje për vetëdijesim, reflektim dhe korrigjimin e sjelljeve, për të filluar njëherë e përgjithmonë edukimin e gjeneratave të reja – nga ogjaku familjar deri tek institucionet më të larta të shtetit. Mjaft kemi humbur jetë nga vuajtjet, konfliktet, hakmarrjet dhe deri tek lufta e fundit, e cila solli gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Pa u futur në detaje për rrethanat, shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike, ajo e sotmja na sinjalizon qartë se shoqëria jonë po përballet me dukuri të rënda negative që rrezikojnë sigurinë, nga familja deri tek instancat më të larta shtetërore. Këto dukuri kanë zanafillën që nga paslufta, kur u vendos në plan të parë pasurimi financiar e ekonomik me çdo kusht, shpesh duke shkelur normat etike e shoqërore. Ky mentalitet ka krijuar probleme serioze dhe ka sfiduar marrëdhëniet ndërnjerëzore. Është e dhimbshme që kjo tragjedi familjare po keqpërdoret nga individë të caktuar të partive politike, të cilët, pa u publikuar ende zyrtarisht rasti nga organet kompetente, nxitojnë të akuzojnë qeverinë apo institucionet si përgjegjëse për krimet që ndodhin, për poena politikë. Po aq të dëmshme janë edhe portalet që publikojnë foto dhe informacione me qëllim denigrimi politik – një praktikë që nuk i shërben askujt, përveçse helmon opinionin publik. Demokracia e një shteti ka kuptim vetëm kur rregullat dhe normat e një shoqërie ndërtohen mbi vlera morale e njerëzore, me respekt për palën tjetër dhe me nënshtrim ndaj ligjeve që mbrojnë këto vlera. Një ndër plagët më të mëdha që e ka përcjellë Kosovën pas luftës është edhe fenomeni i fajdeve – dhënia e parave me kamata të larta e të paimagjinueshme, të cilat here pas here u sponzoruan nga njerëzit e politikës. Kjo rrugë ilegale për tu pasuruar ka shkatërruar shumë familje, të cilat për shkak të shantazheve, kushtëzimeve dhe kërcënime e kanë humbur edhe pasurinë familjare. Gjithashtu, ligji për grumbullimin e armëve, i miratuar nga Parlamenti i Kosovës, ka mbetur thuajse i paplikuar, duke lejuar individë të papërgjegjshëm të marrin ligjin në dorë dhe të përdorin armët kundër njëri-tjetrit. Ngjarjet dhe “kronikat e zeza” që po ndodhin gjithnjë e më shpesh në vend, janë pasqyrë e gjendjes së rënduar të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe e dobësimit të sigurisë në Kosovë. Emëruesi i përbashkët i këtyre dukurive negative është mungesa e edukatës familjare, dobësitë e sistemit arsimor dhe etja e pangopur për pasuri të paligjshme, të pjustifikuara nga asgjë tjetër përveç lakmisë.