Prej kohësh, sektori i informimit në Republikën e Kosovës gjendet para një kaosi, i cili mund t’i shkaktojë dëme të pariparueshme shoqërisë Kosovare dhe shtetit në përgjithësi. Mbrëmë, në televizionin **Klan Kosova**, në ditarin qendror, plot 14 minuta iu kushtuan akuzave dhe shpifjeve, duke kritikuar Qeverinë në detyrë dhe Kryeministrin Albin Kurti. Kjo qasje për qërimin e hesapeve përmes propagandës mediale nga një televizion privat dëshmon për mjerimin e nivelit profesional dhe etik të një mediumi, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me kodin e etikës profesionale të gazetarisë. Kemi theksuar edhe më parë se një numër i mediave private, veçanërisht televizionet, janë themeluar me qëllime të caktuara nga individë të sektorit të biznesit, të cilët janë pasuruar në dy sisteme dhe vazhdojnë të pasurohen edhe tani, duke polarizuar e helmuar opinionin publik Shqiptar. Këto televizione janë krijuar me qëllime të qarta të pronarëve dhe klaneve partiake, për të fshehur krimet dhe aferat biznesore përmes të cilave u pasuruan në mënyra abuzive. Sot, këto filiale informative janë vënë në shërbim të interesave të ngushta, duke shkelur kodeksin gazetaresk dhe duke e përdorur hapësirën mediale për qërim hesapesh me këdo që i kritikon. Nëse e krahasojmë punën, profesionalizmin, etikën dhe përkushtimin e gazetarëve të para luftës me gjendjen aktuale pas luftës, pa hezitim mund të themi se sot gjendja në shumicën e mediumeve është për çdo kritikë. Mjetet e informimit kanë obligim moral, njerëzor dhe profesional që ta informojnë dhe edukojnë opinionin me lajme të sakta, të cilat e motivojnë shoqërinë drejt progresit. Por, fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh. Shumë nga këto media të ashtuquajtura “informative” po krijojnë më shumë probleme, duke hapur tema dhe debate të panevojshme që e polarizojnë dhe përçajnë shoqërinë. Mjerisht, kjo gjendje po ndikon edhe në prishjen e raporteve ndërnjerëzore dhe në acarimin e marrëdhënieve mes partive politike, të cilat edhe ashtu janë larg nivelit të përgjegjësisë. Prej vitesh, në këto televizione private, të themeluara nga mafia biznesore, janë punësuar një numër i madh i të ashtuquajturve “gazetarë”, opinionistë dhe analistë, të cilët funksionojnë sipas valëve politike dhe editoriale të klaneve menaxhuese që i kontrollojnë këto mediume. Shoqëria Sosovare, përkatësisht institucionet e shtetit, kanë obligim të domosdoshëm që çështjen e sektorit medial ta rregullojnë përmes ligjeve dhe rregulloreve, në mënyrë që ky kaos të ndërpritet sa më shpejt. Në të gjitha shtetet e botës, sidomos në vendet demokratike, liria e shprehjes ka normat dhe rregullat e saj, si dhe sanksione të qarta për shpifje, tendencë dhe dezinformim. Prandaj, në fund theksojmë se edhe pas 26 vitesh, sektori medial në Republikën e Kosovës është larg kërkesave të kohës dhe larg nivelit profesional, etik, edukativ, moral dhe përgjegjësisë që duhet të ketë fjala publike.