Gjykata Supreme e Sami Lushtakut!

Opinione

Gjykata Supreme e Sami Lushtakut!

Nga: Kimete Berisha Më: 2 tetor 2025 Në ora: 19:33
Kimete Berisha

- Sami Lushtaku ka propozuar 'dënim me vdekje' për kundërsharët politikë.

Metoda e parapëlqyer: zvarritje rrugëve!

- Për Gjykatën Supreme, ky nuk quhet “kërcënim”, por “figurë stilistike e lirisë së shprehjes”

- Si shkollë poetike që legalizon kërcënimin, Gjykata Supreme nuk e mohoi deklaratën, vetëm e mohoi kuptimin e saj.

- Dhe kështu, Sami Lushtaku fitoi dy herë:

1. Si burrë i fortë që kërcënon pa pasoja,

2. Si kandidat për kryetar, i mbrojtur nga “drejtësia”.

- Kushdo që ka qenë 'kandidat' për zvarritje nëpër rrugët e Prishtinës dhe më gjërë, Gjykata Supreme, si 'Akademi e retorikës', i ka porositur të mos shqetësohen:

se kjo nuk është dhunë por është interpretim artistik i rreptësisë.

- Supremja thotë: “Nuk i është drejtuar askujt drejtpërdrejt.”

- Pra, ata që dëshiron t’i ngreh zharg janë anonimë, hije, jo persona real.

Në këtë ritëm të drejtësisë:

- kërcënimi bëhet proverb,

- kërcënuesi bëhet poet,

- gjykata bëhet përkthyese e fjalëve, që

i shndërron kërcënimet në metafora popullore.

- Kështu, ne kemi Gjykatë Supreme të Sami Lushtakut:

aty ku fjala e komandantit është mbi ligjin, dhe ku edhe 'dënimi me vdekje' merr statusin 'shprehje e lirë anonime”.

- 'Hapni dosjet', urdhëron gjyqtarët Sami Lushtaku.

Jo, jo kaq butë,...

më serioz, se fantazmat po na shikojnë!”

- Zvarritja ritmike e Lushtakut është kërcënim ndaj trupave të kundërshtarëve politikë,

e vendimi i gjyqtarëve është kërcënim ndaj logjikës dhe shëndetit mendor:

të 'viktimave', të qytetarëve, të popullit.

- Gjyqtarët qeshin me kërcënimin e komandantit, e komandandi nervozohet... pse nuk e marrin seriozisht:

'Mos më bëni të dërgoj fantazmat mbi ju!”.

- Dhe pikërisht në këtë moment, gjyqtarët marrin vendimin: 'I pathemeltë', sepse fantazmat janë ndjerë të kërcënuara.

- Gjyqtarët, të detyruar të interpretojnë shprehjen 'zhag', e zbulojnë se nuk thuhet 'zhag' po 'zharg'...

e 'zharg' i thonë edhe lëkurës së gjarpërit që e heq në pranverë kur i del e reja...

- Por ne jemi në vjeshtë - reagon një gjyqtare flokëkuqe.

- Sigurisht... e ka pasur fjalën për lëkurën e

gjarpërit, se këta...të katundeve, ende e mbajnë lëkurën e gjarprit në kuletë, se thuhet se t'i ruan paret...thotë gjyqtari kryesor,

ndërsa Lushtaku, në rolin e “vrasësit të arsyes”, u thotë:

- Unë për hatër tuajin kam dashur ta ngreh zhag Vetëvendosjen ....

- Një gjyqtar me buzë të trasha, i frikësuar por i vendosur e pyet

- 'Po vendimi, zoti Lushtaku?”

- "Vendimi"? E dini ju.

Unë ...ndonjëherë gjuaj ca kërcënime sa për të ndezur atmosferën,” thotë Lushtaku.

- Gjyqtarët pajtohen se kërcënim i tij...

'të ngreh zharg kundërshtarët politikë' është i pavlefshëm ligjërisht...

dhe përpiqen të ruajnë seriozitetin, por fantazmat e Vetëvendosjes, ndërhyjnë:

- Fantazma 1:

"Shihni, zotërinj, ky po mendon se mund të na ngreh zharg në rrugë. Mos e merrni seriozisht.”

- Fantazma 2:

"Po çka është kjo: ligj apo komedi?

Ai po na shpall diktat metaforik.

Mos e hani metaforën e tij'!

- Fantazma 3:

"Kemi qenë duke punuar në projektin urbanistik 'Fluturimi mbi folenë e qyqes' kur na është kumtuar kërcënimi i tij.

- Por tash duhet ta ridizajnojmë planin urbanistik, sepse zvarritjet nëpër bulevard nuk janë paraparë me infrastrukturë'.

- Lushtaku:

"Fantazmat s’më trembin...'

- Gjyqtari kryesor:

"Zotëri Lushtaku, ligji nuk punon me fantazma… dhe nuk kemi ëndrra të dokumentuara!”

- Kështu...Gjykata Supreme lejoi që Sami Lushtaku të kërcënojë sepse:

1. Ligjërisht nuk ka fuqi:

“Ngrehja zharg” është e jashtëligjshme dhe e pamundur për t’u zbatuar.

- Gjyqtarët e dinë këtë dhe nuk mund të veprojnë seriozisht.

2. Ironia e vendimit:

Duke e lënë të flasë, gjyqtarët e tregojnë absurditetin e kërcënimeve të tij.

3. Fuqia e simbolikës:

Vendimi për t’ia lejuar fjalën Lushtakut është një mënyrë për të treguar se kërcënimet e tij janë të pavlefshme, por simbolikisht dramatike.

- Derisa lexohet vendimi 'i pathemeltë', ndodh një Dialog i brendshëm i Lushtakut:

“Jo, jo… nuk mund të më shmangin! Gjykata e shpalli të pathemeltë, por unë e kam në mendje si aksion epik… Fantazma...kini frikë...!“

- Para se ta nënshkruajnë vendimin, gjyqtarët, me vëmendje të shtuar, edhe një herë, e konsultojnë online fjalorin e gjuhës shqipe dhe shprehin dilemat e tyre…letrare:

- "A do të thotë 'zvarritje' diçka literale apo metaforike?”

- "Po...por a lejohet transporti publik për këtë zvarritje?”

- "Mund ta shpallim fantazi ligjore, me kusht që qytetarët të mos marrin pjesë!”

- "Lushtaku ka kërcënuar për qejf (sikur kur gjuan allti në ajër),...e qejfi nuk ka të drejtë të ankohet".

- Në fund, Lushtaku kërkon dëmshpërblim që Gjykata nuk e mori seriozisht.

- "Pasi që Sami Lushtaku ka thënë se do t’i ngreh zharg edhe ata që nuk i respektojnë gjyqtarët, e ka përkrahjen tonë… në kuptimin simbolik, sigurisht!

- tha gjyqtari 3.

- "Me çka ka pasur t'i ngreh zharg, koleg? Me batanije, a? E parealizueshme?'

- tha gjyqtari 1.

- Gjyqtari 2, duke mbajtur kokën me dorë, tha:

“Simbolikisht ka të drejtë…

- Tjetri i përgjigjet:

- "Po… dhe në fund, ai vetë do të kuptojë se spektakli është vetëm i tij. Ne vendosim për ligjin, jo për pasionin e tij'.

- Më në fund, gjyqtari kryesor shpall vendimin:

- "Kërkesa e z. Lushtaku për dëmshpërblim konsiderohet e pathemeltë.”

P.S. Edhe Ramiz Lladrovci në audio incizimin me jaranat e tij, flet për milionat e komunës si për rasadin.

Milionin nuk e quan “milion”, por “milun”.

- Kjo është strategji e tij gramatikore, sepse gjyqtarët-filologë të Gjykatës Supreme do ta interpretojnë korrupsionin si gabim ortografik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat