Në fillim duhet theksuar se vetëdija e ulët politike është pasojë e shumë dështimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës katërvjeçare nëpër komunat e Kosovës, përkatësisht në qeverisjen e pushtetit lokal. Kjo retorikë po përsëritet edhe sot, megjithëse gjatë gjithë kësaj kohe, kryetarët e partive dhe ata të komunave, në shumicën e fshatrave dhe lokaliteteve, asnjëherë nuk janë takuar me qytetarët dhe nuk janë marrë me problemet e tyre të përditshme.
Është e pajustifikueshme që aktiviteti qytetar është margjinalizuar nga vetë strukturat, nga fshati e bashkësia lokale deri te pushteti komunal. Qytetarët kanë harruar të tubohen për t’i paraqitur hallet dhe problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë, prej vitesh me radhë.
Është e pamoralshme dhe jo bindëse që tani, në prag të zgjedhjeve, kandidatët për asambletë komunale, së bashku me kryetarët e partive, të vrapojnë gjithandej Kosovës duke u premtuar qytetarëve kulla e pallate, fabrika e uzina, rrugë e kanalizime, punësime e subvencione për ndërmarrës – e çfarëdo tjetër. Kjo pafytyrësi tregon nivelin e ulët të karakterit të njerëzve që merren me politikë dhe që, me çdo kusht, kërkojnë pozita e funksione vetëm për interesat e tyre personale e familjare.
Këto fenomene janë bërë pjesë e zakonshme e çdo fushate parazgjedhore, në të gjitha vendbanimet, deri në fshatrat më të thella ku jetojnë shqiptarët. Individë dhe grupe të caktuara partiake trokasin në dyert e familjeve me sjellje servile, duke kërkuar votën dhe duke e ulur nivelin e komunikimit deri në atë të një lypësi rruge. Por këta të njëjtit njerëz, që deri më tani kanë qenë në pozita të ndryshme të institucioneve komunale, pothuajse asnjëherë nuk janë brengosur për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve – të cilëve vetëm kur afrohen zgjedhjet u trokasin në derë.
Të gjithë vrapojnë pas pozitave dhe privilegjeve përmes një politike që ka degraduar skajshmërisht dhe është shndërruar në një normë të neveritshme në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë këtij aktiviteti parazgjedhor, qytetarët patën rastin t’i njohin më mirë kandidatët e propozuar nga partitë për asambletë komunale dhe për kryetarë komunash. Mungesa e vetëdijes, e kulturës dhe e integritetit shihet qartë edhe përmes mediave, ku rivalët për kryetarë komunash përpiqen me mashtrim t’i shesin programet dhe ëndrrat e tyre të parealizueshme.
Gjuha e komunikimit, e mbushur me shpifje, urrejtje dhe fyerje, dëshmon se jemi shumë larg një komunikimi normal dhe demokratik. Turpi nuk mund të mbulohet: partitë politike po angazhohen për të ardhur në pushtet, e jo për ta zhvilluar ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën – apo, me një fjalë, për ta ngritur standardin e qytetarëve, nga niveli lokal e deri te piramida e shtetit.
Andaj, është koha dhe momenti që qytetarët votues, kësaj radhe, t’i dënojnë përmes votës të gjithë ata deputetë dhe partitë politike të nivelit qendror, të cilët qe 7 muaj i kanë bllokuar institucionet e shtetit të Kosovës – veprim ky ogurzi, i cili i solli dëme dhe e zbehu imazhin e Republikës së Kosovës si shteti më i ri në arenën ndërkombëtare.