Fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas, që u arrit pa balotazh, është shumë më tepër se një rezultat zgjedhor është një mesazh i fuqishëm politik, moral dhe qytetar drejtuar Sami Lushtakut dhe atyre që besuan se Drenasin mund ta trajtojnë si pronë private.
Qytetarët e Drenasit folën me votë të pastër dhe të qartë: “Drenasi nuk i nënshtrohet askujt!” Prej muajsh, u pa përpjekja e hapur e Sami Lushtakut për të rikthyer ndikimin e tij politik në komunë, përmes kandidatit të tij, me synimin për ta futur Drenasin sërish nën hijen e klaneve dhe nën frymën e nënshtrimit. Por, kjo strategji dështoi përballë vendosmërisë së qytetarëve që dinë të dallojnë kush punon për ta dhe kush kërkon pushtet për vete.
Ramiz Lladrovci, me gjithë kundërshtitë, presionet dhe lojërat e prapaskenës, doli fitues pa balotazh një fitore që flet për besimin që qytetarët i dhanë stabilitetit, përvojës dhe qasjes së tij konkrete ndaj punës komunale. Ai nuk fitoi vetëm përballë kundërshtarit në letër, por përballë një rrjeti të tërë që tentoi të kontrollojë vullnetin e lirë të qytetarëve.Kjo fitore është shuplakë politike për Sami Lushtakun një ish-komandant që dikur gëzonte respektin e njerëzve, por që me kalimin e kohës u shndërrua në simbol të arrogancës, hakmarrjes dhe dëshirës për pushtet me çdo kusht. Ai e lexoi gabim Drenasin. Mendoi se mund ta rikthente me ndikim, me frikë apo me lojëra politike. Por Drenasi i vitit 2025 nuk është ai i dikurshmi është më i vetëdijshëm, më i lirë dhe më i pjekur politikisht.
Drenasi i tha Sami Lushtakut: “Jo më!”
Jo më nënshtrimit, jo më komandimit nga prapaskena, jo më ndikimit të interesave personale mbi interesin qytetar.Fitorja e Lladrovcit është fitore e qytetarisë mbi klanet, e votës së lirë mbi frikën, dhe e dinjitetit mbi arrogancën. Në këtë betejë, nuk fitoi vetëm një kandidat fitoi një mentalitet i ri. Dhe humbi një epokë që duhet të mbetet pas.