Kriza ekonomike, inflacioni dhe papunësia janë tre faktorët kryesorë që po e rrënojnë standardin jetësor të shumë familjeve në vendin tonë. Këto familje kanë nevojë urgjente për mbështetje nga shoqëria dhe institucionet shtetërore. Është e rëndësishme të theksohet se pas përfundimit të luftës, shumë familje nga rajone të ndryshme të Kosovës u shpërngulën në Prishtinë dhe në qytete të tjera urbane, shpeshherë pa kushte të mjaftueshme materiale e financiare për të jetuar një jetë normale në qytet.
Shumë prej tyre u strehuan në shtëpitë e braktisura të familjeve që, për shkak të luftës, ishin detyruar të largoheshin nga Prishtina për të kërkuar strehim në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Edhe sot, këto familje jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe mezi arrijnë të mbijetojnë nga dita në ditë. Përveç mungesës së ushqimit, një pjesë e madhe e tyre përballen edhe me sëmundje kronike të anëtarëve të familjes, çka e rëndon më tej situatën e tyre sociale dhe ekonomike.
Çdo ditë, në dyert e shoqatave humanitare trokasin njerëz që kërkojnë ndihmë për të siguruar nevojat elementare të jetesës. Është shqetësuese mungesa e interesimit serioz nga Komuna e Prishtinës, e cila përveç një ndihme simbolike nga sektori i mirëqenies sociale, rrallëherë ndërhyn për të ndihmuar këtë kategori të rrezikuar, e cila ka nevojë jo vetëm për ushqim, por edhe për barna dhe përkujdesje shëndetësore.
Largimi i shumë organizatave humanitare ndërkombëtare nga Kosova e ka vështirësuar edhe më tej situatën e këtyre familjeve që përballen me sfida të mëdha për një jetë dinjitoze. Institucionet komunale, në veçanti Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kanë detyrimin moral, njerëzor dhe ligjor që të ndjekin nga afër gjendjen e familjeve në nevojë dhe të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre.
Fatkeqësisht, shumë zyrtarë të emëruar në strukturat lokale nuk janë të vetëdijshëm për realitetin socio-ekonomik në terren. Këto familje shpesh nuk trajtohen në bazë të parimeve humane dhe të drejtësisë sociale, si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë. Nuk ka dyshim se, në shumë raste, për shkak të papërgjegjësisë së pushtetit lokal, janë shkelur dhe vazhdojnë të shkelen të drejtat themelore të njeriut – një gjë e papranueshme për një administratë publike në një vend demokratik.
Tani, në prag të dimrit, shumë familje në Prishtinë ende nuk i kanë siguruar lëndët djegëse, çka i ekspozon ato ndaj të ftohtit dhe kushteve të rënda klimatike. Koha po dëshmon se klasa politike e gjeneratës së re nuk po e kupton rëndësinë që kishte dikur solidariteti dhe humanizmi në shoqërinë shqiptare – që dikur ishin arma më e fortë kundër çdo krize. Çdo brez që e injoron solidaritetin dhe ndjeshmërinë ndaj të varfërve, përballet me një krizë të thellë morale dhe shoqërore.