Astrit Memia, atëkohë gazetar, vizitoi zonat e luftës dhe na mundësoi reportazhet gjatë Luftës në median perëndimore, së bashku me gazetaren Caroline Sinz. Për herë të parë, në edicionet qendrore të lajmeve në televizionin francez FRANC-3, transmetimi i reportazhit tonë prej 3 minutash e 15 sekondash ishte një ngjarje e paprecedent në median prestigjioze perëndimore.
Brenda një minute, reportazhi u shpërnda në të gjitha mediat botërore, sepse ishte i pari që shfaqte të vërtetën e luftës së njësive operative të UÇK-së në terren, veçanërisht intervistën time në mbështetje të presidentit Rugova dhe njohjen e tij si komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, pas marrjes peng dhe dërgimit të tij në Beograd.
Pas arrestimit shtëpiak të Presidentit Ibrahim Rugova dhe dërgimit të tij peng në Beograd, shumë persona që përkrahnin presidentin Rugova frekuentonin bazën tonë.
Njëri prej tyre ishte ish-Ministri i Bujqësisë në qeverinë e Dr. Salih Berishës, Jemin Gjana, i cili më informoi se po angazhoheshin në çdo drejtim për të ruajtur personalitetin e presidentit Rugova nga propagandat e ndyra, të cilat kishin për qëllim largimin e tij nga skena politike. Përkrahja më e madhe i vinte presidentit Rugova nga Salih Berisha.
Pas këtyre mbështetjeve, pata një takim me disa intelektualë të larguar nga Kosova për shkak të presionit dhe dhunës sistematike të aparatit shtetëror serb, në Bicaj afër Kuksit. Aty pranova t’i intervistoj lidhur me mbështetjen e dhënë nga njësitet operative të UÇK-së për presidentin historik dhe arkitektin e pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Deklarimi im se presidenti ishte marrë peng dhe dërguar në takim me Millosheviqin pa dëshirën e tij, mori vëmendje të madhe.
Ditëve të fundit është vërtetuar dhe dokumentuar ajo që kam deklaruar që në pranverën e vitit 1998: Presidenti Rugova u dërgua pa dëshirën e tij në Beograd, pra u mor peng nga Millosheviqi. Të gjitha deklarimet e tjera nga persona të pa përgjegjshëm kishin karakter propagandues, me qëllim diskreditimin dhe largimin e Rugovës nga skena politike përmes propagandës dhe shpifjeve të nivelit të ulët.
Major Nazif Ramabaja
02.12.2025, Suedi