Unë nuk jam jurist. Nuk jam njohës i thellë i Kushtetutës dhe nuk kam pretenduar kurrë të jem. Jam qytetar i Republikës së Kosovës. Dhe besoj se kjo pozitë më jep jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral të flas kur ndiej se diçka po shkon thellësisht gabim.
Sepse shteti nuk mbahet vetëm me interpretime juridike. Ai mbahet me besim. Me ndjenjën se institucionet nuk ekzistojnë për të arsyetuar absurditetin, por për ta mbrojtur kuptimin e drejtësisë dhe demokracisë.
Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nuk është thjesht një çështje procedurale. Është një çështje thelbësore shtetërore dhe demokratike. Rashiq vjen nga një parti serbe më e vogël, por është deputet i votuar dhe i zgjedhur nga Kuvendi për këtë post. Kjo është thelbi i demokracisë parlamentare, vota e lirë dhe përfaqësimi politik.
Megjithatë, kjo zgjedhje u kontestua nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se posti i nënkryetarit duhet t’i takojë Listës Serbe, si partia serbe me më së shumti deputetë. Dhe këtu lind absurdi.
Si qytetar, pyes: ku po mbetet integriteti i deputetit dhe i votës së lirë? A ka më pak vlerë vota kur nuk i përket partisë “së duhur”? A po e zëvendësojmë parimin demokratik me një monopartizëm etnik të heshtur?
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur dihet se nënkryetari aktual nga Lista Serbe është Milan Radoiçiq, i akuzuar si udhëheqës i grupit terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë. Dhe pikërisht këtu, heshtja institucionale shndërrohet në problem moral.
Si mund të flitet për rend kushtetues, ndërkohë që përfaqësimi politik lidhet me struktura të dyshuara kriminale dhe terroriste? Si mund të injorohet integriteti i një deputeti të zgjedhur, ndërsa tolerohet një realitet që cenon sigurinë dhe sovranitetin e shtetit?
Na thuhet se gjithçka është “sipas Kushtetutës”. Se ligji është zbatuar. Por ligji, kur përdoret për të shmangur pyetjet thelbësore morale dhe politike, shndërrohet në strehë për mosguxim. Kushtetuta nuk është vetëm tekst, është marrëveshje besnikërie ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve.
Serbët në Kosovë gëzojnë të drejta që pak pakica në Evropë i kanë: dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend, përfaqësim të detyrueshëm institucional dhe mekanizma mbrojtës të veçantë. Këto të drejta janë ndërtuar për integrim dhe bashkëjetesë. Por sot, ato po përdoren për të përforcuar një monopol politik që nuk e njeh shtetin dhe nuk e respekton atë.
Gjykata Kushtetuese kishte mundësinë të tregonte guxim. Të sqaronte se demokracia nuk është pronë e një partie, se vota e lirë ka peshë dhe se ushtrimi i pushtetit kërkon integritet moral dhe shtetëror. Nuk e bëri. Zgjodhi interpretimin minimal dhe heshtjen maksimale.
Por heshtja, në raste të tilla, nuk është neutrale. Ajo është qëndrim.
Unë nuk i njoh të gjitha nenet e Kushtetutës. Por e di kur drejtësia po reduktohet në teknikë për t’iu shmangur përgjegjësisë. E di kur shteti po gërryhet jo nga presioni i jashtëm, por nga frika e brendshme për të thënë të vërtetën.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese ka nevojë për reforma të thella dhe të sinqerta. Vetingu nuk është slogan dhe as hakmarrje politike — është domosdoshmëri shtetërore. Një gjykatë pa guxim nuk mund të jetë mburojë e Kushtetutës.
Unë jam qytetar i Republikës së Kosovës. Nuk kërkoj shtet perfekt. Kërkoj shtet që e respekton votën, deputetin dhe vetveten.
Sepse kur ligji përdoret për të heshtur drejtësinë, atëherë shteti humb jo vetëm zërin, por edhe integritetin e tij.