Apel intelektual drejtuar elitës së Gjimnazit “Skënderbeu” për shkrimin e historisë së tij si vepër kujtimore dhe akademike

Opinione

Apel intelektual drejtuar elitës së Gjimnazit “Skënderbeu” për shkrimin e historisë së tij si vepër kujtimore dhe akademike

Nga: Nehat Hyseni Më: 31 janar 2026 Në ora: 17:42
Nehat Hyseni

Mendoj se ka ardhur koha e fundit – madje koha historikisht e domosdoshme – që historinë e Gjimnazit “Skënderbeu” ta shkruajmë vetë.

Ta shkruajmë siç e kemi jetuar, siç e kemi ndërtuar dhe mbajtur gjallë, së bashku me shumë të tjerë, në rrethana që shpesh kanë qenë më shumë se arsimore: morale, qytetare, kombëtare dhe thellësisht njerëzore. Pra, duhet ta marrim mbi vete përgjegjësinë intelektuale, etike dhe historike për këtë vepër me përmasa e dimensione monumentale!

Historia e Gjimnazit nuk duhet të reduktohet në një procesverbal të ftohtë institucional, të ngarkuar me data, emra dhe ngjarje të radhitura mekanikisht.

Një grumbull faktesh, sado i saktë, mbetet i thatë nëse i mungon fryma, kuptimi dhe përvoja e jetuar. Do të ishte një kronikë pa shpirt.

Gjimnazi “Skënderbeu” nuk ka qenë dhe nuk është një institucion i zakonshëm; prandaj as historia e tij nuk mund të jetë e zakonshme!

Ajo duhet të shkruhet si vepër kuptimplote, gjithëpërfshirëse, me ton akademik dhe thellësisht analitik, por njëkohësisht afirmuese e vlerave pedagogjike, filozofike dhe etnike që ky institucion ka mishëruar ndër dekada. Duhet të jetë një histori që ndërthur dokumentin me interpretimin, faktin me reflektimin, analizën me përjetimin. Një tekst që ruan rigorozitetin shkencor, por nuk humb dimensionin njerëzor.

Në thelb, Gjimnazi nuk ka qenë vetëm një institucion arsimor. Ai ka qenë një hapësirë e formimit etik dhe qytetar, një laborator i mendimit kritik dhe një vatër e vetëdijes kolektive. Aty janë kultivuar jo vetëm dije të strukturuara sipas kurrikulave zyrtare, por edhe guxim intelektual, ndjenjë përgjegjësie shoqërore dhe kulturë e qëndresës dinjitoze.

 Në këtë kuptim, historia e Gjimnazit është edhe histori filozofike: histori e zgjedhjeve morale, e qëndrimeve të mbajtura në kohë të vështira dhe e përpjekjeve për ta ruajtur dinjitetin institucional.

Po aq e rëndësishme është që kjo histori të trajtojë në mënyrë të thelluar raportin midis arsimit dhe zhvillimeve shoqërore në Luginën e Preshevës. Gjimnazi ka qenë shpesh pararendës i proceseve qytetare dhe institucionale.

Formimi intelektual i brezave të tij ka ndikuar drejtpërdrejt në artikulimin e kërkesave për të drejta, në organizimin shoqëror dhe në konsolidimin e përfaqësimit institucional. Këto procese nuk janë të rastësishme; ato përbëjnë vazhdimësi logjike të një kulture arsimore që e ka parë dijen si përgjegjësi publike.

Prandaj, historia që synojmë të shkruajmë nuk duhet të jetë vetëm përshkrim i së kaluarës, por interpretim i saj në dritën e kontekstit historik, politik dhe kulturor. Ajo duhet të analizojë sfidat, presionet, kufizimet, por edhe arritjet, vizionin dhe kontributin konkret të mësimdhënësve, drejtuesve dhe nxënësve në ndërtimin e një tradite arsimore me peshë.

Ky është një apel drejtuar elitës së Gjimnazit – profesorëve, ish-drejtuesve, studiuesve, intelektualëve dhe ish-nxënësve të formuar në këtë vatër – që ta marrin mbi vete këtë detyrë si mision akademik dhe moral.

Ne kemi përvojën, kujtesën dhe kompetencën për ta ndërtuar një vepër që i përgjigjet standardeve shkencore dhe njëkohësisht i bën nder historisë sonë kolektive.

Synimi duhet të jetë një monografi e plotë, metodologjikisht e strukturuar, e mbështetur në burime arkivore, dëshmi, analiza krahasuese dhe reflektime teorike. Një libër që afirmon vlerat akademike dhe pedagogjike të Gjimnazit, dimensionin e tij filozofik si institucion formues i mendimit kritik, si dhe rolin e tij në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit etnik e kulturor.

Një vepër e tillë nuk do t’i shërbejë vetëm kujtesës sonë, por do të jetë trashëgimi për brezat që vijnë. Ajo do të dëshmojë se si, në kushte jo gjithmonë të favorshme, një institucion arsimor mund të bëhet qendër e dinjitetit, e dijes dhe e përgjegjësisë kolektive.

Kjo është barrë, por edhe nder historik. Dhe është koha ta realizojmë së bashku!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat